Nordikët, rusët, izraelitët, madje dhe shtetas nga Kina, po interesohen dhe po bëhen blerës të vilave apo apartamenteve brenda fshatrave turistikë që po zhvillohen viteve të fundit në bregdetin shqiptar. Kompanitë që kanë projekte në zona si Hamallaj, Palasa apo Saranda konfirmojnë rritje të interesit nga grupi i të huajve, një tendencë që po thyen disi atë të mëparshme, ku blerësit ishin kryesisht shqiptarë të diasporës. Këta të fundit gjithsesi nuk mungojnë dhe vijojnë të mbeten blerësit kyç. Interesi i madh duket se po nxit mbajtjen e një ritmi të lartë në ndërtimin e projekteve të reja.
Nga Nertila Maho
Shqipëria, të paktën tre-katër vitet e fundit, është futur në hartën e destinacioneve të reja që po eksplorohen nga një kontingjent turistësh që nuk e kanë pasur më herët në objektiv të tyre. Të nxitur edhe nga situata në Turqi pas “grushtit të shtetit” pak vite më parë dhe nga pasiguria e lakuar në Egjipt dhe Tunizi, agjencitë e huaja kthyen sytë nga vendi ynë duke ofruar paketa turistike.
Polakët, çekët, suedezët, finlandezët, rusët, ukrainasit janë grupe që kanë njohur rritje këto vite. Panorama duket se ka dhënë edhe një efekt zinxhir në tregun imobilar të vilave apo apartamenteve në bregdet. Të huajt po blejnë në Shqipëri. E ndërsa është disi vështirë të nxjerrësh këtë përfundim për apartamente të veçantë në zona të ndryshme të bregdetit, mund ta shohësh fare mirë të reflektuar tendencën tek ato që njihen si fshatra turistikë. Janë një sërë projektesh që po zhvillohen përgjatë gjithë bregdetit, të cilat edhe pse ende në fazë zhvillimi kanë zgjuar interesin e të huajve për të blerë një apartament apo një vilë brenda atyre që konsiderohen si resorte.
Kush po ble vilat në bregdet, kompanitë: Po vijnë të huajt
Kompani që po zhvillojnë projektet në bregdet vlerësojnë se kërkesa për të blerë mbetet e lartë. Ka një lloj diversifikimi të blerësve, të cilët nuk janë më tipikisht shqiptarët e diasporës. Sigurisht, ata vijojnë të mbeten pjesa e rëndësishme e blerësve por sot, për herë të parë në Shqipëri, po kërkojnë të blejnë nordikët, izraelitët, rusët, ukrainasit. E gjitha kjo është e lidhur me tendencën që ka pasur edhe turizmi. Ka pasur të zhgënjyer që nuk duan të kthehen më në Shqipëri, nga ata që thjesht duan të mbeten turistë, ndërkohë që ka edhe nga ata që duan të kenë një pasuri të paluajtshme për t’u rikthyer si turistë apo banorë të përhershëm.
Ledia Telhai, nga “Balfin Real Estate”, konfirmon se të paktën në dy projekte të rëndësishme të kompanisë, blerësit janë shqiptarë dhe të huaj nga vende të ndryshme të Europës, por jo vetëm. Konkretisht në “Green Coast”, interes kanë shprehur blerës nga Zvicra, Austria, Italia, por edhe nga vende më larg si: Izraeli, Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Anglia. Gjithsesi, deri më tani, 60% e blerësve janë shtetas shqiptarë. Në “Vala Mar Residences”, në Hamallaj, rreth 75% janë shtetas shqiptarë dhe pjesa tjetër është nga diaspora, shtetas të Kosovës, si dhe vendet nordike.
