Franca ka pasur një marrëdhënie të veçantë me duhanin që herët. Madje dhe nikotina ka marrë emrin e një francezi Jean Nicot, europianit të parë që kultivoi bimën që u importua nga New World në shekullin e XVI-të. Që atëherë, francezët ranë në dashuri me duhanin. Që nga ekzistencialistët që dukeshin filozofik me kafe dhe duhanin nëpër kafené e deri tek imazhi romantik i yjeve të kinemasë të tillë si Yves Montand me një cigare që tundej në buzët e tij për të joshur Marilyn Monroe në Lets Make Love (le të bëjmë dashuri), duhani dhe Franca dukeshin të pandarë. Ndërsa tani edhe francezët kanë filluar ta marrin seriozisht dhënien fund të këtij zakoni. Që nga viti 2003, qeveria ka rritur retorikën e saj kundër duhanit, duke rritur taksat mbi cigaret me 40% dhe ka derdhur qindra milion euro në programe që synojnë zhdukjen e kërcënimit të madh të parandalueshëm për shëndetin në Francë. “Lufta kundër duhanit është urgjente, një prioritet absolut”, ka thënë Presidenti Jacques Chirac në një fjalim të tij gjatë fillimit të një nisme të re antikancer. Fushata ka filluar të japë rezultatet e saj. Niveli i përgjithshëm i konsumimit të duhanit në Franë ka rënë në 31% te popullsia e rritur vitin e shkuar, një rënie nga niveli më i lartë i shënuar në vitin 1980 prej 52%. Fakt interesant është se ulja më e madhe e konsumit të duhanit është shënuar tek të rinjtë. Numri i studentëve në shkollat e larta franceze që konsumojnë duhanin është përgjysmuar që nga viti 2001. Edhe rritjet e taksave të qeverisë kanë ndihmuar në uljen e shitjeve të cigareve te duhanpirësit e mbetur me gati një të tretën vetëm vitin e shkuar.Shumica e francezëve që nuk janë konsumues të duhanit, po bëhen gjithnjë e më të pandrojtur për të kërkuar të drejtat e tyre. Sondazhet tregojnë se 72% e popullsisë mbështet një ndalim të plotë të duhanit në vendet publike. “Ne duhet të flasim për duhanpirës që jetojnë në një shoqëri jo duhanpirëse, por jo të kundërtën”, shprehet një përfaqësues i një organizatës franceze kundër duhanit “Nonsmokers Rights” (të drejtat e joduhanpirësve). Për këtë qëllim kjo organizatë në vitin 2005 ka shpërndarë 250,000 kopje të një udhërrëfyesi për baret dhe restorantet ku nuk pihet duhan. Ndërsa organizata të tjera po përdorin media për të përhapur lajmin. Kështu një koalicion i grupeve antiduhan ka bërë spote televizive, ndër to edhe ai me titull: “Unë po heq dorë. Po ti?” me pop starin francez Ophelie Winter me një qytetar të thjeshtë në përpjekjen e tyre të përbashkët për të lënë duhanin. Çështja e diskutueshme është nëse duhani do të jetë një çështje në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2007. Shumë francezë dyshojnë se vendi është gati të vendosë një ndalim të plotë të konsumimit të duhanit në vendet publike, me efekte si në Spanjë dhe Irlandë, megjithëse disa mendojnë se kjo është vetëm çështje kohe. Politikanët i tremben kësaj çështjeje, pavarësisht mbështetjes tepër të madhe për kufizimet e pirjes së duhanit. Kjo edhe për faktin se pronarët e 36,000 dyqaneve të duhanit kanë kërcënuar se do të dalin nëpër rrugë nëse diskutohet një ndalim i tillë. Protestat e kësaj natyre, edhe nga grupe të vogla, kanë një ndikim tepër të madh në median dhe politikën franceze.Duket se marrëdhënies së gjatë të dashurisë midis Francës dhe duhanit po i vjen fundi. Imazhi i francezit me bukën karakteristike të tij, verë të kuqe dhe cigare duket se do të ndryshojë paksa. Së shpejti cigarja do të hiqet nga tabloja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shum keq me pi duhan per bes