Flet Gerion Treska, mentor dhe këshilltar në “Yunus Business Balkan”
Duhet një vullnet dhe mendësi e përbashkët që Shqipëria të orientohet drejt inovacionit.
Sipas Gerion Treskës, mentor në fushën e startup për të rinj, inovacioni ka nevojë të theksohet nëpërmjet vullnetit politik dhe së paku, të mos pengohen aktorët që dëshirojnë të çojnë Shqipërinë në atë drejtim.
Në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend sipas të ardhurave, nga një kërkim që ka bërë “Monitor”, rezulton se nuk ka sipërmarrës të rinj aksionerë. Mbizotërojnë aksionerët e ditëlindjes së para viteve 1970. Sipas jush, pse mungojnë sipërmarrësit e rinj në bizneset më të mëdha në vend?
Së pari, mendoj se ende nuk jemi në momentin e ndërrimit të plotë të gjeneratave të sipërmarrësve. Kemi sipërmarrës më të vjetër në moshë, të cilët po u lënë drejtimin më të rinjve, me ide të reja dhe me shpresën e rritjes edhe më shumë të biznesit.
Të rinjtë sipërmarrës janë në fazat e ndërtimeve të startup-eve, bizneseve të reja dhe kjo i çon në sfidën e qëndrueshmërisë, e cila rrëzon shumë ide, sipërmarrje dhe individë.
Mendoj se tregu, tashmë përmes bizneseve aktuale, ka krijuar stabilitet dhe ndryshimin apo të renë e percepton me skepticizëm, ndaj edhe u besojnë bizneseve më të vjetra dhe të drejtuara nga sipërmarrës më të vjetër.
Çfarë duhet bërë për të nxitur rritjen e sipërmarrësve të rinj?
Është e nevojshme të promovojmë dhe edukojmë me modele të shëndetshme, me integritet dhe kreativitet. Sot duket se çdokush ka një startup, deri diku si një gjë në modë.
Dhe është shumë e thjeshtë të kesh një ide, pak kërkim dhe të thuash kam një startup. Ndërkohë që sipërmarrja, së pari, kërkon risk dhe të menduarit krijues, duke vëzhguar se çfarë njerëzit bëjnë dhe jo çfarë thonë.
Modelet e shëndetshme janë frymëzuese, nuk janë receta të arta, por ndihmojnë të rinjtë të mendojnë se si të bëjnë më mirë me jetën dhe veten. Sot kemi një situatë ku modelet e mira, janë nën hije dhe sikurse thamë, promovohen biznese “dembele”. Për rrjedhojë çfarë do të frymëzojmë, është i njëjti model.
Pse ekonomia shqiptare nuk është e orientuar drejt inovacionit, që do të mundësonte zhvillimin e bizneseve të mëdha nga të rinjtë dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar këtë?
Ekonomia jonë ka pole të drejtuara tek inovacioni, por kryesisht duke e reklamuar këtë si diçka me vlerë të lartë ekonomike, pra lulëzon për shkak se gjejmë “krah të lirë pune”.
Duhet një vullnet dhe mendësi e përbashkët që Shqipëria të orientohet drejt inovacionit. Së bashku me këtë kërkon një vullnet politik, i cili jo të trumbetojë inovacionin, por së paku të mos pengojë aktorët që dëshirojnë të çojnë Shqipërinë në atë drejtim.
Në afatin e gjatë, çfarë problemesh pritet t’i sjellë ekonomisë shqiptare mungesa e sipërmarrësve të rinj dhe bizneseve inovative?
Po i bie shkurt, do të jetë si një pellg me ujë të ndenjur, të rinjtë krijues do të ikin, do të dekurajohet proaktiviteti dhe për konsumatorët nuk do të jetë zgjidhja më e mirë, por do të marrin vetëm atë që u ofrohet.
Ne tashmë po zhvillojmë sipërmarrje inovative, por jashtë territoreve shqiptare më së shumti, dhe kjo është një shenjë e parë jo e mirë. Nga ana tjetër nuk mundet që të reklamojmë vendin tonë kryesisht për pagat e ulëta, kjo strategji nuk na çon larg, megjithëse ka përfitime ekonomike në afatshkurtër.
Intervistoi: Deada Hyka
Lexoni edhe:
Brezi i “humbur”; Pse mungojnë sipërmarrësit e rinj te VIP-at në Shqipëri?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.