Vankuver, qyteti më i gjelbër në botë?

30/10/2019 3:21 PM 0 komente
© Noel Hendrickson / Getty Images

Në vitin 2011, kur Vankuver, metropol i Kanadasë Perëndimore, i rrethuar me male, njoftoi se do të bëhej qyteti më ekologjik në botë brenda një dekade, shumë mbetën të hutuar.

Koha e parashikuar për të zbatuar Greenest City 2020 Action Plan po përfundon dhe pyetja është: sa i është afruar ky qytet me 675 mijë banorë qëllimit të tij fisnik? Dhe çfarë nënkupton kjo për turistët?

 

 

Cili ishte projekti?

“Nuk është një qëndrim tipik kanadez për të festuar arritjet dhe për t’u thënë të gjithëve se do të jemi më të mirët” – thotë Doug Smith, drejtues i zhvillimit të qëndrueshëm në qytetin e Vankuverit. “Por dëshironim që njerëzit të pyesnin se çfarë do të thotë të jesh qyteti më ekologjik, po përpiqeshim të hapnim një dialog”.

Por, nuk ishin vetëm fjalët! Projekti numëron një sërë objektivash konkretë, për ta shtyrë Vankuverin drejt një të ardhmeje “të gjelbër të thellë”. Fushat e interesit, secila me objektiva specifikë, përfshinin gjithçka – nga mjetet e transportit, sistemet ushqimore e deri te menaxhimi i plehrave dhe rregulloret e ndërtesave”.

“E dinim që kishte nevojë për diçka entuziazmuese, për t’i përfshirë qytetarët në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Dhe cilësimi ‘qyteti më ekologjik në botë’ shërbeu për ta bërë projektin më stimulues dhe frymëzues” – u shpreh Smith.

 

Pistat e biçikletave kanë rritur numrin e njerëzve që lëvizin me biçikletë në Vankuver ©Marc Bruxelle/Shutterstock

 

Ecuria…

Të dhënat e fundit mbi qytetin tregojnë se çfarë është arritur dhe çfarë nuk është arritur prej vitit 2011. Më shumë se 50% e të gjithë transportit urban tashmë bëhet nëpërmjet mjeteve të transportit publik, me biçikletë ose më këmbë. Banorët e Vankuverit gjithashtu janë angazhuar për të reduktuar nivelin e ndotjes, duke pakësuar togjet me mbeturinat e ngurta dhe inceneratorët me 28%. Qyteti po punon për t’i bërë gjithë projektet me ndërtesa të reja me emisione zero duke nisur nga viti 2020.

Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar mirë. Emisionet e gazit serë janë reduktuar me vetëm 12%, pavarësisht se objektivi ishte me 33%. Ka disa faktorë që shpjegojnë këtë shifër – thekson Smith. “Është diçka pozitive që shumë njerëz përdorin mjetet e transportit publik, por automjetet që qytetarët përdorin tani janë më të mëdha dhe të luftosh industritë e karburanteve fosile nuk është e lehtë”. Me pak fjalë, me vitin 2020 që është pranë, a mund të cilësohet Vankuveri qyteti më i gjelbër në botë? “Nuk jemi ende aty – pranon Smith – por mund të them që, tani për tani, ka qenë një sukses i madh. Kemi arritur dy të tretat e objektivave. Dhe e kemi ndryshuar mënyrën e të menduarit në drejtimin e duhur”.

 

Seabus është një mjet transporti i njohur, si për qytetarët, si për turistët ©Lawrence Worcester/Lonely Planet

 

Turizmi ekologjik

Plani i Veprimit nuk lidhet vetëm me ndryshimin e sjelljes së qytetarëve. Nisma ka pasur ndikim edhe në mënyrën se si turistët e eksplorojnë qytetin dhe në aktivitete të ndryshme. Ky përbën një aspekt të rëndësishëm për një axhendë të qëndrueshme, duke marrë në konsideratë që qyteti mirëpret më shumë se 10 milionë turistë në vit.

