Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj inspektoi punimet e shkollës së mesme industrial “Petro Sota” në Fier, ku edhe ka bërë një tjetër thirrje për të rinjtë, që ata t’i kthejnë sytë drejt zanateve që kërkon sot tregu i punës. Duke u shprehur i kënaqur nga përgatitjet për rikonstruksionin e shkollës brenda 15 shtatorit, ditë kur fillon viti i ri shkollor, z. Veliaj tha se “Petro Sota” do të jetë një nga shkollat më moderne në Shqipëri.
“Për 23 vjet kemi bërë një fushatë të vazhdueshme dekurajuese ndaj arsimit profesional, duke i shtyrë të rinjtë drejt arsimit të përgjithshëm që nuk ofron një zanat e as punësim, apo në universitete që fatmirësisht u mbyllën, të cilat jepnin iluzionin e një diplome, por kurrsesi një ofertë të mirëfilltë për një vend pune”, tha ministri Veliaj.
Sipas tij, ka ardhur koha që prindërit të tregohen inteligjentë dhe të kuptojnë se është koha e zanateve, se fëmijët e tyre duhet të mësojnë teknologji informacioni, sisteme kompjuterike, kiminë industriale, atë ushqimore, apo mekatronikën. “Ndaj inkurajimi im është: I doni këto punë të mira, i lakmoni ato? Ejani studioni në degët e shkollave tona profesionale, që këto punë të jenë tuajat dhe jo të shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri, duke qenë se nuk kemi staf të kualifikuar”, tha z. Veliaj.
Ai shtoi se në qytetin e Fierit ka një zhvillim bujqësor dhe industrial, por gjithashtu ka edhe mungesë njerëzish të kualifikuar për këto vende pune; një boshllëk, i cili aktualisht po mbushet nga shtetasit e huaj që vijnë e punojnë në Shqipëri.
Shkolla e mesme profesionale “Petro Sota” në Fier ofron degët Elektroteknikë, Shërbim mjetesh transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi dhe Teknologji Kimike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.