Hidrocentrali i Lanabregasit do t’i shitet ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço firmosi kontratën me drejtorin e Ujësjellës-Kanalizime sh.a,Sahit Dollapi. Hidrocentrali i Lanabregasit ka kapacitet të instaluar 5 MW dhe prodhim vjetor prej rreth 37,000 MWh.
Një vit më parë ministria përgatiti të gjitha procedurat ligjore edhe për hapjen e privatizimit për HEC- et e tjera Ulzë, Shkopet, Bistrica 1, Bistrica 2. Gara për këto HEC-e do të hapet në datat 4 – 6 qershor. HEC-i i Lanabregasit do të përdoret për shërbime publike nga shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, që është edhe sektor i rëndësisë së veçantë.
Drejtori i UKT, Sahit Dollapi tha se brenda afatit 5 vjeçar, e gjithë sasia dhe shpenzimet për energjinë elektrike nuk do të përfshihen më në koston për llogaritjen e çmimit të shitjes me shumicë dhe me pakicë tek qytetarët e Tiranës. Kjo do të thotë se ka dhe një efekt social pozitiv ndaj konsumatorëve, ndihmon kompaninë që të punojë për realizimin e objektivit të saj për furnizimin 24 orë me ujë. Gjatë negocimit të kontratës ndërmjet palëve u ra dakord që çmimi i shitjes së 100% të aksioneve të kësaj shoqërie të jetë 15 milionë euro. Hidrocentrali i Lanabregasit deri tani ka operuar si shoqëri më vete, me aksioner në masën 100% shtetin dhe me objekt prodhimin e energjisë elektrike me pronar të vetëm Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.