Ekspansioni i mikrofinancës

14/09/2018 10:11 PM 2 komente

Kreditë nga institucionet financiare jobanka janë rritur me ritme dyshifrore vitet e fundit. Si po rritet tregu i mikro-huave, sfidat dhe konkurrenca që po vjen nga bankat

 

Nga Blerina Hoxha

 

Shtrëngimi, deri në fund, i rubinetit të kredisë nga bankat, po nxit zhvillime në tregun financiar jobankar, sidomos në sektorin e mikrofinancës. Ekonomia e Shqipërisë, e bazuar më së shumti në mikrondërmarrje (94% e totalit të bizneseve) është joshëse për kredi me kacidhe, por teksa tregu tenton të zgjerohet, mbikëqyrja e tij është e vështirë dhe shpeshherë bie pre e pastrimit të parave. Vitin e kaluar, 5 operatorët e mikrofinancës që kanë licencë për këtë qëllim nga Banka e Shqipërisë, zgjeruan kredinë me ritmet 20%, kurse kredia nga bankat nuk pësoi asnjë ndryshim.

Portofoli i kredisë mikro nga jobankat arriti në 15,5 miliardë lekë, duke zënë vetëm 2.8% të totalit të kredisë bankare, por po rritet me ritme të larta, duke zgjuar interesin e investitorëve të huaj. Tregu i mikrofinancës dominohet kryesisht nga operatorët me kapital vendas, por së fundmi interesi i shoqërive të huaja për të operuar në këtë fushë është rritur. Zhvillimet interesante lidhen me faktin se investimet po vijnë nga vende jashtë BE-së ku dominon kapitali rus.

Gjatë vitit të kaluar, mori licencën nga Banka e Shqipërisë operatori më i ri i tregut Kredo Finance, me kapital rus.

Banka e Shqipërisë aktualisht po shqyrton dokumentacionin për të licencuar në sektorin e financiar jobankar për mikrokredi kompaninë tjetër, Digital Finance, po me kapital rus.

Tregu shqiptar i mikrofinancës ka një histori zhvillimi rreth 25-vjeçare, por sot rreth 60% e tij zotërohet nga Fondacioni Besa, teksa operatorët e tjerë NOA, Iute Credit, FAF, Kredo Finance zotërojnë pjesën tjetër të tregut.

Aktorët e vjetër të tregut janë të shqetësuar për shtrembërime të konkurrencës. Altin Muça, drejtori i Marketingut në Fondin Besa, tha se disa operatorë nuk po respektojnë rregulloret shqiptare për transparencën në lidhje me normat e interesit. Ai thotë se ka ardhur koha që të miratohet një ligj i ri për mikrofinancën dhe mbikëqyrja duhet të forcohet pasi sektori, sipas edhe praktikave ndërkombëtare, bie pre e pastrimit të parave.

Banka e Shqipërisë, në dijeni të këtij fakti, siguroi se, vitin e kaluar në kuadër të një rregulloreje të re për pastrimin e parave, u përfshi në deklarimin e transaksioneve edhe sektori i mikrofinancës. Burimet nga Banka e Shqipërisë pohuan se interesi për hyrje në këtë treg është i madh, porse aktualisht është në proces licencimi vetëm një kompani, përveç pesë operatorëve aktualë.

 

Me rritje të qëndrueshme

Sektori i mikrofinancës arriti një total aktivesh 23 miliardë lekë më 2017, nga rreth 21 miliardë lekë që ishin më 2015 dhe 18 miliardë lekë më 2012. Shoqata e Shoqërive të Mikrokredisë e konsideron një rritje e rëndësishme, duke marrë në konsideratë krizën financiare të viteve të fundit, si dhe ristrukturimin e sektorit. Portofoli i kredisë nga sektori jobankar i mikrofinancës arriti në 15.4 miliardë lekë (115 mln euro), më 2017 duke u zgjeruar me 20% vitin e kaluar.

Fondi Besa dhe NOA janë operatorët më të mëdhenj të tregut të mikrofinancës, pasi të dyja së bashku zunë gati 90% të portofolit të kredisë më 2017. Pjesa e tjetër e tregut ndahet ndërmjet operatorëve të tjerë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektorët më të financuar nga mikrofinanca janë “riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (25.6%); “të tjera” (22.4%); dhe “bujqësia, gjuetia dhe silvikultura” (19.3%).