Të njëjtën tendencë konfirmon edhe kompania “Concord Investment”, e cila po zbaton një seri projektesh përgjatë bregdetit, duke nisur nga “San Pietro Resort” tek “Palasa Resort” dhe së fundmi edhe “Kep Merli”. Kompanitë nënvizojnë se grupi i atyre që po blejnë vilat në bregdet varion, por nuk mungojnë moshat e thyera, të cilat kanë edhe mjetet e nevojshme financiare për të investuar në një pasuri të kësaj natyre. Nuk janë të pakta rastet kur pensionistë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri prej kostos së ulët të jetesës në raport me vendet e tyre dhe duket se një grup i vogël do të jenë edhe banorë të këtyre fshatrave turistikë.
“San Pietro Resort”, vilat përfundojnë këtë vit, interes suedezët, por edhe rusët
Kompania “Concord” konfirmon se intensiteti i punimeve për “San Pietro Resort” ka qenë më mirë sesa plani fillestar, duke synuar që brenda këtij viti të përfundojë pjesa e vilave dhe apartamenteve. Paralelisht me këtë duket se ka avancuar edhe pjesa e shitjeve dhe ndonëse ka shtetas shqiptarë që duan të bëhen pjesë e resortit, një pjesë të mirë e zënë të huajt. Vetëm për këtë resort, “Concord Investment” nënvizon se ka interes dhe blerje nga shtetasit suedezë, italianë, gjermanë dhe shqiptarë të Maqedonisë apo Kosovës.
Projekti i “San Pietro Resort” shtrihet në një sipërfaqe prej 350.000 m² dhe 1500 metra vijë bregdetare. Ai përbëhet nga një zonë rezidenciale luksoze dhe parashikohet edhe ndërtimi i hotelit me 5 yje. Pjesa rezidenciale përbëhet nga vila, palazzina, ndërkohë që nuk mungojnë godinat e shërbimeve në zonat e përbashkëta, si dhe zona relaksi e kënde sportive.
Hoteli me 5 yje, nga ana tjetër, pritet që të përfundojë në vitin 2020. Ashtu sikurse është lakuar edhe më herët, menaxhimi do të jetë ndërkombëtar dhe do të bëhet nga grupi spanjoll “Melia Group”. “Në kompleksin ‘San Pietro’ do të jetë i pozicionuar në skajin verior hoteli me 5 yje ‘Melia Hotels International’. Hoteli do të ketë një ndërtesë kryesore dhe disa rezidenca private me një kapacitet prej 350 dhomash, të cilat do të jenë të organizuara dhe me suita të niveleve të ndryshme të luksit. Pishinat e hotelit do të jenë në total 2500 m². Ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme duke filluar nga restorante, bare, dhoma konferencash, kazino, qendra Spa”, – pohojnë përfaqësues të “Concord”.
I nisur që nga viti 2017 “San Pietro Resort” është klasifikuar si investim strategjik me një investim që kap vlerën 88 milionë euro, ndërkohë që kriter tjetër për përfitimin e statusit ka qenë gjenerimi i vendeve të punës. Vetëm gjatë fazës së ndërtimit janë të punësuar 500-600 persona. Nga ana tjetër, në momentin e operimit, pritet që në resort të punësohen 700 persona dhe mbi 600 të tjerë sezonalë.
Një nga projektet më të mëdha në Jug dhe konkretisht në zonën mes Sarandës dhe Ksamilit është “Kep Merli”. Ky është një projekt i hershëm, me një leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, për “Boiken Developments” por që së fundmi duket se ka bashkuar forcat edhe “Concord Investment” për ta çuar para së bashku. Zhvillimi ka nisur në vitin 2014 dhe përfundimi i plotë i tij pritet në vitin 2022. Ai shtrihet në një sipërfaqe 280 mijë metra/katrorë, ku në ndërtim janë 67 mijë metra/katrorë. Dinamika e blerësve potencialë ka ndryshuar nga viti në vit, por së fundmi kompanitë zhvilluese nënvizojnë se ka interes për blerje të apartamenteve apo vilave nga shtetas anglezë, gjermanë, norvegjezë, suedezë, austriakë, belgë madje edhe blerës nga Azia e konkretisht nga Kina.
