Flet Valer Pinderi, Dyqan Taxi
Si ka qenë ecuria në sektorin e shitjeve online në vitet e fundit?
Shitjet online është një segment i tregut të retail-it që po rritet me ritme shumë të shpejta në Shqipëri. Ajo që kemi vënë re gjatë 2017-s, ndryshe nga vitet e tjera në tërësi, tregu i shitjeve online në faqet shqiptare duhet të jetë 4 fishuar.
Për përqindjen e rritjes së tregut nuk ka shifra zyrtare por ne e shikojmë nga qarkullimi i mallit që ju bëhet furnitorëve të shumicës dhe numrit të konkurrentëve tanë. Për shkak të konkurrencës nuk kemi rritjen e parashikuar por, sërish rritja e tregut dhe konkurrencës mua më kënaq dhe më bën entuziast, sepse tashmë më shumë njerëz po blejnë online nga faqe shqiptare. Gjatë 2017-s duket se shitësit me pakicë, të vetmen alternativë për të rritur shitjet panë atë online.
Cilat janë disa nga problemet e tregut të shitjeve online?
Shitjet online janë komplekse dhe të vështira. Kjo bën që kompanitë shpesh të mos e kuptojnë dhe të mendojnë se nuk funksionon.
Hyrja në këtë treg dhe hapja e një faqeje është gjëja më e lehtë. Mund të fillosh të shesësh online me shumë pak investim dhe nuk kërkon njohuri të mëdha në fazën e parë.
Online nuk të bie rruga rastësisht, siç ndodh nëpër dyqanet fizike, njerëzit duhet të kenë një arsye dhe të të njohin që ti e ke produktin për të mbërritur tek ty. Ndryshe nga rastet fizike, ne duhet të analizojmë njerëzit nga mënyra e navigimit dhe nuk mund të mjaftohemi me një pyetje apo duke parë shitjet siç ndodh tek tregtia tradicionale me pakicë. Për këtë duhen ekspertë të fushës, të cilët analizojnë klikimet dhe marketingun online. Hapi tjetër është mirëmbajtja e platformave online me staf të dedikuar. Për ta kuptuar vështirësinë duhet të mendoni që në Shqipëri nuk ka punonjës me përvojë në këtë fushë, kështu ne duhet t’i mësojmë vetë të gjitha. Kjo është edhe arsyeja se pse Shqipëria është mbrapa në këtë sektor pasi ka pak kompani të gatshme ta bëjnë këtë sakrificë dhe punë të madhe.
Duke qenë se me hapjen e tregjeve (duke mos u kufizuar vetëm brenda vendit) konsumatorët kanë më shumë mundësi zgjedhje, si e shikoni raportin me konkurrencën?
Është e vërtetë ky është një kërcënim i madh për portalet tona. Sot konsumatori ka mundësinë të zgjedhë online në miliona faqe të tjera dhe në gjigantë si Amazon që ka të punësuar mbi 500.000 punonjës. Ne kemi përparësi transportin e thjeshtë brenda 24 orëve, apo pagesat cash dhe kujdesi i klientit me telefon për të gjitha pyetjet që mund të kenë në shqip. Ne jemi të fokusuar tek mundësia e kthimit që u japim klientëve tanë. Të kthesh një produkt tek ne është shumë më lehtë se ta çosh në Kinë tek Aliexpress apo portale të tjera si ky. Personalisht blej vetë te konkurrentët e mi ndërkombëtarë online, sepse ka disa produkte që në Shqipëri nuk mund t’i gjesh, por do isha i gatshëm të paguaja pak më shtrenjtë nëse dikush do ta kishte në Shqipëri. Për këtë mendoj që faqet shqiptare nuk duhet të tremben nga konkurrentët e huaj, por duhet të punojnë të ngrenë vlerat e tyre dhe t’i japin klientit sa më shumë.
Një pjesë e kompanive që operojnë në këtë sektor të shitjeve me pakicë janë diversifikuar duke shtuar shërbime IT. Në mendimin tuaj, kjo është një zgjidhje për të rritur fitimet apo kompanitë janë detyruar që të shtojnë edhe këto shërbime për të mbijetuar në treg?