 

Fondi Besa, rritje me ritme dyshifrore

Në dy vitet e fundit, Fondi Besa rriti me ritme dyshifrore portofolin e kredisë. Në fund të vitit 2017 arriti në 8.4 miliardë lekë, me një rritje 22% në raport me një vit më parë. Altin Muça, drejtori i marketingut në Fondin Besa, tha se rritja ka ardhur nga kombinimi i shumë faktorëve, por përmirësimi i rritjes ekonomike dhe investimet e kompanisë dhanë ndikimin kryesor.

Kompania pati vitin e kaluar një kthim nga kapitali mbi 19%, një shifër e kënaqshme në krahasim me operatorët e sektorit financiar, sidomos tregut bankar ku kthimi nga kapitali është shumë herë më i ulët.

Aktivet e Fondit Besa arritën në 10.2 miliardë lekë më 2017, me një zgjerim mbi 15% në krahasim me vitin 2016. Besa ka angazhuar rreth 500 punonjës në më shumë se 70 zyra në të gjithë vendin. Kredia kumulative arriti në 62 miliardë lekë dhe aktualisht janë aktivë mbi 30 mijë klientë. Fondi Besa është 100% kapital shqiptar.

“Qëllimi ynë ishte tërheqja e klientëve të rinj, çka rezulton në nivelin 48% nga të gjithë disbursimet e vitit, duke ruajtur dhe duke përmirësuar në vazhdimësi marrëdhëniet me klientët ekzistues. Niveli i ruajtjes së klientelës aktive rezulton 67%. Këta janë tregues të përpjekjeve për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit dhe një rritje të qëndrueshme në vitet e ardhshme. Kreditë e këqija në Fondin Besa vazhdojnë të mbeten në nivele të ulëta, 3.25% në fund të dhjetorit 2017”, tha Muça.

Fondi Besa ka trashëguar aktivitetin që në vitin 1994, kur nisi aktivitetin si Departament i Mikrokredisë Urbane në kuadër të Fondit të Zhvillimit Shqiptar. Më vonë, në vitin 1999, u themelua Fondi Besa si një organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, me themelues Fondacionin Soros. Në vitin 2008 mori licencën nga Banka e Shqipërisë, si Institucion Financiar Jo-Bankë

 

NOA, rritja vazhdon

NOA është operatori i dytë më i madh në sektorin e mikrokredisë. Sipas të dhënave nga bilancet zyrtare, aktivet e NOA arritën në 4,3 miliardë lekë në vitin 2017, me një zgjerim 2,3% në krahasim me vitin 2016.
NOA sh.a. është një shoqëri aksionere shqiptare e vendosur në Tiranë, e cila vepron në fushën e mikrokredisë për individë dhe Shoqëri të vogla dhe të mesme.

Ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1999 si PSHM (Partneri Shqiptar në Mikrokredi) dhe më vonë si Opportunity Albania. Në 2010-n, aksionet e Shoqërisë u blenë nga NOA Holdings N.V, një entitet i huaj i themeluar në Holandë. Shoqëria mëmë përfundimtare është Amryta Capital LLP me bazë në Londër. Në 2011-n, emri i shoqërisë u ndryshua nga Opportunity Albania në NOA SH.A. Më 31 dhjetor 2017, struktura e aksionerëve të NOA SH.A. është NOA Holding N.V. me 99.99% të aksioneve dhe NOA Cooperatief U.A. 0.01%. Ajo ka 21 degë dhe filiale në të gjithë vendin, duke mbuluar me shërbime mbi 90% të territorit.

