Sipërmarrja joproduktive është shndërruar në diçka të zakonshme në Amerikë. Administrata Trump nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë trend
A është Amerika duke nxitur llojin e gabuar të sipërmarrjes? Po, është përgjigjja e dy ekonomistëve, Robert Litan dhe Ian Hathaway, të cilët e kanë argumentuar përgjigjen e tyre në një artikull të publikuar së fundmi në Harvard Business Review.
Sipas pikëpamjes së tyre, “kërkesa për qira”, që nënkupton shfrytëzimin e marrëdhënieve të veçanta me qeverinë për të siguruar shpenzime publike ose për të fituar mbrojtje rregullatore nga konkurrenca me shpenzimet e të tjerëve, është në rritje, shkruan The Economist.
Nga ana tjetër, sipërmarrja produktive, e cila gjeneron pasuri mbi bazën e krijimit të produkteve dhe shërbimeve të reja dhe më të mira, është duke shënuar rënie.
Që nga nëntori i kaluar, kur z. Trump u zgjodh President, ai ka paguar më shumë se 40 vizita në pronat e korporatës Trump. Klubi i tij “Mar a Lago” në Florida ka regjistruar dy herë më shumë fitime në krahasim me dy vjet më parë. Miqtë e familjes së tij kanë pushtuar zyrat qeveritare që mbikëqyrin pjesët e perandorisë së biznesit Trump. Administrata ka punësuar dhjetëra lobistë të mëparshëm, shumica e të cilëve punojnë pikërisht për çështjet për të cilat kanë lobuar më parë.
Por z. Litan dhe z. Hathaway nuk e shqetëson shumë administrata aktuale e korruptuar. Ata e shikojnë një situatë të tillë në një këndvështrim më të gjerë.
Argumenti i tyre bazohet në punën e ekonomistit William Baumol, i cili përdori teorinë e tij të sipërmarrjes produktive dhe joproduktive në një përpjekje për të shpjeguar dallimet në rritjen e produktivitetit në vende të ndryshme dhe me kalimin e kohës. Për shembull, ai studioi rënien e granteve mbretërore të monopolit në shekullin e 18, duke argumentuar se kjo ndihmoi sipërmarrësit britanikë të largoheshin nga shpenzimet e tyre të mëparshme dhe duke favorizuar inovacionin më produktiv bujqësor dhe industrial.
Duke iu referuar historisë ekonomike të kohëve të fundit, të dy ekonomistët zbulojnë se gjërat po lëvizin në drejtimin e kundërt. Në vitin 2009, numri i bizneseve që u mbyllën, e tejkaloi numrin e sipërmarrjeve të reja, për herë të parë në tre dekada, një shenjë kjo që tregonte se aktiviteti i sipërmarrjes produktive ishte në rënie.
Por çfarë e shpjegon këtë ndryshim? Një faktor duket se është suksesi i grupeve të ndryshme profesionale, të bindin qeverinë për të përshtatur rregulloren sipas nevojave të tyre, për shembull duke lobuar për licencimin profesional.
Jason Furman, atëherë kryetari i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, vuri re në vitin 2015 se pjesa e fuqisë punëtore amerikane e mbuluar nga ligjet e licencimit të shtetit u rrit nga më pak se 5% në vitet 1950 deri në 25% në vitin 2008, duke argumentuar se kjo e pengoi konkurrencën e re. Përhapja e licencimit në punë mund të shihet edhe si një rregullim i dëmshëm.
Ndërsa sektorë të tjerë janë të rrënuar nga e kundërta. Jeffrey Zhang, një ekonomist i Rezervës Federale, argumenton se derregulimi bankar në vitet 1990 çoi në përqendrim të shpejtë të bankave krahas nivele “sub-optimale më të larta të marrjes së rrezikut”. Si rezultat, pagat e punonjësve të nivelit të lartë të bankave u rritën me shpejtësi.
Kërkimi i qirasë i aktivizuar nga derregulimi financiar luajti një rol të rëndësishëm në rritjen e pabarazisë së të ardhurave: bankierët ishin në gjendje ta kthenin sistemin në favor të tyre dhe në dëm të të gjithë të tjerëve, përfundon z. Zhang.
Suksesi i një lobimi të tillë varet nga ndikimi që do të kishte në qeveri. James E. Bessen, një ekonomist në Universitetin e Bostonit, lidh përfitimet e larta nëpërmjet avantazheve rregullatore ndaj faktorëve politikë, duke përfshirë lobimin dhe shpenzimet e fushatës. Argumentimi i z. Bessen është mbështetur edhe nga ekonomistë të tjerë.
Jeffrey R. Brown dhe Jiekun Huang, dy studiues që shkruajnë për Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike, përdorën të dhënat nga shënimet e vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Obamës për të treguar se takimet ndërmjet drejtuesve të kompanive me stafin e Shtëpisë së Bardhë u shoqëruan me një rritje të çmimit të aksioneve të kompanisë së tyre, me shumë kontrata qeveritare dhe vendime pozitive rregullatore.
Çmimet e aksioneve të kompanive që kishin më shumë akses në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Obamës patën rënie të madhe kur u shpall rezultati i zgjedhjeve të 2016-s.
Do të jetë e vështirë të përsëritet e njëjta analizë edhe për administratën e z. Trump, pasi ajo e ka ndaluar botimin e regjistrave me shënimet e vizitorëve. Por gjithkush mund të supozojë fare mirë se z. Trump nuk do të kufizohet në rritjen e pasurisë së familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ai ka deklaruar se ndryshimet që administrata e tij po planifikon të bëjë në rregullimin financiar do t’i bëjnë bankierët “shumë të lumtur”, duke hequr disa nga rregullat e vendosura pas krizës globale financiare.
Lidhjet e ngushta midis industrisë dhe qeverisë nuk përfundojnë gjithmonë keq. Këtu mund të përmendim shembullin e konglomerateve në pronësi të familjes në Korenë e Jugut, të cilat ishin forca që fshiheshin pas rritjes dramatike të prodhimit në vend që përfituan nga heqja e barrierave të vendosura nga qeveria dhe mbi të gjitha, nga mbështetja financiare.
Por lidhjet e tyre të forta me qeverinë kanë nxitur hetime të ndryshme për ryshfet dhe përvetësim. Si edhe në shumë vende të tjera, ky lloj i kapitalizmit të ndërgjegjshëm ka nxitur stanjacion dhe jo rritjen e forcuar.
Rusia, ku shumë njerëz kanë parë përmirësime zhgënjyese në standardet e tyre të jetesës që kur Bashkimi Sovjetik u rrëzua në vitin 1991, është një prej shembujve kryesorë. Ndoshta z. Trump mund t’i kërkojë z. Putin disa këshilla se si të mos ketë edhe ai një fat të ngjashëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.