Por çfarë parashikon në fakt projekti “Kep Merli” dhe si është konceptuar ai? Gadishulli Verior përfshin një hotel me 5 yje me 210 dhoma, suita, restorante, bare, dhoma konferencash, një qendër SPA & Wellness, një port me jahte, si dhe 16 anije dhe 4 vila luksoze, nga të cilat 3 janë për shitje, me shumë pishina private dhe hapësira të gjelbra. Vilat detare tashmë janë ndërtuar, ndërsa arredimi i brendshëm është në proces. Vilat detare të Tipit A kanë një sipërfaqe të brendshme prej 173 m², me një sipërfaqe të zbuluar prej 627 m², ballkon 116 m² dhe verandë, si dhe një zonë pishine prej 35 m² secila. Vilat Tipi B kanë një hapësirë të brendshme prej 133 m², me një sipërfaqe të zbuluar prej 609 m², ballkon 112 m² dhe verandë, si dhe një zonë pishine prej 35 m², si Tipi A. Kjo pjesë e projektit është pothuajse e përfunduar, ku tashmë ka filluar ndërtimi i vilave luksoze. Vendi ku do të ndërtohet hoteli është përgatitur.
Gadishulli Jugor përfshin një hotel me 4 yje, me 250 dhoma, suita, bare, restorante, dhoma konferencash, një amfiteatër, një qendër Spa & Wellness, dy porte jahtesh, si dhe 33 vila mesdhetare me pishina private dhe hapësira të gjelbra të bollshme. Përfaqësuesit e kompanive nënvizojnë se kjo pjesë e projektit do të realizohet me anë të të ardhurave nga shitjet në gadishullin verior. Fshati “Kep Merli” do të ketë shërbimet e nevojshme për të banuar, duke përfshirë një farmaci, një dyqan ushqimor, një dyqan pastrimi kimik, një qendër Spa & Wellness, një luleshitës si dhe shërbime bankare.
Klubi Sportiv i “Kep Merli” do të lejojë si klientët ashtu edhe banorët e tij të përdorin një fushë golfi me sipërfaqe prej 1.5 hektarësh, fusha tenisi dhe basketbolli, si dhe një qendër zhytjeje, e cila është projektuar për të dy kategori, fillestarët dhe zhytësit me përvojë.
Në qershor 2019 nis ndërtimi i një tjetër fshati, “Palasa Resort”, targeti elitarët
Rritja e numrit të turistëve dhe theksi i vazhdueshëm për rritje të strukturave akomoduese nxiti viteve të fundit lulëzimin e një sërë projekteve në hoteleri, por edhe në fshatra turistikë. Nën ambicien 10 milionë turistëve, qeveria ka ndërmarrë një seri lehtësimesh të lidhura qoftë me pjesën e investimeve strategjike, ashtu edhe sa i përket regjimit fiskal me përjashtime nga një sërë taksash për të paktën 10 vjet. Sipërmarrja, nga ana tjetër, duket se po i përgjigjet kësaj nxitjeje të qeverisë me investime të reja përgjatë bregdetit.
Në qershor të këtij viti, pritet të nisë ndërtimi për një tjetër resort, i njohur si “Palasa Resort” me zhvillues “Concord Investment”. Koordinatat e kompleksit janë në bregdetin e Dhërmiut, Palasë. Kompania nënvizon se modeli që do të zbatohet në këtë resort, do të jetë mesdhetar dhe synohet turizëm elitar.
“Falë pozicionit në lidhje me rrjetin rrugor nacional dhe rajonal ndër më kryesorët në vend, ka një pozitë gjeografike mjaft të favorshme në komunikimin e afërt dhe të largët me qendrat e tjera urbane të vendit. Kompleksi do të zhvillohet me një përzierje të përbërësve të banimit, duke përfshirë vila dhe apartamente të tipologjive të ndryshme. Këto rezidenca gjenden midis gjelbërimit karakteristik të zonës. Gjithashtu, pozicionimi i kompleksit mundëson aksesin e lehtësive dhe komoditeteve kryesore të jetesës. Palasa ofron një ndër plazhet më të bukura të rivierës së Jonit.
