Në vitet e fundit, Venecia ka tërhequr vëmendjen sepse është një nga ato qytete europiane ku ndryshimi i klimës është bërë një realitet i pashmangshëm.
Përmbytjet e shpeshta dhe rritja e nivelit të ujit në kanalet e famshme të qytetit, nuk janë problemi i vetëm me të cilin po përballen vendasit. Tani, venedikasit po largohen nga qyteti i tyre, sepse kostot e jetesës janë rritur jashtë mase. Për shkak të turizmit masiv dhe rritjes së çmimeve si pasojë e COVID-19, shumë banorë të Venecias kanë qenë të detyruar të braktisin qytetin në kërkim të vendeve me çmime më të përballueshme.
“Ne kërkuam për 4 vjet një shtëpi në Venecia. Ishte tepër zhgënjyese”, thotë Giovanni De Ponte, një ndërtues varkash. “Nuk po kërkojmë të na japin para. Nuk po kërkojmë as të shkojmë në Hënë. Duam vetëm të gjejmë një shtëpi në qytetin ku kemi lindur. Ne kemi gjetur një apartament në një ishull tjetër, në Murano”, shton ai.
Këtë verë, vendet e famshme turistike u hapën edhe një herë, duke tërhequr dashamirësit e artit, karnavaleve dhe historisë, nga e gjithë bota. Aktualisht, kostot e jetesës në Venecia janë vetëm 20 për qind më të lira se në Nju Jork.
Si po e lufton Venecia rritjen e kostove të jetesës?
Autoritetet po përpiqen të rregullojnë problemin me të cilin po ballafaqohen vendasit. Kohët e fundit, është vënë re një prirje nga destinacionet më të njohura turistike në botë, për të frenuar fluksin e madh të vizitorëve, pas periudhës së karantinimit.
Si rrjedhojë, shumë vende kanë kufizuar numrin e vizitorëve, ndërsa shtete si Tajlanda dhe Hawai i kanë ndaluar fare turistët.
Verën e ardhshme, komuna e Venecias do të prezantojë një sistem të ri. Ai do të përfshijë një proces rezervimi dhe porta hyrëse në qytet. Pesë vite më parë, Venecia kishte 67,000 banorë të përhershëm. Sot, kanë mbetur vetëm 50,000. / Euronews