Lamtumirë mesazheve ‘forward’ (zinxhir)… WhatsApp njoftoi se do të kufizojë dërgimin e mesazheve (forward) vetëm te një kontakt.
Kjo do të thotë që një përmbajtje të caktuar, të cilën e keni marrë nga persona të tjerë apo nga një grup – tekst, foto, video – nuk mund t’ia nisni menjëherë në të njëjtën kohë, pesë kontakteve të tjerë. Tani do të mund t’ia nisni vetëm një nga një. Qëllimi është për ta bërë më të ndërlikuar qarkullimin e lajmeve të rreme, që shpesh fshihen pikërisht në zinxhirët e mesazheve virale.
Ndalimi do të vijë me përditësimet e ardhshme të aplikacionit. “Vitin e kaluar prezantuam një funksion që ju jep mundësinë të dalloni mesazhet që janë dërguar shumë herë (forward) – lexohet në një postim në faqen zyrtare të chat-it – bëhet fjalë për një simbol, me një shigjetë të dyfishtë që dallon mesazhet me origjinë të dyshimtë. Duke nisur nga sot, këto mesazhe mund t’i nisni me radhë, një nga një, te një person apo grup i caktuar.
Megjithatë, jo të gjithë mesazhet forward janë të padobishme apo të dëmshme – në këtë mënyrë rrezikohen të ndërpriten zinxhirët e lajmeve, që në njëfarë mënyre, janë të dobishëm.
“Natyrisht jo të gjithë mesazhet forward përmbajnë lajme false apo janë keqinformuese – thonë përfaqësues të platformës – shumë përdorues dërgojnë informacione të dobishme, video argëtuese, meme apo reflektime që i mendojnë të rëndësishme”.
Kohët e fundit, WhatsApp është përdorur edhe për të organizuar manifestime në mbështetje të punonjësve të sistemit të shëndetësisë, të angazhuar në vijën e parë me të infektuarit prej virusit Covid-19. “Megjithatë, kemi parë dhe një rritje të ndjeshme të sasisë së mesazheve zinxhir. Shumë përdorues na kanë thënë se janë bezdisur nga këto mesazhe dhe se kanë frikë se ato mund të ndihmojnë në përhapjen e lajmeve të rreme. Ne mendojmë se është e rëndësishme të ngadalësojmë përhapjen e këtyre mesazheve, në mënyrë që WhatsApp të mbetet një vend dedikuar bisedave personale”.
Evolucioni i këtij instrumenti është befasues. Në fillim, për pjesën më të madhe të ekzistencës së WhatsApp, i krijuar në vitin 2009, ishte e mundur dërgimi i një përmbajtjeje te deri në 256 kontakte. Dhe mesazhe të tilla nuk ishin etiketuar në asnjë mënyrë. Gjithçka ndryshoi në disa tregje, si ai indian, ku qarkullimi i lajmeve të rreme kishte çuar në aksione të koordinuara kundër rrëmbyesve të dyshuar për fëmijë. Për këtë arsye, disa vjet më parë platforma, e cila përdoret nga 1.5 mld përdorues, nisi të eksperimentojë kufizime të këtij lloji – duke e çuar në 5 numrin e personave që mund të merrnin njëkohësisht të njëjtin mesazh. Kjo masë duket se funksionoi. Vitin e kaluar WhatsApp shpjegoi se norma e dërgimit kishte rënë me 25% në shkallë botërore
Pandemia e koronavirusit duket sikur i hodhi benzinë zjarrit. Duke rivënë në qarkullim lajme të çdo lloji – si për shembull kura kundër infeksionit, mbi origjinën e tij ‘artificiale’, mbledhjen e fondeve të rreme etj., etj. Kjo bëri që përfaqësues të lartë politikë, si për shembull kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, t’u lutej qytetarëve “që të ndalnin dërgimin e informacioneve të paverifikuara në grupet në WhatsApp”.
Në këtë link do të gjeni disa këshilla se si ta përdorni më së miri chat-in e Mark Zuckerberg dhe për të sinjalizuar lajme të rreme apo informacione të paverifikuara.
“Jemi duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me Organizata jofitimprurëse dhe ente qeveritare, ndër to Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe më shumë se 20 Ministri Shëndetësie në botë për të ndihmuar në sigurimin e informacioneve të besueshme te popullatat – pohojnë përfaqësues të WhatsApp – këto ente dhe organizata u kanë dërguar qindra mijë mesazhe nëpërmjet WhatsApp përdoruesve që kanë kërkuar informacione dhe këshilla”.