Barazia gjinore, gratë shqiptare me përfaqësimin më të lartë në rajon në postet ministrore  

07/12/2017 8:00 AM 0 komente

Barazia gjinore është një nga çështjet më të lakuara në mijëvjeçarin e ri dhe mesa duket Shqipëria, të paktën për sa i përket posteve ministrore ka bërë hapa para. Nga të dhënat e OurWorldinData, Shqipëria ka përqindjen më të larta të grave që kanë poste ministrore. Në vitin 2016, 40 për qind e posteve mbaheshin nga gratë, një shifër shumë më e lartë se të gjitha vendet e tjera të rajonit, por edhe në botë.

Nga të dhënat pesha e ministrave femra është dy herë më e lartë se në Maqedoni, ku femrat përfaqësojnë vetëm 26.3 për qind të posteve, dyfish më shumë se në Bosnjë ku përfaqësimi është vetëm 22.2 për qind  dhe se në Greqi 21.1 për qind.

Përfaqësimi i grave është shumë më i ulët në Malin e Zi, ku vetëm 20 për qind e posteve përfaqësohen nga gratë. Turqia renditet e fundit ku vetëm, 3.8 për qind e posteve ministrore kanë një grua si drejtuese.

Vendet me përfaqësimin më të lartë të grave

Ndër vendet që kanë përqindjen më të lartë të posteve që drejtohen nga gratë janë vendet si Kanadaja, vendet Skandinave, disa vende të BE-së, si Spanja, Franca, vendet e Beneluksit, dhe Gjermania.

Normë të lartë të përfaqësimit në poste ministrore ka edhe Afrika e Jugut. Në këto vende gratë tejkalojnë numrin e burrave në kabinet.

 Vendet me përfaqësimin më të ulët

Në vend të parë, sigurisht, janë vendet e botës arabe, ku në një pjesë të tyre gratë nuk janë të lejuara që të marrin pjesë në votim.

Në përgjithësi edhe vendet e Europës Lindore kanë një normë të ulët të përfaqësimit në kabinetin qeveritar.

Nga harta e publikuar, përpos vendeve arabe, edhe shtetet që kanë dalë apo vijojnë të jenë pjesë e regjimeve komuniste kanë përfaqësim të ulët të grave në kabinet.

Përqindje të ulët ka edhe Amerika Latine, veçanërisht Brazili, ku më pak se 10 për qind e posteve përfaqësohet nga gratë.

Normë të ulët përfaqësimi kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 26 për qind e posteve ministrore drejtohen nga gratë. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, kandidatja e Partisë Demokratike, Hillary Clinton ishte shumë pranë fitores. Të qenët femër u cilësua nga shumë analistë si një pikë e fortë e zonjës Clinton për të fituar votat e gjinisë femërore në mbarë Amerikën.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz