Monedha vendase ka humbur pikë për të dytën ditë radhazi ndaj dollarit, duke u këmbyer me 110.89 lekë të martën, 0.47 lekë më shumë se një ditë më parë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Edhe të hënën, monedha e gjelbër u forcua në tregun e brendshëm, me 0.56 lekë, duke kërcyer në këtë mënyrë me 1 lekë në vetëm dy ditë.
Euro ka rënë në dy ditët e para të kësaj jave, me nënçmimin që u përshpejtua të martën, ku euro zbriti nën kufirin e 140 lekëve, duke u këmbyer me 139.89 lekë, 0.14 lekë më pak se një ditë më parë.
Kjo tendencë lidhet me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, ku euro u këmbye në nivelin më të ulët në dy vjet kundrejt dollarit, teksa ngadalësimi i inflacionit në 18 vendet që ndajnë monedhën e përbashkët ka rritur pritshmëritë për masa nxitëse shtesë nga Banka Qendrore Europiane, në mënyrë që të shmanget deflacioni.
Monedha e përbashkët po shkon drejt tremujorit më të keq kundrejt dollarit, që nga tremujori i dytë 2010.
Euro rrëshqiti 0.6% në $1.2605 dhe preku $1.2590, nivelin më të dobët që nga shtatori 2012.
Në tregun e brendshëm, këto lëvizje po reflektohen kryesisht përmes forcimit të fortë të dollarit, ndërsa euro mbetet e qëndrueshme në rreth 140 lekë. Madje euro është më e fortë në tregun vendas, sesa dy vjet më parë, kur dy valutat këmbeheshin me njëra tjetrën në bursat ndërkombëtare në nivele të ngjashme me ato që janë sot. Në gusht shtator 2012. Në tregun e brendshëm, një euro këmbehej me 137-138 lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.