Më 4 maj të këtij viti, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit, Arben Ahmetaj do të shprehej: Po, do të prezantoj përpara qeverisë brenda dy javësh, një paketë mbështetëse që e parashikon edhe uljen e TVSH-së.
Qeveria deklaroi pak kohë më parë se, po përgatiste një paketë mbështetëse, të ngjashme me atë të fasonëve, që parashikonte uljen e TVSH-së për turizmin.
Reduktimi i kësaj takse ka qenë kërkesë e vazhdueshme e biznesit, për ta bërë turizmin më konkurrues. Por shoqatat e turizmit thonë se, kërkesa e tyre duket se nuk do të marrë zgjidhje as këtë vit, madje shprehin shqetësimin e rritjes më tej të barrës fiskale.
“Jemi vënë në shqetësim, për faktin që kjo taksë mendohet të mos rishikohet në këtë moment, ndërkohë që taksa vendore, e cila parashikohet të jetë në disa nga hotelet rreth 100% rritje, të krijojë një shqetësim të ri për industrinë dhe shoqërinë e industrisë së turizmit”, tha Enver Mehmeti, Shoqata e Turizmit.
Në planet e hershme të qeverisë ishte menduar që TVSH-ja për turizmin të ishte në 7 deri në 10%. Por zbardhja e plotë e paketës fiskale tregon se ky plan nuk është materializuar. Sot, vendet fqinje si Maqedonia, aplikojnë një TVSH për turizmin në nivelin 5%, Greqia 6.5%, Mali i Zi 7% ndërsa Italia 8 për qind.
/ Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.