Tregjet e dobësuara europiane po shtyjnë vendet në juglindje të saj, si Bullgaria apo Serbia, të kërkojnë tregje të reja. Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë në Bullgari po shikojnë me interes tregjet e Afrikës së Jugut. Serbia, përmes një konference ndërkombëtare të zhvilluar kohët e fundit, u përpoq të rifreskojë marrëdhëniet tregtare dhe të tërheqë investime nga India.
Rritja shumë e ngadaltë e ekonomive tashmë të zhvilluara të Europës Perëndimore, ka nxitur vendet e rajonit të Ballkanit e të Europës Juglindore të shikojnë me më shumë interes tregje me ritme të larta rritje, si në Afrikë edhe në Azi. Me një nivel rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto mes 5-7% në këto vende shkëlqen ajo që është zvenitur në tregjet perëndimore: kërkesa. Por, si duhet të orientohen eksportet shqiptare? A duhet që prodhuesit shqiptarë të kërkojnë tregje të reja e të uritura, ndonëse të largëta, apo duhet të mbeten me “sytë” nga Perëndimi, por me një këndvështrim tjetër për këtë treg?!
Sigurisht që një gjeografi e gjerë eksportesh do të thotë më shumë pavarësi ndaj zhvillimeve të mundshme negative në një pjesë tregjesh. Dhe, eksportet drejt Kinës dhe Turqisë (ekonomia e së cilës po rritet edhe më shpejt se e Kinës) janë rritur ndjeshëm. Madje së fundi, përfaqësues të industrisë ushqimore tregojnë se po bëjnë kontrata shitje dhe planifikojnë të eksportojnë ushqime në tregun e madh kinez. Gjithsesi, si biznesmenët edhe ekspertët e tregtisë janë të bindur për zgjedhjen e duhur: eksportim në Bashkimin Europian (BE).
Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve, thotë se “ne nuk kemi shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona për të prodhuar për tregun europian. Ai ofron shumë mundësi për prodhimet tona”. Në të njëjtën mënyrë e mendon edhe Alban Zusi, sipërmarrës dhe drejtues i Shoqatës së Eksportuesve, kur thotë se “jemi shumë pranë tregut më të madh e të pasur të botës”. Por ai thekson se për të qenë të suksesshëm në këtë treg të afërt, “duhet të synojmë segmentin e tregut cilësor, i cili njëkohësisht është edhe më i shtrenjtë”. Kjo do të thotë se duhet të rrisim standardet e punës e të tërheqim klientë të mirë. “Tregu i produkteve të cilësisë së lartë në Europë është ai që nuk po përjeton asnjë tronditje”, thotë Zusi. Kjo rezultoi edhe nga Panairi i Luksit i zhvilluar kohët e fundit në Romë, ku të pasurit e super të pasurit treguan se nuk kursehen në udhëtime, veshje e bizhuteri të shtrenjta.
FJALI VEC
Këndvështrimi
Jmi shumë pranë tregut më të madh e të pasur të botës. Por, për të qenë të suksesshëm në këtë treg të afërt, duhet të synojmë segmentin e tregut cilësor, i cili njëkohësisht është edhe më i shtrenjtë. Kjo do të thotë se duhet të rrisim standardet e punës e të tërheqim klientë të mirë. Tregu i produkteve të cilësisë së lartë në Europë është ai që nuk po përjeton asnjë tronditje
Sipërmarrës në fushën e tekstileve, këpucëve dhe një pjesë të industrisë ushqimore tregojnë se kanë kapacitetet e prodhimit dhe përvojën e duhur për të ngjitur një shkallë në cilësi shërbimi. Të punojmë për një kompani të njohur veshjesh në Gjermani apo Itali, e cila paguan 2-3 herë më shumë për njësi, është ajo çfarë po kërkojmë të bëjmë, thonë sipërmarrës të industrisë së veshjeve. Sipas ekspertëve të tregtisë, kjo është plotësisht e mundur dhe duhet të bëhet qëllim i industrive shqiptare.
