Bizneset vijojnë të përballen me probleme në funksionimin e portalit SelfCare për lëshimin e faturave të fiskalizuara. Në ditët 3-4 janar portali qendror i faturave nuk mundësonte shfaqjen e të dhënave për shumë subjekte. Të tjerë nuk mund të deklaronin paratë në arkë, që bëhet nga çdo pajisje elektronike e faturimit çdo ditë para lëshimit të faturës së parë të ditës.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohon se edhe në datën 5, disa subjekte po hasnin probleme në moslëshimin e faturave të fiskalizuara për shitjet me para në dorë. I Kontaktuar nga Monitor, AKSHI pohon se nuk janë konstatuar në tërësi probleme me funksionimin këto ditë të portalit SelfCare. Problematikat që mund të kenë pasur disa subjekte, sipas tyre mund të jenë krijuar nga mënyra e futjes të dhënave në portal apo në sistemet e certifikuara për faturim.
Në ditët e fundit të muajit dhjetor MFE shtyu periudhën pa penalitete edhe me 6 muaj për biznesin e vogël e parashikuar të përfundonte më 31 dhjetor 2021. Kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë se moszgjidhja e këtyre problemeve tregon se vendimi për shtyrjen e periudhës pa gjoba u mor pasi administrata nuk është gati për zbatimin e procesit. “Institucionet përgjegjëse për zbatimin e fiskalizimit nuk marrin përgjegjësi për problemet e krijuara. Më datën 4 janar nga problemet që u hasën në portalin SelfCare shumë rrjete të supermarketeve nuk mundën të kryenin furnizimin, pasi nuk mund të rrezikonin në lëshimin e faturave të pafiskalizuara. Problemet vijojnë. Disa biznese në datën 5 janar nuk lëshonin fatura të fiskalizuar për shitjet me cash. Të gjitha këto problematika tregojnë qartë se periudha pa gjoba nuk u shty se bizneset nuk janë gati të fiskalizohen, por ende nuk janë institucionet shtetërore që kanë detyrimin e zbatimit të procesit”.
Kontabilistët më herët kërkuan që problemet e ngritura prej tyre të vlerësoheshin se cila strukturë e administratës tatimore do të duhet t’i zgjidhte ato, si dhe kohën e mundshme të zgjidhjes së tyre dhe pastaj të merrej vendimi për shtyrjen e vendosjes së gjobave. Ekspertët kërkuan që shtyrja e kësaj periudhe të zbatohej edhe për biznesin e madh, pasi vendimi penalizon automatikisht këta të fundit.
Deri në mesin e muajit dhjetor u pajisën me certifikatë elektronike nga AKSHI, 90,000 subjekte apo 75% e bizneseve aktive.
Sotiraq Dhamo thekson se në vendimin e shtyrjes të periudhës pa gjoba duhej të vendosej një datë limit për aplikimin e tatimpaguesve për regjistrim në AKSHI për t’u pajisur me certifikatë elektronike, përtej të cilit të vendosen dhe penalitete me qëllim që të mos mundësohet shtyrja e pafund e zbatimit të këtij procesi.
Në konferencën e mbajtur nga kontabilistët në fund të muajit dhjetor u kërkua edhe shtyrja e disa proceseve të veçanta, si fiskalizimi në import apo fiskalizimi i pagesave, të cilat mund të aplikohen në një kohë pasi proceset thelbësore të jenë zbatuar. Kjo do t’i jepte kohën e mjaftueshme, sipas ekspertëve si administratës tatimore ashtu dhe tatimpaguesve që të ambientoheshin me këtë proces dhe të përgatiteshin për implementimin e tij të plotë. Nga ana tjetër, proceset thelbësore do të vijonin te përmirësonin dhe mbledhjen e tatimeve sipas planit të parashikuar./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.