Nëse flasim për transportin, lëvizja në qytet pa makinë nuk ka qenë kurrë kaq e lehtë sa tani për qytetarët. Sistemi intuitiv i transporteve publike të Vankuverit ka marrë një zhvillim të madh nga viti 2011, me më shumë autobusë dhe trena për metronë SkyTrain, si dhe duke rritur shpeshtësinë e trageteve SeaBus në arterien e Burrant. Bileta ditore, e vlefshme për gjithë mjetet e transporti është një lehtësi e madhe për turistët dhe kushton 10.25 dollarë.

Vankuver ka ndërmarrë nismën bike-sharing, Mobi, dhe ka ndërtuar 450 kilometra pista për biçikleta, të ndara nga rrugët lokale. “Rrugët tona për biçikleta janë të sigurta, të lidhura mirë dhe panoramike, kështu udhëtimi është po aq i bukur sa edhe destinacioni” – thotë Josh Bloomfield, themelues i Cycle City Tours, një tour-operator i cili jep biçikleta me qira pranë pistës Hornby Street në qendër.

“Shohim gjithnjë e më shumë turistë që përdorin sistemin tonë të biçikletave për të vizituar zonat dhe vendet me më shumë interes – shprehet Bloomfield, duke shtuar se shumë shkojnë drejt fabrikave të birrës në lindje të Vankuverit apo atraksione edhe më të largëta si Muzeu i Antropologjisë, parqet në West Side dhe plazhet jashtë University of British Columbia.

 

Stanley Park Nature House është një nga mënyrat për të eksploruar natyrën e Vankuverit © John Lee / Lonely Planet

 

Vende të tjera për t’u vizituar

Plani i Veprimit parashikonte edhe një qasje më të mirë drejt zonave natyrore. Atraksioni i ri i gjelbër në Vankuver është një hekurudhë e konvertuar. Zona të tjera të zhvilluara dhe përmirësuara janë një kënetë kripe në New Brighton Park dhe një zonë për bletët në Jericho Beach Park. Në vitin 2016, qyteti ndryshoi rrugën e vjetër hekurudhore që lidhte Kitsilano dhe Marpole, duke hequr me shpejtësi binarët dhe krijoi Arbutus ay, 8,5 km. Me synimin për t’u bërë versioni kanadez i High Line në Nju Jork, zgjedhjet arkitekturore drejt së gjelbrës mbeten ende për t’u përcaktuar, por rruga me lule të egra është bërë shumë e popullarizuar nga ata që pëlqejnë të shëtisin dhe çiklistët. Greenway ndërthur parqe dhe atraksione që pëlqehen shumë nga turistët e Bankuver, përfshirë Pacific Spirit Regional Park, Stanley Park Nature House dhe UBC Botanical Garden.

Po tani?

Plani i Veprimit (Greenest City Action Plan) përfundon teorikisht në vitin 2020, por Vankuver është angazhuar sërish për të arritur objektivat e rinj dhe të krijojë plane më ambicioze për t’ju përgjigjur një thirrjeje të re për emergjencën mjedisore – Climate Emergency Response. Kjo nismë bëhet një nxitje drejt automjeteve me zero emetim, rrugëve për këmbësore, ekosistemeve lokale e shumë të tjera. Këto hapa të tjerë kanë nevojë për një konsultim më të gjerë me banorët e Vankuverit – thotë Smith.

“Duhet të pyesim se çfarë duam të jemi si qytet në dekadat e ardhshme. Synojmë emetimet zero në vitin 2050, por kjo nënkupton që pjesa më e madhe e njerëzve duhet të ecin, të lëvizin me biçikletë apo të përdorin mjetet e transportit publik. Ana pozitive – shton Smith – është që Vankuver (ku është krijuar Greenpeace në vitin 1971) ka nisur konsultimet në një nivel themelor shumë vite më parë. “Ka një lidhje të ngushtë me natyrën dhe njerëzit e dinë se ne duhet të punojmë fort nëse duam ndryshimin”.

Burimi: Lonely Planet

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of