Ekspertë pranë Ministrisë së Tregtisë thonë se “eksportuesit shqiptarë duhet të përpiqen të bëhen aktorë në tregun e cilësisë”. Për këtë, duhet të investojnë, “një shpenzim që ia vlen”, thonë ekspertët. Edhe vetë prodhuesit janë të ndërgjegjshëm për atë çfarë duhet të bëjnë. Zusi, i cili punon për tregun italian, rendit listën e “detyrave të shtëpisë” së prodhuesve-eksportues: Trajnimi i punonjësve, shtimi i numrit të supervizorëve, rritje e pagës dhe investime më cilësore në makineri.
Në pamje të parë, prirja shqiptare mund të duket në tendencë të kundërt me tregjet fqinje, por edhe ato të zhvilluara (si BE, SHBA) të cilat po kërkojnë të rrisin tregtinë në vendet e zhvilluara. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, vendet e mëdha synojnë ato tregje (të produkteve përfundimtare), të cilat ne nuk mund t´i shfrytëzojmë dhe mbi të gjitha, nuk mund të jemi aktorë për sasinë e ofruar. Ekspertë të tregtisë vlerësojnë se mbi të gjitha duhet të identifikojmë se cilat janë avantazhet konkurruese. Eksporti i lëndëve të para (siç po ndodh me mineralet tona në Kinë) nuk është zgjidhja më e mirë që mund të bënim.
Fjali më vete
Gjergji Gjika: Nuk kemi shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona për të prodhuar për tregun europian.
Në Europë, por ndryshe
Fakti që nuk duhet të largohemi nga objektivi prej shumë vitesh i eksportuesve (i vërtetuar edhe me eksportet e deritanishme) nuk do të thotë se duhet të vazhdojmë po këto rrugë (tregtie). Eksportet në tregjet italiane duhet të orientohen drejt një shtrese më të pasur klientësh. Por, shumë sipërmarrës thonë se edhe në tregun perëndimor duhen kërkuar vendet me rritje më të madhe ekonomike, duke nënkuptuar Gjermaninë. Ekonomia e saj e filloi vitin shumë mirë, me një rritje prej 5.5% (tremujori i parë i vitit). Por, raporti i javëve të fundit, që flet për një rritje vjetore prej 0,5%, ngre shqetësimin se ashtu si ekonomitë e tjera industriale, Gjermania përballet me një stanjacion të gjatë, nëse ekonomia globale nuk gjen shpejt ekuilibrin e saj.
Sipas të dhënave të tregtisë, eksportet drejt këtij tregu zënë vetëm 3% të totalit të eksporteve shqiptare, një pikë përqindje më shumë se eksportet drejt Kinës” (janar-korrik 2011). Tregu gjerman shihet si interesant për prodhimin e veshje-këpucëve dhe bimët mjekësore. Dy kontrata të nënshkruara së fundi me kompani prodhuese gjermane, pritet t´i japin një orientim të ri eksporteve të fasonit, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Shanset për të punuar për tregjet cilësore, rriten me prirjen europiane për të tërhequr klientë të pasur. Prodhuesit europianë po tërheqin klientë super të pasur, për pajisje e shërbime luksi.
Fjali më vete:
Pritshmëritë e eksporteve
Drejt tregut cilësor europian. Më shumë eksporte drejt Gjermanisë.
Bie 8% pesha e eksporteve drejt BE-së
Gjeografia e eksporteve shqiptare u zgjerua në mënyrë të kënaqshme, veçanërisht këto vitet e fundit. Rritja e çmimit të mineraleve, ndikoi që Kina të bëhet partneri ynë i katërt tregtar në gjysmën e parë të këtij viti me rreth 5% të eksporteve tona. Po në këtë periudhë, eksportet drejt vendit që po rritet shumë shpejt Turqisë u rritën 49% krahasuar me 2010-n, duke zënë mbi 8% të totalit të eksporteve. Tendenca e theksuar këtë vit u vërejt edhe në 2010-n, ku eksportet drejt Azisë u bënë “të dukshme”. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vitin e kaluar eksportuam rreth 7% të mallrave në Azi dhe 2% në Amerikë. Pesha e tregut europian ra 8 pikë përqindje krahasuar me pesë vite më parë.
