Luara Baci, Drejtoreshë e UIM (Unione Italiani nel Mondo- Bashkimi i italianëve në Botë), në një intervistë për “Monitor”, shpjegon se interesi i italianëve për të pleqëruar në Shqipëri është gjithnjë e në rritje.
Zonja Baci, cili është roli i Unione Italiani nel Mondo në Shqipëri?
UIM (Unione Italiani nel Mondo-Bashkimi i Italianëve në Botë) është një prej organizatave në nivel botëror që, duke vepruar në krah të sindikatës UIL, të Patronatit ITAL dhe të Konsullatave, punon aktivisht në favor të njohjes së të drejtave themelore të italianëve jashtë shtetit. UIM Shqipëria përfaqëson një mbështetje të fuqishme për komunitetin italian në Shqipëri, ajo ofron orientim dhe përkrahje të drejtpërdrejtë për integrimin e plotë shoqëror të komunitetit italian në vendin tonë dhe ruajtjen e marrëdhënieve të ndërveprimit në sipërmarrjet e tyre. UIM është dalluar gjithmonë për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të italianëve jashtë shtetit, duke e përqendruar angazhimin e vet në arritjen e një fuqie përfaqësimi dhe ndërhyrjeje në jetën politike italiane dhe për realizimin e nismave të kualifikuara me karakter shoqëror e kulturor.
Cilat kategori keni fokus?
Një nga kategoritë e rëndësishme së cilës UIM i kushton vëmendje të veçantë, është ajo e pensionistëve italianë në Shqipëri, duke u ofruar atyre informacione që nga momenti që shprehin interes për t’u transferuar në Shqipëri dhe më tej, duke i asistuar në hapat e mëtejshme të integrimit në shoqërinë shqiptare. Një ndër objektivat më të reja është edhe ndihma për të rinjtë italianë të pranishëm në Shqipëri, për të kryer studimet universitare.
Nëpërmjet zyrave të organizatës që janë të pranishme në 34 seli, në 17 shtete të ndryshme, UIM e zhvillon veprimtarinë e vet, krahas Patronatit ITALUIL, në zonat me përqendrim më të madh migrator italian dhe kohët e fundit ka hapur seli të ndryshme në vendet ku ka flukse më të konsoliduara dhe konstante të të huajve drejt Italisë.
A keni mbështetje nga autoritetet shqiptare?
Krahas mbështetjes së shtetasve italianë në Shqipëri, UIM dhe ITALUIL Shqipëria, në kuadrin e një Protokolli Bashkëpunimi të nënshkruar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë (ISSH), si dhe me autorizimin e Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore të Italisë (INPS), është gjithmonë e më aktive në ndihmë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali apo kthehen në Shqipëri, me verifikimin e periudhave kontributive në të dyja vendet, procedurat e daljes në pension, etj.
Buxheti shqiptar, vetëm 1 mln euro në vit për të moshuarit
Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion të shtëpive të pleqve dhe kujdesit për moshën e tretë këtë vit vetëm 143 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Kjo shumë është mjaft modeste në krahasim me fondet që bota e zhvilluar jep për qendrat publike për trajtimin e pleqve. Sakaq, Avokati i Popullit vuri në dukje se nuk është miratuar ende projektligji “Për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe plotësimit të nevojave për moshën e tretë”. Mosha e tretë në Shqipëri është në rritje, por institucionet dhe shoqëria civile nuk po ecin me të njëjtin hap për të rritur kujdesin që kërkon kjo shtresë. Të dhënat e Censusit të popullsisë nga INSTAT tregojnë se, në vitin 2011, numri i njerëzve mbi 65 vjeç është rritur më shumë se 4 herë nga 1960-a, duke shkuar në 318,000. Rritje e mëtejshme e numrit të të moshuarve është projektuar për pesë dekadat e ardhshme, për të arritur në 667,000 në vitin 2060. Një studim nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Popullsisë tregon se ka një trajtim të papërshtatshëm të të moshuarve në shtëpitë e banimit. Shqipëria nuk ofron trajtim të pranueshëm mjekësor dhe social për të moshuarit. Kërkesat specifike për kujdestarët e të moshuarve ende nuk marrë në konsideratë. Trajtimet e gabuara dhe abuzimet e të moshuarit në shtëpi pleqsh janë një temë e përsëritur, duke pasur parasysh që qendrat e kujdesit ditor janë të kufizuara në Shqipëri. Përveç kësaj, strehimoret janë të pakta në numër dhe nuk i plotësojnë kërkesat e një numri të madh të të moshuarve, të cilët shpesh janë braktisur ose abuzuar nga të afërmit apo të tjerë persona, thotë i njëjti studim. Rreth 27% e të anketuarve të intervistuar deklaruan se, kujdesi shëndetësor për të moshuarit nuk është në dispozicion, kur ata kanë nevojë për të. Arsyet kryesore lidhen me vështirësitë për të mbuluar trajtimin mjekësor, distanca për shërbimet dhe sëmundje e vështira, të cilat e bëjnë të pamundur që të moshuarit të shkojnë te mjeku. Studimi vë në dukje se ka mungesë të strukturave dhe OJF-ve për të adresuar nevojat e të moshuarve dhe në veçanti ka nevojë për shërbime shëndetësore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.