 

Estonezët e IuteCredit, rritje me shpejtësi

IuteCredit Albania prej tre vitesh operon në tregun shqiptar të mikrofinancës dhe është me pronësi estoneze. Aktivet e shoqërisë shënuan rritje të shpejtë më 2017, duke u zgjeruar me mbi 200%. Vlera e tyre arriti në 829 milionë lekë në fund të 2017 nga 268 milionë lekë që ishte në vitin 2016. Investimet nga vendet e veriut nuk janë të zakonta për Shqipërinë, por së fundmi bizneset nga këto vende kanë strategji të mirëmenduara për tregun e mikrofinancës në vendet në zhvillim. Gjithashtu, portofoli i kredisë i kaloi të 700 milionë lekët më 2017-n, duke u trefishuar në krahasim me një vit më parë. IuteCredit ka zgjeruar më tej pozicionin në treg këtë vit, duke blerë 100% të aksioneve të shoqërisë FINAL SH.A., një kompani tjetër me aktivitet në mikrofinancë, aksioner i së cilës ishte edhe BalfinGroup.

 

Kredo Finance, me hapa të shpejtë

Kredo Finance, operatori më i ri në tregun e mikrofinancës jobankare, e nisi aktivitetin në nëntor të vitit të kaluar. Megjithëse pak më shumë se një muaj aktivitet, Kredo Finance raportoi një total aktivesh prej 29 milionë lekësh dhe një portofol kredie prej 12 milionë lekësh. Kredo Finance e mbylli vitin me 12 milionë lekë humbje, por këtë vit është marketuar fort në shërbimet online të dhënies së kredive. Ajo ka në fokus kredinë e shpejtë dhe me aftësi të shpejta maturimi.

Nëpërmjet një bisede telefonike, oficeri i kredisë në Kredo Finance tha se shoqëria jep hua me interes zero deri në 15 mijë lekë dhe për afate kthimi deri në muaj. “Në këtë mënyrë, ne synojmë të krijojmë profilin dhe të dhënat për klientët tanë. Pasi të keni shlyer vlerat me interesa zero, ne mund t’iu kreditojmë sërish në vlera më të larta. Një klient fillestar në Kredo nuk mund kreditohet më shumë se 22 mijë lekë”, – tha oficeri i kredisë.

Kredo jep hua me afate të shkurtra deri në 30,000 lekë për t’u paguar vetëm me një këst brenda 7, 14 ose 30 ditëve. Por nëse merr 15 mijë lekë dhe do ta shlyesh atë për 12 muaj, kredimarrësi do të paguajë gjithsej deri në fund të periudhës 27120 lekë më shumë. Interesi vjetor i kësaj mikrokredie shkon 80%.

 

Hyrja e re ruse Digital Finance, në pritje të licencës

Banka e Shqipërisë po shqyrton dokumentacionin për dhënien e licencës ndaj një operatori të ri në sektorin jobankar të mikrofinancës. Burimet zyrtare të bankës pohuan se bëhet fjalë për shoqërinë Digital Finance, pjesë e Finstar. Numri i operatorëve me kapital rus në mikrofinancën jobankare pritet të shkojë në dy nga gjashtë gjithsej. Operatorë të tjerë të tregut pohojnë se ka nevojë për shoqëri dhe produkte të reja, pasi Shqipëria mbetet ndër vendet me raportin më të ulët të huasë në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe gjithashtu nuk i ka të diversifikuara produktet financiare.

Por, Altin Muça nga Fondi Besa thotë se paralelisht me zgjerimin e tregut jobankar duhet të forcohet mbikëqyrja bankare në drejtim të transparencës. Më herët, ekspertët e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se interesi i shoqërive të reja për t’u futur në tregun jobankar të mikrokredisë është rritur, por autoritetet po tregohen të kujdesshme për të dhënë licenca.

 

Perspektiva me rritje

Altin Muça, anëtar, i shoqatës së Mikrofinanca, thotë se mikrokreditë do të jenë dhe për shumë vite një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në vend dhe i financimit të sipërmarrësve dhe fermerëve të vegjël. Kërkesa për financim do të jetë ende në rritje, ashtu si dhe indikatorët makroekonomikë, të cilët janë ende larg nivelit të fqinjëve europianë, shtoi ai.

Raporti i kreditimit privat në vend është rreth 36% krahasuar me PBB, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian është mesatarisht mbi 100%. Në fjalë të tjera, nga niveli aktual prej 535 miliardësh lekësh, kredidhënia ndaj sektorit privat mund të shkojë deri në 1 trilion lekë.

