Shanset për të arritur një marrëveshje mes kreditorëve dhe Greqisë në takimin e të enjtes duken të pakta. Angela Merkel, kancelarja gjermane, tha në Berlin se për fat të keq ajo nuk kishte parë shenja të lehtësimit të situatës së bllokuar midis Athinës dhe kreditorëve të saj.
Yanis Varoufakis, ministri grek i financave, ka pohuar të martën se ai nuk synon të sjellë propozime të reja në takim, duke nxitur përgatitje të reja për një falimentim të mundshëm grek, sipas zyrtarëve te eurozonës.
Zyrtarë të tjerë thonë se ka një plan rezervë nëse dështojnë bisedimet, përfshirë një samit emergjence të eurozonës të dielën. Këto përgatitje përfshijnë përgatitjen e terrenit për kontrollin e kapitalit, në mënyrë që të parandalohet një krizë në sektorin financiar grek, thanë zyrtarët.
Divergjencat mes palëve duket se janë shtuar ditët e fundit kur Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, akuzoi qeverinë e Athinës se keqorienton popullin grek lidhur me propozimet e kreditorëve për të zgjidhur krizën e borxheve të Greqisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.