Flet Genci Dulaku, administrator i “Vizion Plus”
Të pasurit e shifrave të sakta për audiencën dhe preferencat e saj shihet si avantazh nga televizionet.
Të paktën për administratorin e “Vizion Plus”, Genci Dulaku, ky është një nga elementet më pozitive, pasi investimet që bëhen do të shkojnë aty ku duhet.
Sipas tij, programacioni pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme pas fillimit të matjes së audiencës, ku do të dalin në pah tendencat dhe preferencat reale të publikut dhe kjo do të shërbejë edhe si busull për prodhimin dhe atë që i ofrohet publikut.
Në çfarë faze është diskutimi i nisur nga AMA për Matjen e Audiencës dhe që ka mbledhur në dy tryeza palë të ndryshme interesi?
Tani jemi në fazën kur është zgjedhur në parim Komiteti. Ka në përbërje katër televizione, tre kombëtarë dhe ai publik, dy agjenci publicitare dhe tre përfaqësues nga televizione lokale.
Për këta të fundit është bërë gati procedura për përzgjedhjen e atyre që do jenë përfaqësues. Pak a shumë ky është komiteti. Ndërkohë është caktuar një zyrë për të bërë gati Dokumentacionin, sepse duhet të krijohet nga Organizatë Jofitimprurëse.
Pas kësaj hallke do të caktohet Sekretari, do të miratohet statuti dhe legjislacioni i nevojshëm për matjen e audiencës.
Në fund do të nisë procedura për të përzgjedhur kompaninë që do të ofrojë këtë shërbim.
Ju si televizion, si e shihni këtë nismë për matjen e audiencës?
E shoh shumë të vonuar dhe duhet të bëhet sa më parë. Jemi i vetmi vend që nuk e kemi edhe në rajon, edhe në Europë dhe është e nevojshme për industrinë dhe biznesin e televizionit.
Cilat janë efektet negative që vuan tregu nga mungesa e shifrave të audiencës dhe efektet pozitive që sjell të pasurit të të dhënave të sakta ?
E para, të pasurit të shifrave të audiencës mendoj se do të korrigjojë gjithë shpërndarjen e reklamës në ato target grupe dhe ato emisione që kanë realisht shikueshmëri. Besoj çdo klienti i duhen të dhënat.
E dyta do të eliminojë gjobëvëniet apo qokat që bëhen në shpërndarjen e publicitetit qoftë nga buxhetet shtetërore, edhe nga privatët, pasi sot siç e dimë shpërndahen pa asnjë lloj informacioni.
Besoj se do të ketë ndikim të madh edhe tek ato biznese që nuk kanë reklamuar në Shqipëri siç kishim rastin e një marke të njohur.
Ata nuk hynë në Shqipëri sepse nuk kishte të dhëna. Janë shumë nga këto biznese që, duke mos pasur të dhëna, nuk bëjnë as shpërndarje buxheti, sepse duhet që ta justifikojnë atë dhe të respektojnë standardet e nevojshme.
Bota kështu punon me shifra. Ne për shembull në çdo format që blejmë, qoftë skeçe artistike, qoftë reality show, blerësi në fund të muajit kërkon raport mbi të dhënat, që ne nuk i kemi dhe mundohemi t’i gjejmë.
E keqja është që duke mos pasur matje, kjo e fundit shihet indirekt me forma të tjera që mund të mos jenë tregues real i panoramës.
Për shembull, nëse u referohesh rrjeteve sociale ne kemi kuptuar ndër vite që nuk janë target përfaqësues. Na ka ndodhur që kanë qenë emisione që kanë pasur shumë shikueshmëri në televizion dhe kanë pasur pak reagim në mediat sociale apo anasjelltas.
Matja e audiencës do të plotësonte gjithë panoramën.
Si mendoni se do të ndikojë në programacionin në televizione matja e audiencës?
Mendoj se kanë për të ndryshuar shumë programe, sidomos politika që tek ne pretendohet se ka audiencë me dy shifra, diçka që nuk ndodh në botë, pasi e zë argëtimi.
Të pasurit të shifrave të audiencës do të jetë një shërbim i madh për programacionin në televizione, pasi do të japë një ide më të mirë se ku duhet të investohet dhe për çfarë ka interes.
Po kështu, kur pjesa e sponsorizimeve do të bazohet në argument dhe e bën më të lehtë negociatën për një program nga të dyja palët.
Cila do të jetë procedura për përzgjedhjen e platformës, si do të merren ofertat dhe si është menduar ndarja e kostove?
Duhet krijuar së pari OJF, Statuti dhe përzgjedhja e Sekretarit që më pas të hapet procedura për të marrë ofertat. Pas kësaj, Komiteti përzgjedh kush është më i përshtatshëm në kuptimin e kostos dhe që të jetë emër i pranuar nga të gjithë.
Nuk është se ka shumë kompani në botë që ofrojnë këtë, 3-4 janë që operojnë në rajon. Do shohim ofertat e instalimit dhe mirëmbajtjes dhe çfarë ofrohet te të dhënat që jepen. Flitet që instalimi të ketë një kosto rreth 2 milionë euro, janë shifra që kanë mbetur nga disa studime më të vjetra.
Ndërkohë teknologjia ka avancuar dhe po kështu kushtet e tregut, ndaj mendoj që instalimi mund të jetë pak më shumë se 1 milion euro running cost (mirëmbajtje) diku mes 500 mijë – 700 mijë euro.
Kostoja vjetore e mirëmbajtjes sipas formulave ndahet mes agjencive publicitare, televizioneve dhe bizneseve që duan të dhënat. Kosto te televizionet do ndahet në përqindje me shikueshmërinë që kanë, pra nëse ke 30% shikueshmëri do paguash aq kosto.
Një pikë që duhet qartësuar që në fillim për të shmangur problemet është çfarë ndodh kur nuk paguajnë, pasi ka praktika të ndryshme nga heqja, nga matja te klasifikimi si të tjerë.
Për të lehtësuar barrën që ka instalimi, ne kemi kërkuar një mbështetje që nëse do të merret nga ndërkombëtarët, do ta lehtësonte shumë situatën.
Nëse çdo gjë ecën sipas parashikimit, kur mund të nisë matja e audiencës?
Mendoj se nëse gjërat nuk pengohen dhe vonohen brenda janarit të vitit tjetër të kemi matje të audiencës. Ne po përpiqemi të kapim shtatorin, por ky është afati optimist.
LEXONI EDHE:
Matja e audiencës, si do ta ndryshojë tregun 55 milionë euro të televizioneve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.