Pas rënies për dy vjet rresht, shkëmbimet tregtare me Maqedoninë gjatë vitit të kaluar filluan të rriten sërish. Vëllimi i tregtisë u rrit 30%, duke arritur në 13.2 miliardë lekë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Por rritja nxori në pah dobësinë e eksporteve tona përkundrejt importeve që marrim nga tregu me pothuajse të njëjtat përmasa. Vlera e eksporteve shqiptare u rrit gati 60% për një vit, të cilat nuk mbulojnë as gjysmën e importit nga Maqedonia.
Importet nga tregu fqinj ishin pak më shumë se 9 miliardë lekë, ose 20% më tepër se një vit më parë. Me këto ritme rritje, deficiti ishte pothuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë.
Forcimi i marrëdhënieve tregtare me vendin fqinj erdhi me rritjen e tregtisë së metaleve. Krahas Kosovës e Serbisë, Maqedonia ishte një prej destinacioneve kryesore të eksportit të produkteve të “Kurum”.
Rritja e tregtisë erdhi me rigjallërimin e çmimit të metaleve. Sipas të dhënave të tregtisë, eksportet e tyre për vitin që shkoi pothuajse u dyfishuan duke zënë rreth 17% të eksporteve në Maqedoni.
Edhe prodhimet bujqësore e ushqimore pësuan një rritje të lehtë në peshë (2 pikë përqindje), ndërsa vlera e tyre u rrit 24% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të tregtisë, produktet minerale kanë rënë ndjeshëm në peshë,
ndonëse përbën grupin kryesor të mallrave të eksportuar në fqinjin lindor. Por 4.15 miliardë lekë nuk janë produkte tërësisht shqiptare të eksportuara.
Një e katërta e produkteve të dërguara në Maqedoni mund të quhen shumë mirë rieksporte. Ato janë makineri e pajisje që tregtarët shqiptarë i importojnë nga Europa Perëndimore.
Shumë më pak është luhatur struktura e importeve nëse shikojmë gamën e produkteve që mbërrijnë nga Maqedonia. Sipas të dhënave të tregtisë, importet e metaleve, të cilat janë kryesisht lëndë e parë,
pësuan ulje të lehtë të peshës (2 pikë përqindje). Edhe produktet ushqimore e bujqësore nuk e kanë më peshën e importeve të shënuara deri para vitit 2008. Importet e tyre në vlerë zunë 17% të totalit të importit nga Maqedonia, nga 26% në vitin 2007.
Sipas ekspertëve të tregtisë, rënia e peshës së këtyre importeve është ndikuar nga forcimi i rrjeteve të tjera të furnizimit si nga Sllovenia edhe Serbia, por edhe nga një interesim më i lartë për të respektuar marrëveshjet e tregtisë së lirë.
Pas këtyre marrëveshjeve tregtia mes dy vendeve pësoi rritje të theksuar (duke filluar që nga 2006-a) dhe siç shihet edhe nga grafiku, liberalizimi i tregtisë arriti të shfrytëzohej më shumë nga tregtarët kosovarë.
Importet nga Maqedonia kanë qenë mbi dy herë më të larta se eksportet gjatë gjithë këtyre viteve.
Zhvillimi i tregtisë me vendin fqinj vlerësohet të ketë ndjekur të njëjtat ritme me tregtinë e Shqipërisë me jashtë në tërësi.
Pesha e Maqedonisë në importe e në eksporte ka qenë pothuajse e pandryshuar gjatë viteve të fundit, duke zënë përkatësisht 2% të importeve e po kaq në eksporte.
Rritja e shkëmbimeve tregtare pritet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, ndonëse jo me të njëjtat ritme të vitit të kaluar.
Eksportuesit e mineraleve e metaleve tregojnë se po përballen me rënie të çmimit, çka ka ulur interesin për të eksportuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.