Vendet e zhvilluara drejt lindjes
Vendet me zhvillim të shpejtë janë tashmë ëndrra e re amerikane, si të ndërmarrjeve edhe të investitorëve. Pjesa më e madhe e kompanive që operojnë me këto tregje në fakt janë prekur shumë më pak nga efektet e krizës dhe recesionit, ndërkohë parashikimet optimiste të analistëve për rritjen ekonomike i bëjnë tregjet e vendeve në zhvillim një investim të këndshëm, në një periudhë paqëndrueshmërie të fortë. Vendet në zhvillim pritet ta mbyllin këtë vit me një normë rritje shumë më të lartë se ekonomitë e zhvilluara. Edhe pse Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet pak më ngadalë se ç´parashikohej flitet gjithsesi për një mesatare rritje mes 5-7%.
Sipas analistëve, ky vit shënon një lloj zbehje të performancës së vendeve në zhvillim (të cilat vitin e kaluar u rritën me ritme të larta) në favor të të tjerëve.
India, Kina e Brazili po i kalojnë “flamurin” vendeve që deri më tani kanë mbetur nën hije, ndër të cilat Turqia, Indonezia dhe Kolumbia. Të dhënat e fundit tregojnë se rritja ekonomike e Turqisë e kaloi ritmin e rritjes në Kinë, e cila ruante vendin kryesor për rritjen. Në përgjithësi, pritshmëritë për rritjet më të mëdha sjellin në mendje Azinë, Amerikën Latine dhe Europën. Kjo e fundit shihet pozitivisht ,për shkak të ecurisë së mirë të ekonomive turke e ruse, të cilat pritet ta mbyllin vitin me rritje të krahasueshme me vendet aziatike.
Edhe të pasurit qajnë? Jo
Parfume të së ardhmes, të realizuara me lëndët e para më të mira të disponueshme në treg, udhëtime për rreth botës prej 100 mijë eurosh, aksesorë për banjot, duke filluar nga 5 mijë euro. Këto janë disa nga shembujt “e thjeshtë” të ekspozimit të produkteve e shërbimeve në Panairin e Luksit, i mbajtur këtë muaj në Romë. Marka të pakta dhe të seleksionuara. Eventi i kushtohej përsosmërisë dhe madhështisë së pasurisë, të cilat duket se nuk njohin krizë. Por i kushtohej edhe luksit të ri: atij luksi që synon të mos tërheqë shumë vëmendjen.
“Flasim për një segment të tregut që sot ka karakteristika të ndryshme nga ato të pak viteve më parë. Edhe kur është ekstrem, nuk lë asgjë pas dore dhe nuk shfaqet”, ka shpjeguar presidenti i këtij panairi, Alejandro Jantus. Ekspertët e shitjeve vlerësojnë se zgjedhja ishte aq e suksesshme, sa edhe para se të hapet panairi i këtij viti, kanë filluar kërkesat për pjesëmarrjen në eventin e vitit 2012. “Një hapësirë e vogël, më pak se 1 mijë metra katrorë dhe një numër i kufizuar ekspozuesish (jo më pak se 30) për një publik të ngushtë. Më shumë se një ekspozitë në kuptimin tradicional, ishte një takim për pak të privilegjuar: sheikët arabë dhe super të pasurit e rinj të Indisë e Kinës. Biznese të kësaj kaste të shoqërisë janë: agjenci ndërkombëtare udhëtimi që ofron paketën “xhiroja e botës me 90 mijë euro”, varëse rrobash për dollap “Swarovski” (500 euro), bizhuteritë e hekurit të markës Corona Ferrea, projektuar nga kontesha Isabella del Bono, çmimet e të cilëve fillojnë nga 1500 euro, deri te bizhuteritë e ekspozuara nga koleksionistja Silvana Venturini, të listuara mbi 1 mijë euro. Përkrah ekspozitës reale, “Expoluxe” ofroi edhe një kalendar të pasur takimesh, ku tema më e trajtuar do të jetë hoteleria, në kuptimin shik të saj, për të treguar pajisjet e hoteleve luksoze, qendrat e trajtimit estetik, bizhuteri dhe arredim.
