Flet Stela Ceca, mjeke okuliste
Është parë një rritje e numrit të fëmijëve, madje edhe nën 3 vjeç, të cilët kanë probleme me shikimin. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk mendoj se është rritur numri i fëmijëve me probleme me shikimin, por është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për të bërë kontrollin e fëmijëve tek okulisti. Duke e kontrolluar më herët, edhe problemet kanë mundësi të konstatohen më herët dhe të trajtohen në kohë. Prandaj sot shohim më shumë fëmijë me syze.
Në gjykimin tuaj prej disa vitesh si okuliste në Shqipëri, a është rritur numri i tyre krahasuar me breza të mëparshëm?
Në Shqipëri përballem shpesh me të rinj që e kanë kuptuar që nuk shohin mirë me njërin sy, vetëm kur shkojnë të bëjnë provën e patentës. Kjo është shqetësuese, pasi nëse problemi kapet në moshë të madhe, nuk kemi mundësi të bëjmë dot më asgjë për të rikuperuar shikimin e humbur në atë sy dhe ai mbetet një sy dembel.
Po ashtu, ka shumë të rinj që e kanë kapur problemin në kohë por për shkak të paragjykimeve sociale, nuk i kanë mbajtur syzet kur kanë qenë të vegjël dhe kur janë më të përgjegjshëm, kërkojnë nga mjeku që të bëjë diçka për të rikuperuar shikimin. Këto janë raste të shpeshta në Shqipëri dhe mjeku shpeshherë, nuk mund të bëjë asgjë. Truri i njeriut është plastik deri në moshën 6 vjeç dhe nëse nga njëri sy apo të dy, nuk arrin një imazh të qartë në tru, brenda kësaj moshe, shikimi mbetet i pazhvilluar. Prandaj është shumë e rëndësishme që defektet e refraksionit të kapen sa më herët. Ndaj nuk mund të them se është rritur numri i fëmijëve me defekte të refraksionit krahasuar me brezat e mëparshëm, por ka një rritje të rasteve të kapura më herët dhe për fat të mirë, edhe të trajtuara në kohë.
Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në dobësimin e shikimit te fëmijët? Çfarë roli luan qasja më e afërt me celularin dhe teknologjinë në përgjithësi?
Dobësimi i shikimit te fëmijët vjen nga defektet e refraksionit të pakorrigjuara në kohë. Këto defekte janë të lindura dhe nuk është shkaktar kryesor televizori apo celulari. Gjenetika luan rolin kryesor prandaj prindërit që mbajnë vetë syze apo familjarët që kanë syze, duhet patjetër ti vizitojnë fëmijët e tyre brenda moshës 3 vjeç, ose më herët, nëse konstatojnë probleme.
Por, në këto raste, përdorimi i celularit apo iPad shpesh ndihmon që prindërit të kapin një problem te fëmija e tyre më herët. Të gjithë fëmijët kanë dëshirë të shohin përralla apo të luajnë në celularë. Mosshfaqja e interesit ndaj tyre mund të lidhet me faktin që fëmija nuk sheh mirë. Po ashtu fërkimi, pulitja dhe lotimi i syve apo devijimi i syve kur përdor pajisjet teknologjike, do të thotë që fëmija mund të ketë një hipermetropi më të lartë se sa ajo që ne quajmë fiziologjike dhe është e nevojshme korrigjimi me syze për një zhvillim më të mirë të shikimit.
Çfarë këshille do t’u jepnit prindërve lidhur me aksesin e fëmijëve në teknologji?
Qëndrimi jashtë në natyrë, në dritën e diellit për të paktën 12 orë në javë e ul rrezikun e shfaqjes së miopisë ose ndihmon në mospërkeqësimin e saj. Sot fëmijët rrinë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe kjo në vetvete, ndikon në shfaqjen më të hershme apo përkeqësimin e miopisë. Vërtet që përdorimi i teknologjisë te fëmijët nuk është shkaktar për defektet e refraksionit, por qëndrimi për një kohë të gjatë përpara tyre, mund të shkaktojnë probleme me tharjen e syve që reflektohet me pulitje të shpeshta të syze apo fërkim të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.