Të paktën 70 vende në botë organizojnë fushata keqinformimi

30/09/2019 2:58 PM 0 komente

Kërkuesit e Internet Institute në Oxford publikuan një raport alarmues: propaganda që u besohet web robot dhe fake news përfshin gjithnjë e më shumë shtete dhe është bërë më e sofistikuar dhe e vështirë për t’u ndalur.

 

Universiteti i Oxford-it ka publikuar së fundi një raport mbi keqinformimin. Sipas raportit, fenomeni – thënia e vetëdijshme, në debatin publik, e gënjeshtrave dhe nocioneve të shtrembëruara për të arritur një objektiv politik apo social – po përkeqësohet krahasuar me të kaluarën.

Në raport lexohet se, në dy vitet e fundit, numri i shteteve që është përfshirë në fushata keqinformimi është më shumë se dyfishuar, duke arritur në total në 70 dhe, në të gjitha rastet, ka prova se manipulimi ka qenë vepër e të paktën një partie politike apo qeverisë kombëtare. Në Vietnam, për shembull, qeveria ka punësuar persona për të përhapur në rrjetet sociale mesazhe në favor të saj. Në anën tjetër, qeveria e Guatemalës ka hacker-uar dhe vjedhur accounte për t’u mbyllur gojën disidentëve. Edhe në Kinë, disa persona janë përpjekur të ndikojnë në opinionin publik për të përhapur fake news mbi protestat në Hong Kong.

 

Të dhëna shqetësuese

Fakti që këto fushata janë rritur nuk është arsyeja e vetme se pse duhet të jemi vigjilentë. Siç del nga raporti, edhe disidentët dhe gazetarët më kritikë janë bërë shënjestër e propagandës së automatizuar. Ndër të tjera, fushatat janë më të sofistikuara dhe të organizuara. Kushdo që merret me to, ka kuptuar se si funksionojnë algoritmet e platformave dhe po shfrytëzon këto njohuri për të përhapur qëllimin e veprimeve të tij. Rezultati është se meme-t, videot dhe gjithë instrumentet e tjerë të këtij manipulimi bëhen menjëherë virale.

Kjo është arsyeja kryesore se pse autorët e studimit të Oxford-it, si Samantha Bradshaw, besojnë se nuk mund ta luftojnë keqinformimin nëse më parë nuk rishikohet funksionimi i këtyre platformave – kjo është një përpjekje që shkon përtej masave të marra gjatë këtyre viteve, të cilat kanë qenë pjesërisht efektive. Mjafton të mendojmë që Facebook është përdorur si instrument i manipulimit në 56 nga 70 shtetet në të cilat janë organizuar fushata keqinformimi.

Veprimi me shpejtësi është i rëndësishëm për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme – duke filluar nga ato në SHBA, që do të zhvillohen në vitin 2020, të cilat shumë ekspertë i konsiderojnë veçanërisht në rrezik.

Burimi: Wired

 

Raporti i plotë: https://comprop.oii.ox.ac.uk/wp-content/uploads/sites/93/2019/09/CyberTroop-Report19.pdf

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of