Nga Elona Bedalli
Organizatat ndërkombëtare parashikojnë se Mali i Zi do të jetë një nga vendet me rritjen më të shpejtë të industrisë së turizmit në rajonin e Ballkanit, gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Një parashikim që duket se po mbështetet edhe nga fushata e “egër” e marketingut. Sikundër edhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi nxitoi të promovojë destinacionet turistike edhe në Shqipëri. Ndonëse shqiptarët nuk renditen ndër turistët më besnikë, ata vlerësohen si shpenzues të mirë. Ekspertët malazezë të turizmit thonë se është koha kur rajoni, përfshi edhe Shqipërinë, duhet të përfitojë nga thithja e turistëve, për shkak të situatave të vështira politike-ekonomike, në destinacione si Greqia, Egjipti apo Tunizia.
Ata thonë se rajoni bëhet gjithnjë e më shumë tërheqës për turistët europianë, falë tureve të përbashkëta që po organizohen, paketave ekonomike, por edhe kulturës, historisë dhe bregdetit ende të paeksploruar tërësisht.
Në dallim nga Shqipëria, Mali i Zi operon në tregun rajonal të turizmit me një pikë të fortë, siç është numri i lartë i njësive akomoduese dhe certifikimi i tyre sipas standardeve europiane. Mali i Zi ka mbi 300 hotele me rreth 40,000 shtretër të klasifikuar sipas standardeve. Vitin e kaluar, pavarësisht ndikimeve negative të krizës ekonomike, u hapën 32 hotele me rreth 1,300 shtretër, kryesisht në Budva dhe Ulqin.
Një avantazh që po arrihet të shfrytëzohet mirë nga malazezët. Edhe gjatë këtij sezoni, Agjencia Kombëtare e Turizmit nuk mungoi të paraqitej në tregun shqiptar me oferta ekonomike që i përkasin fushatës që njihet me emrin “Deti thërret në Malin e Zi”. Për pushuesit ofrohet qëndrim shtatëditor me çmime akomodimi (hotele ose shtëpi private) që variojnë nga 42 deri në 280 euro, në varësi të zgjidhjes që bëhet.
Ofrimi i çmimeve ekonomike është një strategji që Mali i Zi e ndjek jo vetëm në ofertat turistike, por edhe me fluturimet, si në Serbi, Maqedoni etj.
E duket se fushata ka dhënë efektet pozitive, duke qenë se gjatë vitit të kaluar vendi me rreth 270 kilometra brigje të Adriatikut llogariti rreth 3% më shumë net-qëndrime, 1.2 milionë vizitorë e 650 milionë euro të ardhura ose rreth 6% më shumë se në vitin 2009.
Efekti i një fushate agresive
Mali i Zi synon të tërheqë sa më shumë pushues nga vendet fqinje, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Hungaria, Serbia, Kroacia apo edhe Bosnjë-Hercegovina me sloganin “Deti ju fton”.
Kjo fushatë llogarit një buxhet prej rreth 800,000 eurosh.
E ardhur në Tiranë për të promovuar ofertat më të reja turistike, Liliana Cukic, menaxhere e departamentit të promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi, thotë për “Monitor”, se kjo është një fushatë e nisur gjatë vitit të kaluar e që për hir të efekteve pozitive, është vazhduar. “Synimi ynë është të tërheqim një gamë të gjerë turistësh, qoftë ata me të ardhura të larta ose jo. Kjo është edhe arsyeja që përse ne kemi zgjedhur paketa akomodimi si në hotele ashtu edhe në akomodime private. çmimet ndryshojnë në varësi të sezonit (42-280 euro) për shatë ditë qëndrimi. Pra, në varësi të cilësisë, turistët marrin edhe ofertën”, thotë znj. Cukic. Në këtë fushatë janë përfshirë rreth 50 hotele të vegjël, disa mijëra shtretër të akomodimeve me tre yje, 70 restorante, por edhe shërbime të tjera.
Ajo thotë se strategjia e turizmit zhvillohet sipas tri tregjeve kryesore, atij rajonal, të vendeve të BE-së dhe Rusisë. “Një e treta e turistëve vjen nga vendet e Europës dhe pjesa tjetër nga Rusia dhe rajoni i Ballkanit. Shqipëria është një treg që paraqet potencial dhe interes. Sipas të dhënave të vitit 2010, rreth 25,000 pushues shqiptarë zgjodhën Malin e Zi për pushimet e tyre. Për ne kjo është një shifër domethënëse dhe tregon se ky është një treg i rëndësishëm, duke qenë edhe vend fqinj. Turizmi mes dy vendeve është favorizuar gjatë sezonit të kaluar, por edhe tani nga përmirësimet në infrastrukturë”, thotë menaxherja e promocionit në agjencisë, Liliana Cukic.
Sipas saj, marketingu i turizmit bazohet kryesisht në pikat e forta që ka kjo industri, jo vetëm te vija bregdetare, por edhe atë çfarë përfaqëson kultura dhe historia, që kanë si bazë gërshetimin e disa kulturave. Sipas saj i është kushtuar rëndësi promovimit të turizmit në media të ndryshme prestigjioze, por edhe në rrjetet e njohura botërore. Rritja e turizmit, thotë znj. Cukic, ka ardhur edhe si pasojë e investimeve të rëndësishme që janë kryer në kapacitetet akomoduese. “Vitin e kaluar, në rreth 19 plazhe të Malit të zi është valëvitur flamuri i kaltër, certifikatë ndërkombëtare që bazohet në përmbushjen e 27 kritereve në kategori si cilësia e ujit, arsimi, informimi dhe menaxhimi ekologjik, siguria dhe cilësia në plazhe”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.