Turistët nga Kosova braktisin masivisht Shqipërinë, si një sinjal se vendi nuk po zhvillon turizëm të qëndrueshëm. I “zëvendësojnë” polakët, italianët, maqedonasit, gjermanët, por a rrezikojnë të zhgënjehen dhe ata?!
Ky vit ka qenë mjaft i zënë për turizmin, teksa Shqipëria ka pushtuar faqet e shumë mediave të huaja që reklamonin bukuritë e saj dhe shumë turistë erdhën për të parë vendin e shqiponjave.
INSTAT ka publikuar të dhënat e hyrje-daljeve për 9-mujorin, sipas të cilave rezulton se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë për periudhën janar-shtator ishte rreth 4.2 milionë persona, me një rritje prej 5.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e ulët ka ardhur si rrjedhojë e braktisjes masive të Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, që tradicionalisht kanë qenë pushuesit kryesorë të vendit. Rezulton se numri i tyre për 9- mujorin ka rënë me 22%, ose 426 mijë pushues më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Abuzimi me çmimet, ndalimi i autobusëve nga Kosova që të kalojnë në rrugën e plazhit në Durrës dhe pakënaqësitë e tjera të shfaqura në vite për cilësinë e shërbimit, duket se kanë kulmuar këtë vit, me këtë largim masiv të tyre nga Shqipëria.
Pavarësisht rënies, turistët nga Kosova vijojnë të zënë peshën kryesore, me 35% të hyrjeve për 9-mujorin, dukshëm më ulët se pesha prej 48% që ata zinin në 2016-n. Në total, 1.5 milionë shtetas nga Kosova hynë në Shqipëri për periudhën janar-shtator.
Largimi i tyre është amortizuar nga rritja e pushuesve nga shtetet e tjera, ku vendin e dytë pas Kosovës për numër hyrjesh në kufi e zë Maqedonia me 510 mijë pushues, dhe rritje prej 12%. Ata zunë 12% të totalit të hyrjeve të të huajve.
Më pas renditen shtetasit nga Greqia, me 351 mijë shtetas që kanë hyrë, me rritje 15%, duke përbërë 8% të totalit.
I dukshëm ka qenë numri i italianëve që kanë vizituar Shqipërinë, të nxitur nga mediat e vendit fqinjë, që nuk ngurruan të krahasojnë Shqipërinë me Karaibet. Për 9-mujorin hynë 294 mijë shtetas italianë, me një rritje prej 47% me bazë vjetore. Në vlerë absolute, shtetasin italianë kanë shënuar dhe rritjen më të madhe për 9-mujorin, me 94 mijë. Pesha e tyre ndaj totalit u rrit nga 5% për 9-mujorin 2016 në 7% për janar-shtator të këtij viti.
Shtetasit nga Mali i Zi dhe Anglia u rritën përkatësisht me 16% dhe 36%.
E dukshme ka qenë rritja e polakëve, që ishin dhe risia e madhe e këtij viti. 104 mijëturistë nga Polonia erdhën për 9-mujorin, me një zgjerim prej 66% me bazë vjetore. Ata u sollën nga agjencia më e madhe në Poloni, Itaka, teksa nënshkruan marrëveshje me mbi 12 hotele shqiptare për të ofruar për herë të parë shërbime të gjitha të përfshira (all inclusive).Rezervimet e agjencisë polake janë të larta të paktën edhe për vitin e ardhshëm, çka i ka nxitur bizneset të investojnë në rritjen e kapaciteteve hoteliere. Pavarësisht rritjes së fortë, pesha e turistëve polakë ndaj totalit të hyrjeve të të huajve mbetet e ulët, në vetëm 2%.
Rritje të ndjeshme shënuan dhe gjermanët, numri i të cilëve arriti në 101 mijë, me një zgjerim prej 50.5%.
Për 9-mujorin, rreth 50% e shtetasve kanë hyrë për qëllime pushimi, në rritje me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kjo peshë ishte 44%.
Në rritje kanë qenë dhe udhëtimet për qëllime biznesi, me 20%, teksa rreth 52 mijë shtetas të huaj kanë ardhur për të bërë biznes në Shqipëri.
Ikja e turistëve nga Kosova
Baza e kërkesës turistike në Shqipëri është tronditur teksa të dhënat e 9-mujorit treguan për rënie me 22% të turistëve nga Kosova, një sinjal alarmant për trendin në vijim të turizmit.
“Ne kemi raportuar së fundmi për një fluks në rënie të turistëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe orientimin e tyre në vendet tjera kryesisht, Turqi, Mal të Zi, Kroaci dhe Greqi”, raportoi për ‘Monitor’, Zekirja Shabani, gazetar i ekonomisë ne gazetën Fjala.
Pas informacioneve të marra nga agjencitë turistike të Kosovës, Shabani tha se, Shqipëria mbetet si destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, megjithatë ofertat në rritje me çmime më të leverdishme nga vendet tjera po i tërheqin një pjesë të mirë të shqiptarëve të Kosovës, duke i larguar ata nga turizmi tradicional në Shqipëri.
Për pushimet verore vërehet se ka rritje të kërkesës nga ana e shtetasve të Kosovës për shërbime më cilësore, ndërsa oferta ka mbetur e pandryshuar për shumë vite në bregdetin shqiptar.
Por agjencitë e Kosovës zbardhin një trend të ri. Shqiptarët përtej kufirit po braktisin Shqipërinë edhe për turizmin e fundjavave.
Ndryshe nga cfarë ka qenë deri në fillim të vitit, Shqipëria po zëvendësohet edhe për vizitat gjatë fundjavës me Maqedoninë.
Agjencitë e Kosovës pohojnë si arsye në një shkallë të madhe, në braktisjen e Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, çmimet ulëta që kanë ofruar vendet e tjera.
Por gjithashtu ata kanë shumë rezerva edhe për cilësinë e shërbimit në Shqipëri.
Agjencitë e kanë pohuar se po i vjen fundi turizmit patriotik që në masë të madhe ka qenë deri më tani.
Sipas tyre, Shqipëria duhet t’i trajtojë shtetasit e Kosovës njësoj, për të mos thënë edhe më mirë se turistët polakë, çekë, apo rusë, të cilët së fundmi po shihen si zëvendësim, duke u ofruar shërbim më cilësor dhe atraksione më të mëdha.
Agjencitë pohojnë se për një pjesë të madhe të turistëve nga Kosova, oferta turistike është maturuar. Familje dhe individë që për 10 vite rresht kanë pushuar në Shqipëri, kanë nisur të zgjedhin destinacione të reja dhe më ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.