Yield-et e Bonove të Thesarit pësuan sërish një rënie të lehtë, duke konfirmuar edhe njëherë ndikimin e dobët të valës inflacioniste në tregun financiar vendas.
Bonot me maturim 12 mujor u shitën në ankandin e të martës me një yield-mesatar të ponderuar prej 1.67%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 1.7% i ankandit të mëparshëm. Përkundrejt një shume të shpallur për financim prej 8.7 miliardë lekësh, vlera e kërkesave të paraqitur në ankand arriti në gati 10.8 miliardë lekë.
Yield-i mesatar i ponderuar pësoi rënie në të njëjtën masë edhe për Bonot me maturim 6-mujor, duke rënë në 1.31%, nga 1.34% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fund të muajit gusht. Edhe këtu kërkesat arritën në mbi 1.5 miliardë lekë, ndjeshëm më shumë se shuma prej 931 milionë lekësh e shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Gjendja e qetë dhe likuiditeti i lartë në tregun financiar vendas po rezultojnë përcaktuese në ruajtjen e yield-eve të ulëta të instrumenteve të borxhit publik, megjithëse mjedisi ekonomik po trazohet nga shqetësimet e lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve, energjisë dhe mallrave të konsumit. Pasi kaloi pa shumë pasoja periudhën e pandemisë, tregu primar i titujve qeveritarë duket i qetë edhe në këtë fazë të rritjes së çmimeve në tregjet globale, që ka nisur të përcillet edhe në ekonominë vendase.
Autoritetet monetare, që kanë si objektiv kryesor ligjor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve besojnë se vala e rritjes së çmimeve do të jetë kalimtare dhe nuk do të japin ndikime afatgjata në inflacion. Muajin e kaluar, edhe Banka e Shqipërisë mbajti të njëjtin pozicion të shprehur më herët nga Banka Qendrore Europiane. Megjithatë, në deklaratën e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shprehej se efektet e rritjes së çmimeve do të jenë të ndjeshme dhe mund të kërcënojnë ritmin e rimëkëmbjes së ekonomisë në fazën e daljes nga pandemia. Shqetësimet më të mëdha lidhen me ndikimin që shtrenjtimi i naftës dhe energjisë elektrike mund të japë në koston e prodhimit dhe në rritjen e çmimeve të konsumit. Projeksionet e Bankës së Shqipërisë do të përditësohen të mërkurën, pas mbledhjes së radhës së Këshillit Mbikëqyrës.
Një faktor që mund të ulë ndjeshëm presionin mbi yield-et në tregun e brendshëm në vazhdim është vendimi për të emetuar 700 milionë euro eurobonde në tregjet e huaja brenda këtij viti. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, eurobondi do të financojë deficitin buxhetor, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të huamarrjes në tregun e brendshëm. Kjo lëvizje do të ulë kërkesën për financim dhe do të rrisë likuiditetin e lirë në tregun e brendshëm, duke shërbyer edhe si levë për uljen e yield-eve. Një tendencë e tillë u vërejt qartë në gjysmën e dytë të vitit 2020, pas emetimit të eurobondit të fundit. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.