Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, Bosnja dhe Hercegovina (BiH) përballet me sfida të mprehta sociale dhe ekonomike.
Ndërsa shumë prej njerëzve të saj janë larguar nga vendi dhe shpesh kanë arritur sukses në pjesë të tjera të Europës, ekonomia vendase është e paqëndrueshme dhe larg standardeve europiane të jetesës. Vendi ka tre pabarazi të mëdha reciprokisht përforcuese që duhet të korrigjohen:
Një sektor i madh publik dhe kufizim në krijimin e mirëqenies private, BiH zotëron në mënyrë disproporcionale një sektor të madh publik, që daton nga koha e Jugosllavisë dhe është reformuar vetëm pjesërisht që nga ajo kohë. Shpenzimet publike përbëjnë gati gjysmën e PBB-së dhe, në qoftë se shtohen edhe ndërmarrjet shtetërore (NSH) dhe kostot e korrupsionit, sektori publik mund të arrijë në gati 70% të PBB-së. Kjo nuk është një shifër shumë më e vogël se ajo e viteve 1980!
Edhe pse shpenzimet publike janë të larta, ato nuk favorizojnë të varfrit. Për shembull, nga shpenzimet e larta për mbrojtje sociale të pasurit përfitojnë pothuajse aq sa të varfrit. Ndërsa NSH-të sigurojnë punësim (madje edhe në disa raste ekstreme kur fabrikat nuk operojnë më), ato gjenerojnë gjithashtu fatura, të cilat në fund të fundit paguhen nga tatimpaguesi. Nga ana tjetër, kjo krijon një spirale negative: taksat janë të larta dhe që ndikojnë negativisht punësimin.
Një sistem i “hekurt” tatimor “gllabëron” mbi një të tretën madje edhe të pagave më të ulëta të punëtorëve, duke e bërë pothuajse të pamundur që punëdhënësit të krijojnë vende pune formale. Dhe punëdhënësit “goditen” nga mjedisi më i keq i biznesit të rajonit – pjesërisht rezultat i një eksesi regjimesh rregullatore. Një ekonomi e bazuar në konsum dhe jo prodhim. Gjatë rimëkëmbjes ekonomike të pasluftës, BiH nuk hodhi themelet e reja për rritje të qëndrueshme ekonomike. Flukset financiare dhe veçanërisht ndihma dhe remitancat – mesatarisht rreth 20% e PBB-së – ushqyen rritjen ekonomike të bazuar në konsum. Sot, konsumi mbetet në mbi 100% të PBB-së, ku vetëm një pjesë e vogël e vendeve shënojnë shifra më të larta.
Për të mbështetur nivele të larta të të ardhurave, për të krijuar prosperitet, dhe për të eliminuar varfërinë, BiH do të duhet të zhvendoset drejt një modeli ekonomik të ndërtuar mbi prodhimin e mallrave dhe shërbimeve në vend se mbi konsum.
Një sektor eksporti me performancë të dobët. Eksportet vlerësohen në vetëm 30% të PBB-së, një nga vlerësimet më të ulëta në Europë dhe një shenjë e konkurrencës së dobët të vendit.
Kjo buron nga klima e dobët e biznesit, kostoja e lartë e punësimit dhe lidhjet e varfra të transportit (vlerësuar si ndër më të këqijat në Europë për të gjitha format e transportit nga Forumi Ekonomik Botëror). Nëse BiH eksporton po aq sa gjatë kohës së Jugosllavisë, eksportet e saj do të jenë tri herë më të larta. Arritja e këtij niveli sot do të kërkonte firma që mund të konkurrojnë ndërkombëtarisht.