Në këtë rritje, bujqësia do të ketë rol të jashtëzakonshëm, pasi dhe pse sektori angazhon mbi 40% të fuqisë punëtore në vend dhe sjell rreth 18% të PBB-së, ai kreditohet me vetëm 4% të totalit të portofolit të kredisë për biznes, shtoi Muça. Dhe për shkak të specifikave që paraqet ekonomia rurale në vend (informaliteti, gjurmshmëria e prodhimit, problematikat e tokës, vështirësia e identifikimit të kostove etj.), mikrofinanca domosdoshmërisht do të ketë rol të madh në rritjen e kreditimit të fermerëve të vegjël. Institucionet e mikrofinancës kanë aplikuar strategji komerciale dhe financiare të ndryshme dhe të shumta, me qëllim uljen maksimale të ekspozimit ndaj riskut, rritjen e performancës operacionale, shtimin e trajnimeve për stafet, futjen e rregulloreve të reja dhe deri në lobimin në nivel ndërkombëtar e qeveritar për një rishikim të politikave financiare në drejtim të saj.

Në këtë logjikë, fuqizimi institucional, mikrofinanca shqiptare po bëhet gjithmonë e më shumë financiare sesa “mikro”. Gjatë këtyre viteve, portofoli në risk nuk ka kaluar 5%, ndërkohë që në sektorin bankar, ai varion sipas vitit nga 18% në 25%. Përfshirja për herë të parë të institucioneve mikrofinanciare në fondin e garancisë së BERZH-it, bashkëpunimi, sërish për herë të parë me EIF, Rabo Bank dhe JICA janë dëshmi e maturitetit dhe besimit financiar që këto institucione ngjallin te partnerët ndërkombëtarë.

Në të njëjtin regjistër, përfshirja në skemën e ASD-së të depozitueseve të SHKK-ve vërteton se investimet konstante në proceset e brendshme dhe në performancën financiare gjatë viteve të fundit kanë dhënë rezultat, tha Muça. Por që sektori të zhvillohet me baza solide, ai thotë se duhet avancuar me legjislacionin që rregullon sektorin. Në shumë vende të botës, ekziston koncepti i Bankave Mikrofinanciare si në Filipine apo dhe në Kenia.

Autoritetet publike i shohin këto institucione financiare si aktorë kyç dhe pjesë të strategjisë kombëtare të zhvillimit ekonomik. Në këtë logjikë, këto institucione mikrofinanciare mund të mbajnë dhe depozita sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Kuadri rregullator ngelet shumë fleksibël me qëllim që kostoja e kreditimit të mbetet sa më e ulët. Pjesë e ligjit mund të jenë dhe produktet anekse si “asiguracionet” si për shembull në Filipine, ku nuk kërkohet një licencim specifik nga banka qendrore. Ligji mund të mundësojë edhe kreditimin mes institucioneve financiare në rastet kur një institucion ka likuiditet të tepërt, tha Muça.

 

BSH: Pastërtia e aksionerëve, kriter për leje në mikrokredi

Institucionet financiare të mikrokredisë janë subjekte financiare jobanka, të cilat licencohen dhe mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë financiare të mikrokredisë. Banka e Shqipërisë sqaroi posaçërisht se, kërkesat dhe dokumentacioni për këto institucione parashikohen në rregulloren nr.1, datë 17.01.2013 “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, e ndryshuar, të cilat përcaktojnë kërkesa për shoqëritë që kërkojnë të marrin licencën për këtë lloj institucioni respektivisht për kapitalin, burimin e tij, planin e biznesit, aktet dhe procedurat e brendshme që rregullojnë këtë veprimtari, pastërtinë e aksionerëve dhe të administratorëve, kërkesat për eksperiencën profesionale, etj. Sipas përcaktimeve në këtë rregullore, “Institucion financiar i mikrokredisë” është subjekti financiar jobankë që plotëson njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

-Ka si objekt të aktivitetit të tij vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies;

-Vlera mesatare e kredisë për një kredimarrës është jo më e madhe se vlera e mikrokredisë;

-Të paktën 50% e portofolit të kredisë përbëhet nga mikrokredi;