Kompleksi ‘Palasa Resort’ është një projekt risi, i cili do të sjellë një vizion të ri në turizëm e një mënyrë jetese luksoze të një niveli të lartë”, – theksojnë përfaqësuesit e kompanisë. Resorti parashikohet që të përfundojë në vitin 2021 nëse gjithçka ecën sipas parashikimit aktual.
Blerja e një banese të paluajtshme, përfshihet si kusht te shtetësia
Një projektligj i nxjerrë së fundmi për konsultim “Për shtetësinë” trajton disa aspekte të lidhura me mënyrën sesi mund të përfitohet shtetësia shqiptare. Ndër format e lakuara, ku më tipikja është ajo me natyralizim, me birësim apo dhënia e shtetësisë për refugjatët dhe personat me mbrojtje plotësuese, jepen në detaj kushtet mbi të cilat mund të bëhet miratimi.
Ajo që bie në sy në aspektin ekonomik të trajtimit të shtetësisë është përfshirja në rastet kur dikush bën një investim në vlerë jo më pak se 2 milionë euro dhe punësimi jo më pak se 100 persona në vitin e parë edhe e kushtit të banimit. “Ligji aktual nuk ka parashikuar asnjë procedurë apo rregull që duhet të zbatohet nga institucionet përgjegjëse në këto raste, në veçanti për interesin ekonomik. Për të rregulluar këtë boshllëk ligjor, si dhe në përgjigje të rekomandimeve që janë dhënë nga Komisioni Europian, në projektligj janë parashikuar kushte shtrënguese, për dhënien e shtetësisë në rastet e interesit ekonomik, duke referuar njëkohësisht në kushtet e përcaktuara në ligjin nr.108/2013 “Për të huajt”, të ndryshuar, për dhënien e lejes së përhershme të qëndrimit, ku investimi në sektorë strategjikë, duhet të jetë në vlerën jo më pak se 2 milionë euro dhe si pasojë e tij, të jenë krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë 1-vjeçare.
Këtyre kushteve, u është shtuar dhe kushti i banimit në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë jo më pak se tre vjet në territorin e RSh-së, pas marrjes së lejes së përhershme të qëndrimit”, thuhet në relacionin e ligjit. Lidhur me përfituesit e shtetësisë për refugjatët apo personat me mbrojtje plotësuese bie në sy kushti për një banesë.
Në nenin 9 të ligjit thuhet se “shtetësia shqiptare fitohet nga refugjati, apo personi në mbrojtje plotësuese, që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme: ka mbushur moshën 18 vjeç, ka zotësi juridike për të vepruar, ka qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 10 vjet, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga dita e komunikimit të vendimit për dhënien e statusit nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas ligjit për azilin në Republikën e Shqipërisë, ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë, disponon të ardhura ose burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë”.
Qeveria u shpalli “luftë” fshatrave turistikë, model i ri zhvillimi
Qeveria duket se së fundmi ka vendosur të përmbysë modelet e veta të zhvillimit në disa sektorë. Përpara se të niste me përmbysjen e Partneriteteve Publike-Private, apo me koncesionet e hidrocentraleve, “lufta” do të kishte fillesën me modelin e fshatrave turistikë.
Kryeministri Edi Rama do të kritikonte fort modelin që, sipas tij, gjeti të zbatuar kur erdhi në mandatin e parë ku fshatrat turistikë janë shitur si vila dhe shërbejnë si lagje verore për banorë dhe jo si asete për zhvillimin e turizmit. Në fakt, pavarësisht kritikave në mandatin Rama 1, është vijuar dhënia e disa lejeve, për po të njëjtin model që kritikohet dhe i është shpallur luftë.
“Nuk kemi për të dhënë më leje për fshatra turistikë që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë edhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur. Investimet e reja në vijën bregdetare do të jenë investime të kombinuara dhe hoteleria është domosdoshmëria që ne kemi.
Madje ne kemi vendosur që në rastin e dhënies së një leje zhvillimi për një resort, jo fshat turistik, resortet patjetër që do të jenë mikse, do të ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do të zbardhen në dy faza, do të bësh një herë pjesën e hotelerisë, pastaj do të marrësh lejen për të ndërtuar vila”, deklaroi Rama para investitorëve. Kjo duket se kërkon të parandalojë precedentët ku investitorët kanë marrë leje për resorte dhe vila dhe pasi kanë përfunduar pjesën e vilave dhe i kanë shitur ato, kanë lënë të papërfunduar pjesën e hotelit apo resortit që parashikohet në projektin fillestar.
“Historia që fillojmë hapim themele, i shesim në themel, i marrim me këste e në fund përfundojmë që hoteli mbetet në letër dhe pjesa e hotelerisë mbetet një dëshirë e mirë e paralizuar. Ngremë kantierin dhe ikim e mbrapa lëmë një tjetër mëhallë njerëzish që sot kanë disa lekë më shumë dhe e përdorin mëhallën 15 ditë në vit dhe e gjithë ajo pasuri e madhe që është pasuri, mund të jetë private, por është një aset i përbashkët, mbetet një aset i vdekur. Kjo është një histori që për ne duhet të konsiderohet e marrë fund”, shtoi Rama.
Modeli i investimit në struktura akomoduese, 60% hotel, pjesa tjetër real estate
Një nga shqetësimet që është lakuar vazhdimisht për lejet e ndërtimit dhe ato zhvillimore të dhëna në bregdet, ka qenë fakti që projektet niseshin si resorte dhe përfundonin si shitje vilash në tregun e real estate. Një model i tillë është i jetësuar në një pjesë të mirë të komplekseve të zbatuara në Gjirin e Lalëzit, por edhe në Jug të vendit, në bregdetin e Jonit. Qeveria ka zbardhur planin e saj, lidhur me modelin që do të ndiqet në investimet në struktura akomoduese, duke përcaktuar se në lejet e dhëna të paktën 60% do të jetë në funksionin hoteleri, pra për t’i shërbyer drejtpërdrejt turizmit, kurse pjesa e mbetur prej 40% do të jetë për vila private dhe që i shtohen tregut të real estate.
Raporti i ndërtimit dhe bregdetit do të jetë në favor të të dytit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në samitin për turizmin, u shpreh se ndërtimi në struktura akomoduese do të zërë vetëm 25%, ndërkohë që 75% do të mbetet në pjesën e bregdetit dhe në funksion të turistëve për shfrytëzim. Ajo që do të bëhet në vijim, sipas ministrit, është një plan strikt monitorimi për mënyrën sesi do të zbatohen projektet e reja të investimit në struktura akomoduese. “Duhen vendosur rregulla sipas një modeli që do ta zhvillojmë bashkë. Nuk duhet të pranojmë as të biem në bumerangun e zhvillimit të turizmit masiv, as në letargjinë e mungesës së shfrytëzimit të të gjithë potencialeve për t’u fokusuar vetëm te turizmi elitar.
Modeli ynë që prezantojmë sot dhe do të implementojmë çdo ditë në punën tonë është një sistem miks, duke mbajtur në konsideratë zona specifike dhe karakteristika specifike të asaj çfarë duam të ndërtojmë në vendin tonë. Në këtë sistem, duhet të ketë rregulla të qarta investimi në hoteleri dhe struktura akmoduese. Modeli ynë i investimit duhet të ruajë një balancë mes hotelerisë dhe real estate. Nuk mund të lejojmë që për nevoja të akomodimit të një turizmi që rritet me 20% në vit, siç ishte 2018, të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh dhe të lejojmë investime pa model”, – do të nënvizonte ndër të tjera Klosi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.