Tregu i sigurimeve në Kosovë ka probleme me zbatimin e ligjeve

22/02/2020 2:24 PM 0 komente

Flet për Monitor presidenti i grupit “Eurosig”, Kadri Morina: Jemi në vendet e para të tregut kosovar të sigurimeve

 

“Eurosig” në vitin 2014 është shtrirë edhe në Kosovë, duke e blerë kompaninë e sigurimeve “Dardania” dhe privatizimi në 2016 i INSIG (VKM e datës 23 mars 2016) ka sjellë zgjerimin e veprimtarisë së “Eurosig” në fushën e sigurimeve dhe në Kosovë e Maqedoni.

Në vitin 2016 u bë edhe privatizimi i plotë i INSIG sh.a nga kompania “Eurosig sh.a”, çka bëri që nën kompaninë privatizuese të kalonin edhe degët në Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë mënyrë, grupi “Eurosig” zotëronte deri vitin e kaluar dy kompani sigurimi në Kosovë, duke u renditur në vendet e para të tregut.

Në intervistën për “Monitor”, presidenti i grupit, Kadri Morina, shprehet se tregu është i pastabilizuar, por “Eurosig” e gjeti shpejt veten duke u bërë një nga liderët e tregut. Problemet me zbatimin e ligjeve janë të ngjashme me ato të Shqipërisë dhe ndërhyrja e Bankës Qendrore e ka çuar tregun drejt stabilizimit.

Sa vite keni ju si “Eurosig” në tregun e Kosovës?

Në Kosovë, grupi “Eurosig” thuajse ka mbi 7 vite. Kemi hyrë në tregun e Kosovës me blerjen e grupit “Dardania”, një kompani e cila nuk ishte në parametrat e duhur. Iu desh shumë kohë që ta rimerrte veten dhe shumë shpejt brenda 2-3 viteve, “Eurosig” arriti që të kthehej në një faktor me peshë në këtë treg. Paçka se tregu i Kosovës është një treg i pastabilizuar, ai është në zhvillim. Them është i pastabilizuar sepse ende nuk është bërë e mundur ana e zbatueshmërisë ligjore që t’u përgjigjet kohëve ku jetojmë dhe problematika më e madhe është pjesa e prezencës së të pasiguruarve, gjë që në Shqipëri është minimizuar.

Këtu flasim gjithmonë për pjesën e sigurimit motorik, pra pjesa e të pasiguruarve?

Po bëhet fjalë për sigurimin e detyrueshëm motorik. Në tërësi si treg është një treg në zhvillim dhe më i ndërgjegjësuar se në Shqipëri për vetë kohën që ata kanë dalë nga një sistem që ishte ai i Titos dhe sigurimet i kanë pasur si pjesë të tyre. Pra janë më të ndërgjegjshëm për pjesën e sigurimit, sesa këtu në Shqipëri, qoftë atë vullnetar, qoftë atë motorik.

Por ky i fundit ende nuk është stabilizuar për policëmbajtësit që marrin sigurimin. Në përgjithësi, tregu është i azhornuar më mirë kundrejt sigurimit vullnetar në Shqipëri. Pra, nëse në Shqipëri është 30 për qind, në Kosovë është 40 për qind, paçka se këtu te ne ndikon edhe sigurimi shëndetësor, gjë të cilën shteti i Kosovës ende s’e ka futur siç e kemi ne, që e ka buxheti i shtetit.

Po sa i takon kornizës ligjore, si është ajo? Sa e rregulluar apo e plotësuar?

Në kornizën ligjore të Kosovës nuk mund të themi se mungojnë më shumë ligjet, sesa mungon kërkesa për ta zbatuar ligjin siç është në Shqipëri. Pra mbikëqyrja. Duhet ta pranojmë që është një shtet i ri. Ka vetëm 15 vjet si shtet. Vetëm në vitin 2005 ka nisur tamam tregu, se nga viti 2001 deri në 2005 ka pasur vetëm një kompani të autorizuar nga UMNIK-u. Është liberalizuar rreth vitit 2004-2005 dhe ka mbetur shumë mbrapa me proceset ligjore të detajuara, por edhe me zbatueshmërinë.

Si ka qenë ecuria e kompanisë “Eurosig” në tregun kosovar sa u takon parametrave financiarë, pjesëve të tregut?

“Eurosigu” për performancën e tregut radhitet te kompanitë e para. Gëzon besueshmërinë e institucioneve të huaja. Performanca e saj financiare nuk ka qenë aty ku duhet, pasi ende vazhdon të vuajë pasojat e tregut, gjë e cila me disa masa që ka marrë Banka Qendrore e Kosovës, do të garantojë ndoshta një ecuri më të mirë në 2020-n. Në Kosovë janë 12 kompani dhe ne kemi 10-12 për qind të tregut.

A e vuan sot Kosova atë që dikur vuante Shqipëria në këtë treg që është situata me primet, luhatjet e shpeshta në disa raste për të fituar pjesë tregu por duke mos ruajtur parametra të shëndoshë financiarë?

Edhe Kosova e vuan shumë këtë pjesë me luhatjen e çmimit, pasi është treg i pastabilizuar. Këto pasoja kanë qenë evidente deri para 6 muajsh dhe tashmë së fundmi me ndërhyrjen e BQK duhet të marrë rrugë. Por vuan shumë. Mendojmë që me një kërkesë të fortë që ka bërë banka ndaj kompanive të sigurimit, tregu ka nisur të ndjejë erën e stabilizimit.

 

Lista e siguruesve në Kosovë

Kjo është lista siguruesve të licencuar nga BQK-ja për të ushtruar veprimtari të sigurimeve në Republikën e Kosovës(https://bqk-kos.org/?id=246 ).

  1. Kompania e sigurimeve “Elsig” SH.A.

  2. Kompania e sigurimeve “Dukagjini” SH.A.

  3. Kompania e sigurimeve “Prisig” SH.A.

  4. Kompania e sigurimeve “Scardian” SH.A.

  5. “Sigal Uniqa Group Austria” SH.A.

  6. “Sigal Life Uniqa Group Austria” SH.A.

  7. Kompania e sigurimeve “Eurosig” SH.A.

  8. “Kompania e sigurimeve të Përgjithshme “Siguria” SH.A.”

  9. “Grawe Kosova” J.S.C.

  10. “Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group”

  11. Kompania e sigurimeve “Sigkos” SH.A.

  12. Kompania e sigurimeve “Illyria” SH.A.

  13. Kompania për sigurimin e Jetës “Illyria” SH.A.

  14. Instituti i sigurimeve SH.A. “Insig” Dega në Kosovë

  15. Shoqëria Aksionare e Sigurimeve “Kosova e Re”

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of