Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim sot dështoi të shqyrtonte Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, ani pse seanca për këtë çështje pritet të mbahet të mërkurën.
Kështu, në mungesë të kuorumit, kryesuesi i këtij komisioni Albert Kinolli theksoi se prej 18 anëtarëve vetëm shtatë deputetë janë të pranishëm dhe nuk ka kuorum për shqyrtimin e rishikimit të buxhetit, që ishte pikë e vetme e rendit të ditës.
“Nuk është vetëm një buxhet, por janë interesat e qytetarëve që dalin prej këtu. Mund të jetë një i infektuar, por të gjithë janë prekur, duhet të me marrë pjesë, të punojnë, të mbajnë përgjegjësinë dhe jo vetëm të bojkotojnë. Derisa unë në karrocë vij dhe i përgjigjem të tjerët nuk kanë arsye”, deklaroi Rudi.
Edhe deputeti Elmi Reçica theksoi se për hir të gjendjes së vështirë nga pandemia, PDK mbështet rishikimin e buxhetit dhe për hir të qytetarëve deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm për punën e tyre.
“Kemi një situatë që për çdo ditë e më tepër jemi duke pasur të infektuar, të vdekur, një gjendje vërtet veç nuk e ka formën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa ne as kuorum s’mund të bëjmë. Në anën tjetër shihen këto amendamente ku mendohet se është krejt gjendje normale. Këtë buxhet me amendamente pa amendamente e kisha votuar vetëm për hir të qytetarëve, përndryshe kurrë buxhet më të panatyrshëm dhe më jo të qartë nuk kam parë… Kur nuk ka vendimmarrje nëpër Komisione, seanca vendosë secilin rast”, tha Reçica.
Të pranishëm nuk ishin kryetarja e Komisionit nga radhët e Listës serbe Miljana Nikoliq dhe deputetët e tjerë nga kjo parti.
Këtë projektligj janë të obliguara të shqyrtojnë edhe Komisioni për Legjislacion dhe ai për Integrime Evropiane.
Lexo edhe këtë: Hoti kërkon miratimin e rishikimit të buxhetit si dhe ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike
Mosrishikimi i buxhetit sipas Qeverisë, po mban peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të parashikuara në të njëjtën pako.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së kaluar, ka arsyetuar rishikimin e buxhetit ku ka theksuar se me këtë do të adresohen sfidat të cilat janë shkaktuar nga kriza e pandemisë COVID-19.
Bajrami ka thënë se shpenzimet buxhetore janë paraparë të jenë 2.6 miliardë euro që parashihet edhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.