Sipas një vrojtimi të INSTAT rezulton që në Shqipëri në periudhën 2009-2013 janë kthyer gjithsej 133.544 shtetas shqiptarë të moshës 18 vjeç e lart.
Situata financiare e të kthyerve krahasuar me atë jashtë vendit në kohën e vrojtimit ka ndryshuar ndjeshëm. Shumica e të kthyerve shohin situatën e tyre financiare të pandryshuar (41.3%), 38.8% e tyre kanë situatë financiare më të rënduar pas kthimit, ndërsa vetëm për 20% situata financiare është përmirësuar.
Pas kthimit të tyre në Shqipëri, pjesa dërrmuese e të kthyerve nuk ka ndërmarrë ndonjë investim, 92% kundrejt 8% që kanë investuar për të realizuar të paktën një projekt.
6 shpjegon arsyet pse të kthyerit nuk kanë investuar në vendin e tyre. Tre arsye janë më të qarta: 1. Kapital i pamjaftueshëm, që kufizon disponueshmërinë e burimeve financiare të nevojshme për të filluar një biznes; 2. Mungesa e ndonjë planifikimi paraprak për të bërë ndonjë investim në Shqipëri; 3. Mungesa e përvojës dhe trajnimit për investimin; Mes arsyeve të përmendura, të dhënat tregojnë që kufizimet administrative dhe institucionale si edhe tregu i pamjaftueshëm janë arsye që nuk kanë lehtësuar investimet
Mes atyre që kanë investuar në vendin e tyre, 61.5% kanë hasur probleme gjatë investimit. Mes vështirësive të hasura, 52% e të kthyerve që kanë investuar në vendin e tyre kanë përmendur konkurrencën si vështirësi kryesore, të ndjekur nga kapitali i pamjaftueshëm (46%), mungesa e përvojës (40.0%), kufizimet administrative dhe sfidën menaxheriale që kanë qenë vështirësi për 39% të të kthyerve.
42.5% e emigrantëve shqiptarë janë kthyer në Shqipëri së bashku me familjarët e tjerë. 77% e tyre janë shoqëruar nga bashkëshorti/bashkëshortja, ndërsa 19% dhe 35% janë ndjekur nga fëmijët e rritur dhe të mitur përkatësisht.
Përgjigja më e shpeshtë lidhet me krizën ekonomike dhe financiare që ka shkaktuar humbjen e punës në vendin e emigracionit për 63.2% të të kthyerve. Në përgjithësi, arsyet “problem” mbizotërojnë ndaj arsyeve “mundësi”. Vetëm 10.2% e të kthyerve janë kthyer me plane për investim në Shqipëri dhe 13.2% kanë shpresuar për mundësi më të mira pune. 5.4% kishin ngritur tashmë një biznes dhe ishin kthyer për ta menaxhuar. Një fakt interesant është që arsyet jo ekonomike si “Malli për vendin dhe traditat” kapnin një përqindje të ndjeshme prej 25.9% të përgjigjeve.
Ky krahasim ndërmjet vendit të banimit të zakonshëm dhe qëndrimit pas kthimit tregon që migracioni i kthimit është i lidhur me rivendosje të brendshme të popullsisë. Tendenca e të kthyerve është që të vendosen në qarqet me zhvillim të lartë social-ekonomik ku mund të realizojnë planet e tyre të jetës. Një konstatim interesant është ndikimi i migracionit të kthimit në qarqe ku janë vendosur të kthyerit. Raporti i migracionit krahasuar me popullatën e banorëve duket se është më i lartë në qarkun e Tiranës, Gjirokastrës, Dibrës dhe Lezhës. Ky konstatim mund të përdoret si tregues për ofrimin e mbështetjes për ri-integrim në këto qarqe nga institucione shtetërore për të trajtuar më mirë sfidat që dalin nga migracioni i kthimit.
Në lidhje me lëvizshmërinë e migrantëve, vrojtimi tregon që 64% e të gjithë të pyeturve janë larguar nga Shqipëria vetëm një herë që të jetojnë jashtë vendit, ndërsa 10% kanë emigruar të paktën 3 herë. Siç shihet në Figurën 6, shumica e migrantëve që kanë emigruar një herë kanë jetuar jashtë vendit për 5 vjet ose më shumë (39%). Përkundrazi, për ata që kanë migruar tre ose më shumë herë, kohëzgjatja e qëndrimit varion ndërmjet një dhe dy viteve, 4% dhe 3% e të kthyerve, përkatësisht. Pjesa dërrmuese e të kthyerve shqiptarë (45%) kanë pasur një përvojë relativisht të gjatë migracioni me kohëzgjatje qëndrimi jashtë vendit prej 5 ose më shumë vitesh, gjë kjo që është qartazi e lidhur me ato raste që kanë pasur më pak lëvizshmëri. Ata që kanë lëvizur më shumë (3+ herë) kanë pasur më shumë mundësi që të kenë një përvojë relativisht të shkurtër migracioni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.