Mendoj se diversifikimi në këtë fazë të shitjeve me pakicë online është gabim i madh i kompanive shqiptare. Nuk e di strategjinë e kompanive që kanë ndjekur këtë rrugë, por si administrator mendoj që fitimi është ai që drejton vendimet e tyre në pjesën më të madhe të kohës. Një kompani e pakonsoliduar në një sektor nuk mund të mendojë diversifikimin, dhe në sektorin e shitjeve online nuk ka kompani të konsoliduara.
Këtë e them nga përvoja jonë, Nettrade Albania deri në 2017 ofronte shërbimet e IT për kompani të tjera. Megjithatë ky ishte një gabim yni, sepse ajo që kuptuam është se sektori online ka nevojë për vëmendje dhe mundësi rritjeje sa ne sakrifikonim fitime dhe pjesë të mëdha tregu në të ardhmen për disa fitime afatshkurtra. Sigurisht, shërbimet IT kanë fitime të mëdha afatshkurtra, por për strategjinë tonë është humbje e madhe në terma afatgjatë, kështu na u desh ta mbyllnim atë sektor.
Është humbje sepse, duke parë kompleksitetin dhe nevojën për vëmendje në sektorin e shitjeve online është e pamundur të japësh atë që klienti do, duke mos u fokusuar 100% tek ajo. Difersifikimi për ne në këtë fazë është ngadalësim dhe sakrifikim i pozicionit që duam të kemi në tregun e shitjeve me pakicë në Shqipëri. Ne po punojmë të jemi një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë në Shqipëri, prandaj e kemi shumë të nevojshëm të përqendrohemi në punën tonë, por kjo nuk vlen për të gjitha kompanitë. Secila kompani ka strategjinë e saj. Mendoj që nuk ka vetëm një strategji të suksesshme, prandaj nuk mund ta gjykoj përfundimisht vendimin e kompanive që kanë bërë këtë zgjedhje, sepse nuk di strategjinë e tyre.
Në portofolin tuaj të artikujve, si është raporti i mallrave dhe i shërbimeve? Cilët janë artikujt që ecin më shumë?
Ne nuk shesim shërbime të paktën deri tani. Kurse për artikujt kemi një gamë të gjerë. Ajo çka dua të them në këtë pjesë është se tregu është aq i papjekur dhe i pazhvilluar sa nuk ka një trend shitjesh të qartë. Kategoritë, me më shumë shitje në portalet tona, janë të ndryshme çdo muaj, në bazë të vëmendjes që ne i japim në promovim dhe oferta. Megjithatë shikohet që Librat, produktet sezonale, elektronika dhe veshjet janë kategoritë që po rriten më shpejt dhe më lehtë në shitje.
Lajmet apo eventeve politike në vend kanë një ndikim tek ecuria e biznesit tonë. Për të mos u zgjatur, po jap vetëm një shembull, ditën që u dha lajmi për akuzën e ish-ministrit te brendshëm, Saimir Tahiri, njerëzit braktisën faqet tona të shitjes por të nesërmen gjendja u normalizua. Si ky rast vëmë shpeshherë re gjatë muajve të cilët do të’ ishim të lumtur ti ndanim me ju në artikuj të tjerë.
Si e shikoni ecurinë e këtij sektori në vijimësi?
Për fat të keq, dallohet qartë që në 2018 nuk do të vazhdojë i njëjti rritëm rritjeje i tregut të përgjithshëm shqiptar si në 2017. E them këtë sepse tregu i shitjeve online është ndryshe nga tregu tradicional i shitjeve me pakicë. Është e thjeshtë të nisësh një aktivitet online, kjo bën që hapja e faqeve dhe kalimi nga tradicionali tek online të jetë shumë i lehtë. Por ta mbash dhe ta rrisësh një kanal shitjeje online është diçka shumë e vështirë. Për këtë arsye, shumica heqin dorë pas 6 deri 12 muajsh
Megjithatë shitjet online nuk kanë rrugë tjetër vetëm të rriten. Është një nga tregjet me rritjen më të shpejtë në botë. Sot në botë rreth 18% të kompanive shesin online. Prej dy dekadash në botë shitjet online janë rritur masivisht dhe nga 2010, ritmi i rritjes është mbi 15%. Ne jemi ende shumë mbrapa, kështu ritmi i rritjes duhet të jetë shumë më i madh në vitet e ardhshme. Për këtë arsye, prej 5 vjetësh them se tregu i shitjeve online në Shqipëri nuk ka rrugë tjetër përveçse të rritet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.