Nuk duhet menduar se kjo është mendjemadhësia e të pasurve, në një periudhë kur të gjitha shtresat e tjera të popullsisë janë prekur nga kriza. Sipas Jantus, “të promovosh luksin do të thotë të tërheqësh investime nga vende të tjera, për të ushqyer ekonominë dhe për të hapur vende të reja pune”. Një shembull? “Nëse një sheik shpenzon 50 milionë euro për një jaht, do të thotë që vë në lëvizje investime që janë në gjendje të “mbajnë” një rajon të tërë. çështja nuk ndryshon për bizhuteritë, pikturat e pajisje mobilierie, që ekspozojmë këtu”, thotë ai.
Kjo është një mënyrë për të pranuar sjelljen e pasurisë, që në fillim mund të duken të tepërta, pikërisht në këtë periudhë, por që në të vërtetë kanë një kuptim të dobishëm ekonomik për të mbajtur të ndezur motorët europianë të prodhimit.
“Në bazë të perceptimeve tona, tregu nuk po tkurret pasi, edhe pse ulen shitjet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të tjera janë në rritje. Dhe kur themi të tjera, sigurisht që kemi parasysh Kinën. Sot, Japonia dhe SHBA janë ende tregjet e para për sa i përket prodhimit të luksit, por vendi i tyre është i destinuar të merret nga Kina brenda tre viteve të ardhshme, nëse ajo vazhdon të ecë me këtë ritëm rritje. Studiuesit europianë të tregut të produkteve të luksit vlerësojnë se, edhe në tregun perëndimor, kriza do të prekë vetëm në mënyrë sipërfaqësore konsumin e shtresës së lartë. Tkurrja e tyre, edhe për shkak të taksës mbi të ardhurat mesatare e të lart, e cila solli një rrezik të madh të recesionit, do t´u përkasë vetëm të mirave diskrete dhe jo atyre ekskluzive. Nëse do të ketë një krizë të luksit, atë nuk do ta sjellë një taksë pronësie”.
Këtë e konfirmojnë edhe analizat e bëra për pjesën e parë të këtij viti nga LVMH, brenda së cilës gjenden dhjetëra emra si “Mowt & Chandon”, “De Beers” e “Dior”. Të ardhurat e kësaj multinacionale u rritën në gjashtë muajt e parë të vitit me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-s. Edhe të dhënat e publikuara së fundi nga “Ferrari” lënë të kuptohet se super të pasurit nuk pushojnë së bleri. Në gjashtë muajt e parë 2011, “kali i shfrenuar” ka rritur shitjet në mënyrë marramendëse, me një rritje prej 116% në tregun aziatik, 50% në Mbretërinë e Bashkuar.
Me pak fjalë, krizë apo jo, prirja për shpenzime të çmendura nuk vdes kurrë, por as nuk ngadalësohet. “Nuk ka recesion që ta vrasë luksin”, shpjegon Mark Tungate, gazetar i “lifestyle” për CNN dhe autor i librit “Bota e luksit”.
Por edhe nëse nuk “vdes”, luksi ndryshon. “Pas dhjetë vitesh, tregu i madhështisë së shfrenuar do të jetë ndryshe nga ai që njohim”, thotë Tungate. Kjo ndodh në tri mënyra. Së pari do të sistemohet, si nga industria, edhe nga materiali dhe cilësia. Ka ikur periudha kur mjaftonte të vendosje një aksesor mbi një bluzë të thjeshtë pambuku. Së dyti, luksi në një botë gjithnjë e më shumë dixhitale do të jetë analogjik, me vlerësimin e letrës për librat, të artizanatit për objektet etj. Së treti: Kina do të fillojë të ketë markat e saj të luksit, që së shpejti do të jenë në gjendje të konkurrojnë me ato europiane, edhe më fisniket. Tashmë janë me qindra të rinjtë kinezë që studiojnë modë në Paris”. Kompanitë janë të njoftuara. Shumë shpejt nga Kina do të vijnë jo më vetëm kopje, por një konkurrencë e vërtetë e re.
Ndërsa prodhuesit europianë po shohin të tërheqin klientë super të pasur, me pajisje e shërbime luksi, shqiptarët duhet të synojnë të punojnë për sipërmarrjet “e pasura” e cilësore europiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.