Ndërsa “mikrokredi” është kredia e lëvruar në shuma (vlera) jo më të mëdha se 600,000 (gjashtëqind mijë) lekë ose kundërvlefta e saj në valutë.
Kapitali fillestar minimal i kërkuar nga Banka e Shqipërisë për institucionin financiar të mikrokredisë është 15 (pesëmbëdhjetë) milionë lekë, duke krijuar kështu mundësinë që të mbështeten nisma të subjekteve që kërkojnë të financojnë deri në nivelet e mikrokredisë, që kryesisht fokusojnë kredinë konsumatore dhe plotësojnë nevojat afatshkurta të kësaj klientele.
Banka e Shqipërisë ka licencuar deri më sot 5 (pesë) institucione financiare të mikrokredisë, ndërsa aktualisht është paraqitur aplikimi i 1 (një) shoqërie, e cila kërkon të pajiset me licencë për të ushtruar veprimtarinë si institucion financiar i mikrokredisë.

Çfarë është mikrokredia

Që në vitet e para të tranzicionit, mikrofinanca i mundësoi popullatës së gjerë dhe në veçanti asaj rurale, e cila ishte tërësisht e “harruar” nga infrastruktura bankare, që të praktikonte njohuritë bazike financiare, numerike, administrative dhe humane madje, nëpërmjet marrjes së një kredie me shuma tejet të vogla, deri në 100/200 USD. Shumat e kredive nisen të rriten në vitet në vijim, por mesatarja e tyre varion 100-150 mijë lekë.
Mikrofinanca erdhi si një koncept i importuar në Shqipërinë e postviteve ‘90 nga komuniteti ndërkombëtar, si një ndër praktikat më të mira dhe inovative për periudhën, për t’i bërë ballë krizës socio-ekonomike me të cilën po përballej vendi, pas daljes nga sistemi monist.

Shoqata e Mikrofinancë shpjegon se mikrokreditë e para u dhanë në nëntor 1992, ato ishin 121 dhe përmblidhnin 20 mijë dollarë të dhuruara nga fondacioni francez “Vëllezërit e shpresës”. Qëllimi ishte të testohej se si do t’i përgjigjeshin kësaj nisme fshatarët shqiptarë dhe, fatmirësisht, kjo rezultoi e suksesshme, sqaron Shoqata. Pas kësaj, procesi i kreditimit rural nuk do të ndalonte më. Nevoja për financim, nga njëra anë, dhe kërkesat e ekonomisë së tregut, nga ana tjetër, ishin dy faktorë të cilët ecnin paralelisht. Edhe pse mikrofinanca u prezantua paralelisht dhe në vende të tjera që sapo dolën nga regjimi komunist, jo në të gjitha vendet mikrofinanca arriti të njëjtat suksese si në Shqipëri ku, në 25 vite, u injektuan mbi 1 miliard dollarë duke mbështetur krijimin e mbi 350.000 vendeve të reja të punës.

Suksesi në Shqipëri ishte padyshim i lidhur edhe me faktorë të tjerë që shkonin përtej ndërhyrjes ndërkombëtare. Konkurrenca e limituar është një ndër faktorët e parë të këtij suksesi unik. Ekzistenca e vetëm dy bankave në Shqipërinë e postviteve ‘90, asaj Agrare dhe të Kursimeve, ndihmoi në një përhapje më të shpejtë, të thjeshtë dhe kompetitive të mikrofinancës. Infrastruktura e këtyre dy bankave ishte tejet e limituar, me fonde të vogla dhe krejtësisht inekzistente në zonat rurale, të cilat ishin thellësisht.

 

 

 

 

2
Komente

avatar
2 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
2 Comment authors
Nje shqiptarToni Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Nje shqiptar
Guest
Nje shqiptar

Lexoje me shume kenaqesi shkrimet e Blerina Hoxhes. Kjo gazetare e nderon revisten Monitor qe po jep kontribut shume te rendesishem per edukimin dhe kulturen financiare te popullesise. Banka e Shqipperise duhet te kete kurdohere parasysh qe ne jemi vend NATO.

Toni
Guest
Toni

Nuk do shume mend qe fajin per kete e ka banka e shqiperise. Te gjithe ngrene alarmin qe rusia po kap ballkanin Sejkoja me shoke japin licensa per te dhene kredi per pare xhepi. Dihet qe zarfet vazhdojne bejne punen e vete. Ka vuajtur Shqiperia gjithmone nga tradhtaret.