A mundet që të dhënat të parashikojnë tendencat më të fundit të modës? Teknologjia mund ta ndikojë negativisht këtë biznes të veçantë
Në filmin “Djalli vishet me Prada”, personazhi i Miranda Priestly, është një kryeredaktore e revistës së famshme të modës “Vogue”, e cila e kritikon ashpër asistenten e saj të re, duke qenë se kjo e fundit nuk i ndjek pothuajse fare tendencat e fundit të modës, shkruan The Economist. Një ndër shprehjet tipike me anë të të cilave ajo i drejtohet asistentes së saj të re është se “moda është gjithçka që një grup i caktuar dizenjuesish dhe kritikësh thonë se është”.
Por çka ajo nuk thotë në film është se edhe vetë gjykimet e tyre ndikohen nga një grup tjetër parashikuesish të modës, të cilët parashikojnë ato që do të jenë “tendencat më të fundit” të modës. Por a mundet që këto personazhe që merren me modën dhe të bukurën të eliminohen nga inteligjenca artificiale?
Parashikimi i modës ka qenë gjithmonë një profesion i veçantë. Ky lloj biznesi pothuajse mori formë të plotë në
Parisin e viteve ‘60, kur agjencitë hodhën në treg “librat e trendeve të fundit”, koleksionet e pëlhurave dhe idetë e dizajnit. Shitësit me pakicë i përdorin librat si pikë reference dhe si frymëzim teksa zgjedhin dizajnet e ndryshme.
Më e madhja prej këtyre firmave parashikuese është WGSN, me një përqindje aksionesh në treg prej 50%. Ajo ka punësuar 150 parashikues të cilët ndjekin pasarelat, lokalet dhe klubet më të mëdhenj dhe të famshëm në botë, për të gjetur trendin e radhës.
Informacionet e tyre kombinohen më pas me disa të dhëna të tjera, që nga treguesit ekonomikë e deri te sentimenti politik.
Petah Marian, një kryeredaktore në WGSN, është e bindur se metodologjia funksionon. Ajo shprehet se kolegët e saj shpesh e përdorin shprehjen “Unë e parashikoj këtë gjë” sidomos kur vizitojnë dyqane të ndryshme veshjesh.
Besimi i znj. Marian mund të duket befasues, duke pasur parasysh mungesën e korrelacioneve të qarta ndërmjet modës dhe të dhënave makroekonomike.
Nuk janë të shumta dëshmitë të cilat mbështesin teorinë e ekonomistit George Taylor, sipas të cilit, gjatësia e fundeve të femrave në të shkuarën tregonte edhe nivelin e ekonomisë. Në të kaluarën, femrat i vishnin fundet sa më të shkurtra për të treguar getat e tyre të shtrenjta prej mëndafshi, gjë që tregonte edhe nivelin e tyre të pasurisë. Një teori tjetër ka qenë ajo e Leonard Lauder, sipas të cilit shitjet e buzëkuqve shënuan rritje gjatë recesionit.
Edhe bashkëthemeluesi i WGSN, Marc Worth, i cili shiti firmën për të ngritur një biznes rival, dikur ka deklaruar se “askush nuk mund të parashikojë me saktësi se cilat do të jenë tendencat e fundit të modës”.
Nëse parashikuesit e barazojnë shkallën e saktësisë në një vlerë prej 80%, kjo është për shkak se parashikimet e tyre shpesh janë vetëpërmbushëse. Shumica e shitësve të mëdhenj blejnë “librat e trendeve të fundit të modës”. Për dizenjuesit, librat janë një formë garancie: për aq kohë sa ata do t’u referohen atyre, rreziku për të qenë jashtë mode do të jetë shumë i vogël.
Megjithatë, biznesi i parashikimit është i rrezikuar nga analiza e të dhënave. Zinxhiri i furnizimit të industrisë së veshjeve po bëhet gjithnjë e më dixhital dhe më fleksibël: Inditex dhe HM, për shembull, synojnë që të përvetësojnë një trend të fundit ose një ide të re dhe ta kthejnë atë në një produkt të gatshëm për t’u prodhuar masivisht në një periudhë dyjavore.
Në përgjigje të kësaj, agjencitë parashikuese po përdorin të dhënat e grumbulluara nga sistemet e teknologjisë informative të marra në dyqanet e shitësve me pakicë dhe i kanë shtuar portofolit të tyre të shërbimeve edhe parashikime afatshkurtra.
Në vitin 2013, WGSN hodhi në treg INstock, një shërbim analitik shitjesh me pakicë, i cili përdor shifrat e shitjeve të kaluara për të parashikuar nivelin më të lartë të shitjeve në të ardhmen.
Edited, një shërbim konkurrues, ofron “matrica të sakta” në fushën e modës, duke përdorur një teknikë të inteligjencës artificiale në mënyrë që të parashikojnë trendet e shitjes afatshkurtër.
Pavarësisht këtyre të dhënave, lidhja ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe modës është ende në fazat e saj fillestare.
Sipas një studimi të kryer në vitin 2014 u zbulua se edhe modelet më të mira në parashikimin e tendencave të fundit të modës ishin gabim pothuajse gjysmën e kohës.
Por parashikuesit e modës me shumë gjasa do të përballen me një konkurrencë në rritje, teksa firmat e teknologjisë hyjnë në lojë.
Google, gjiganti online, ka një sektor për evidentimin e trendeve më të fundit. Ai nxjerr një raport të rregullt, “Trendet e Modës”, i cili bazohet në të dhënat e firmave të mëdha të veshjeve.
Deri më tani, rezultatet janë bazike: në vitin 2016, “xhinset e ngushta të nënave” shënuan rritje, ndërsa ato më të gjera pothuajse po dalin fare nga tregu. Por Olivier Zimmer, shkencëtari i të dhënave të projektit, shprehet se qëllimi është të prodhojë kombinime më të sofistikuara të të dhënave të kërkimit me të dhënat e tjera.
Nëse Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë ndonjëherë metodat e vjetra të parashikimit të modës, mbetet për t’u parë. Disa i shqetëson fakti se përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund ta kthejë procesin e dizajnit në një proces të mërzitshëm.
Ky biznes tashmë është bërë “pedant” dhe është kthyer vetëm në një çështje përqindjesh, shprehet Michael Bennett, një ish-parashikues.
Por Julie King, një eksperte mode në Universitetin e Northampton, pret që magjia emocionuese e modës të mbizotërojë mbi homogjenitetin e algoritmeve të të dhënave. Nëse po, personazhet e Miranda Priftlys në botën reale, nuk do të ndalojnë së diktuari atë që sipas tyre është trendi më i fundit dhe atë që nuk është.