AMG vs Porsche

08/01/2018 9:30 AM 0 komente

Ka garë automobilistike në Shtutgart: nga njëra anë lagjja e Affalterbach, e cila me modelin GT Concept shpallet anti-Porsche dhe nga ana tjetër, lagjja Zuffenhausen, e cila i përgjigjet duke dyfishuar gamën e Panamera-s

 

Për dekada me radhë, të pasionuarit kanë vrarë mendjen për një enigmë në pamje të parë pa zgjidhje: a ka ndonjë markë të aftë për të konkurruar Porsche? Një përgjigje e qartë, në fakt, nuk ekziston. Jaguar, me stemën dhe gamën e saj të fortë dhe moderne nuk ka pse ta ketë fort zili, por nga ana tjetër, është edhe Maserati, e cila po rishfaqet pasi ka shkundur pluhurin e kohës.

Por, për arsye të natyrës së ndryshme, që të dyja ato, kanë ngjyrime paksa të ndryshme nga rivalja. Në vitet e fundit, megjithatë, është vërejtur një “sulm” i ri nga ana e Zuffenhausen, të cilin e ka sjellë pikërisht një markë që i ka rrënjët nga Shtutgarti: ajo AMG. E pranuar si konstruktore nga Mercedes-Benz, ajo ka nënshkruar një deklaratë të vërtetë lufte ndaj “komshiut” të fuqishëm.

 

KONKURRENCË NDAJ PANAMERA

“Sebepi” erdhi në tokën neutrale të Gjenevës, në formën e GT Concept AMG. Një prototip ky, aq “i pafytyrë” në qasjen e tij si anti-Panamera, saqë krijoi një sfidë të vërtetë në dëm të komshinjve, përveçse tregoi besim të madh nga ana e Affalterbach ndaj mjeteve të veta.

Duke paraprirë një model serie – prodhimi është planifikuar për vitin 2019, sipas njoftimit zyrtar te vetë kompanisë prodhuese – kjo coupé me pesë dyer, bazohet në idenë fillestare të konkurrencës, duke shpalosur një interpretim edhe më shumë dinamik. Kofano e gjatë, tavan i ulët, bisht i hollë: për të merituar siglën GT, janë të gjitha premisat.

“Me këtë concept”, deklaroi në Gjenevë, Gorden Wagener, kreu i departamentit të dizajnit të Mercedes-it, ‘theksojnë pavarësinë e AMG si një markë më vete”. Një rol i rëndësishëm, pra, i theksuar edhe më shumë falë zgjedhjeve mekanike, të cilat, në fakt, krijojnë ura lidhëse mes tre kampionateve të fituar në Formula 1 (deri më tani, të gjitha i takojnë erës hibride), dhe prodhimit të serisë, duke i hapur rrugë, nën siglën e markës EQ (e kudo ndodhur tashmë tek të gjitha makinat Mercedes me motor elektrik), motorit të parë hibrid për modelet AMG. Një përbindësh i vërtetë, nëse shikojmë shifrat.

Kjo, edhe sepse, zgjedhja e motorit bazë termik, atij 4.0 V8 biturbo, mjafton për të arritur shifra jashtë katalogëve: me fuqi të përgjithshme 600 kW (816 kf), 0-100 km/h në më pak se tre sekonda. Merita i takon traksionit integral 4Matic+, i arritur në sajë të një layout-i tërësisht të ri, me motorin elektrik të lidhur direkt me rrotat e pasme dhe sistemin torque-vectoring, i cili mundëson kontrollin e shpërndarjes së momentit përdredhës në secilën rrotë.

 

AS STATION, AS SHOOTING BRAKE

Ndërkohë që AMG ka shkruar të zezë në të bardhë premisat për një super makinë “race”, nën maskën e një veture të thjeshtë sportive, Porsche sigurisht nuk ka qëndruar duarkryq mbi një gamë, e cila ndërkohë i jep kënaqësi të madhe (dhe sigurisht edhe shifra të larta në shitje). Kështu pra, duke qenë gjithmonë e më shumë nën presion nga rritja e numrit të rivalëve, Panamera ka zgjedhur strategjinë më të mirë mbrojtëse. Duke u hedhur në sulm me një variant të dytë karrocerie, e cila ishte njoftuar disa kohë më parë, me anë të një makine concept, të prezantuar në Sallonin e Parisit në vitin 2012, dhe nga e cila mbeti emri: Sport Tourism.

Kjo “bishë”, në fakt, është e vështirë të kuadrohet: muaj më parë, Bloomberg e kishte quajtur modeli station i Porsche, dhe është e vështirë të imagjinohet një përkufizim më pak real se ky, duke konsideruar edhe reagimet që pasuan njoftimin. I pavend, për më tepër, ishte edhe përdorimi i etiketës shooting-brake, e cila etimologjikisht duhet t’i referohet vetëm modeleve station me tre dyer.

 

PANAMERA-A8, E ARDHME E PЁRBASHKЁT

Cilido qoftë geni estetik i modelit Sport Turismo, natyra e tij teknike është e sigurt. Ajo rrjedh e gjitha nga modeli Panamera: me përjashtim të derës së pasme që i ngjan një modeli sportiv familjar dhe bagazhit pak më të madh (520 litra përkundrejt 500), modeli i ri me pesë dyer ka të njëjtin konfigurim mekanik me variantin tjetër: në debutim, do të shohim në fushë modelin Panamera 4 (3.0 V6 turbo 330 kf), modelin 4S (2.9 V6 turbo 440 kf), modelin turbo (4.0 V8 550 kf), modelin 4S Diesel (4.0 V8 422 kf) dhe atë E-Hibrid (2.9 V6 turbo 462 kf).

I përbashkët edhe kroskoti dixhital, drejtimi i asistuar dhe, përgjithësisht, edhe platforma Msb, e cila formon skeletin e këtij modeli, dhe që në të ardhmen, mund të takohet me platformën Mlb të Audi-t, me synim uljen e kostove. Këtë la të kuptohet administratori i Grupit VW, Matthias Müller, gjatë prezantimit të rezultateve financiare: “A8 dhe Panamera do të kenë një bazë të përbashkët”.

 

HYPERCAR AMG: THUAJSE FORMULA 1

Nuk ka vend për fjalë të tepërta. Do të merret motori i Formula 1 – po, po, motori 1.6 V6 turbo-hibrid i modelit W08 të drejtuar nga Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas – dhe do të vendoset në kofanon e makinës sportive.

Sigurisht që do të bëhen disa përshtatje, por teknikët e Brixworth në Britaninë e Madhe, atje ku projektohen motorët e modeleve të garave, nuk do të prekin asgjë në strukturë. Motori i destinuar për Project One – ky është emri i koduar i kësaj hypercar, me të cilën AMG do të festojë pesëdhjetë vitet e saj në historinë e makinave – do të ketë një shpejtësi rrotullimi shumë të madhe: Moers, administratori i markës, foli për rreth 11 mijë xhiro. Edhe fuqia gjithashtu do të jetë e lartë: mbi 1000 kf, të arritura nga sistemi.

Të tilla shifra, tregojnë qartë ambiciet e AMG, që synon të sfidojë “përbindëshat” e tjerë (“kalin e shenjtë”, sidomos), të konsideruara të paprekshme deri më tani. Project One, megjithatë, do të mbetet një ëndërr vetëm për shumë pak njerëz: për 275 makina të planifikuara, çmimi i kërkuar është rreth 2,3 milion euro. Ekzemplarët e parë do të dalin në treg vetëm në fund të vitit 2018, në të njëjtën kohë me një tjetër model që rrjedh nga F1: modelin Aston Martin Valkyrie (tashmë AM-RB001), projektuar nga Adrian Newey.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz