“Nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do të marrë vendin e duhur në qendër të skenës të xhiros verore të superjahteve.” Kështu e nis artikullin revista e njohur ndërkombëtare “Boat International”, e cila shkruan për bukuritë natyrore dhe bregdetin shqiptar.
“Shqipëria ka qenë e fshehur nën hundën tonë gjithë këtë kohë”, thotë Tristan Rutherford, autori i artikullit.
Zhvillimi detar i Shqipërisë është ende në hapat e parë, theksohet në artikull.
“Në një park të mbuluar nga gjethet në Westminster në Londër, ambasadori shqiptar, Qirjako Qirko, mburr aftësinë për jahte të Malit të Zi, një komb që pak njerëz mund të arrinin ta dallonin në hartë një dekadë më parë. Qirko dhe unë biseduam për brigjet e virgjëra, rihapjen e ishullit të Sazanit, një bazë ushtarake e izoluar për një shekull, si dhe për mundësitë që mund të ofrohen nga vendi për jahtet. ‘Ne jemi krejtësisht të hapur për këtë biznes. Por, në fillim duhet të shkoni ta shihni vetë’”, përfundoi Qirko. Për shkak të kësaj mora avionin që kalonte sipër Venecias dhe më pas vazhdonte drejt Istrias dhe ishujve Koranti në Kroaci. Aty shfaqen qindra jahte, që nga qyteti i Dubrovnikut, dukeshin si yje që këputen. Më pas vijon peizazhi i mrekullueshëm i Gjirit të Kotorrit në Malin e Zi.
Në vitin 2006, e njëjta pamje magjepsi investitorin kanadez, Peter Munk kur fluturoi sipër bazës së braktisur të nëndetëseve në Tivat dhe vendosi të ndërtojë aty “Porto Montenegro”. Ndërkohë që hyj në hapësirën ajrore shqiptare, shkëmbinjtë gëlqerorë bien mbi plazh. Në zbritjen e fundit, sytë e mi tërhiqen në të djathtë ku, rreth 350 kilometra vijë bregdetare shumë pak e zhvilluar, kalon Sazanin dhe shkon drejt Korfuzit. Kur mbërrin në ekstremin jugor të Shqipërisë, Korfuzi duket aq pranë sa që mund të arrihet duke notuar. Qiparisat e tij të lartë dallohen edhe një milje larg, në bregun shqiptar, ku rrënojat e Butrintit, të mbrojtura nga UNESCO-ja, rrethohen nga deti i kaltër.
Emri Rothschild, sinonim i një prej vilave më luksoze në Korfuz, peshon në të dy krahët e bregut. Fondacioni “Butrint” i lordit Rothschild ndihmon në mirëmbajtjen e këtij muzeu të hapur. Qyteti i rrënuar ka pritur më të mirën dhe të madhërishmen e Adriatikut për mijëra vite nga agoratë grekë, te vilat romake dhe banjat bizantine. Kjo është Shqipëria, ku një pjesë e madhe është e pazbuluar dhe mbuluar nga bimësia, një zonë arkeologjike për Indiana Jones.”- shkruhet më tej.
I paduruar që të vizitoj bregun e Butrintit marr një motoskaf, shkruan autori. “Çmimi ishte 140 euro, duket shumë i lartë për këtë zonë, por e kuptova që kisha shtuar një zero. Ishte vetëm 14 euro, gjysma e çmimit të një kokteji në “Hôtel de Paris” në Monako, për të marrë anijen bashkë me kapitenin. Shqipëria është vërtet një vend sa ekonomik aq edhe i paeksploruar. Laguna që rrethon Butrintin me të drejtë është një Park Kombëtar. Poshtë varkës sonë lundrojnë qindra lloje peshqish. Kjo zonë pret gjithashtu më shumë se 250 lloje zogjsh, përfshirë çafka dhe bilbila uji që shoqërojnë varkën tonë drejt Korfuzit. Gjatë regjimit të ashpër komunist të Shqipërisë, studentë të talentuar dolën vullnetarë për të zhvilluar gërmime arkeologjike në këtë rajon.
Ata mund të bëjnë banjo dielli në qetësi të plotë, të pinë duhan në kështjellën me pamje nga deti që është vizituar nga Lordi Bajron, dhe madje edhe të nxjerrin ndonjë amforë nga shtrati i detit kur të vijë momenti për të dorëzuar trofetë e gjetura. Në kthim drejt skelës së Butrintit, vëzhgoj të vetmit autobusë turistikë që ndesh përgjatë gjithë udhëtimit. Shifrat e vizitorëve flasin për një rritje me 20% në të dyja vitet 2016 dhe 2017, siç dëshmojnë statistikat në Kroacinë e viteve 1990. Statistikat e rritjeve vjetore reflektojnë edhe mbërritje të superjahteve” – shkruhet në vijim të artikullit.
Në fund autori sugjeron se ‘Porto Montenegro’’ duhet të jetë model për zhvillimin e sektorit të jahteve në Shqipëri. “Të huajt mund të ndërtojnë porte jahtesh në Shqipëri, një subjekt i legjislacionit vendas dhe duket se ka lëvizje në këtë drejtim. Në Kavajë, ka një propozim për një port jahtesh me 650 vende për jahte deri në 75 metra. I quajtur “Porto Albania”, projekti duket se ka marrë mbështetjen e kompanisë zvicerane të zhvillimit “Finsec”. Ndërsa lidhur me zhvillimin në Limioni afër Sarandës, nuk ka një datë. Nëse merresh me këtë punë për zhvillimin e porteve të jahteve apo vetëm nëse mendon për një plazh sekret të harruar nga turizmi botëror, atëherë e di ku të kërkosh.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.