George Osborne ka deklaruar ditën e sotme se BE-ja është ajo që po udhëheq negociat Brexit. Ish-Kancelari u shpreh se gabimi më i madh është pretendimi i Britanisë se BE-ja ka më shumë nevojë për ne sesa ne për atë, dhe mbi të gjitha, ajo nuk do të jetë gati për të dalë nga BE-ja në 2019.
Në deklaratën gjatë ditës së sotme në programin “BBC Radio 4”, ai gjithashtu i bëri thirrje Kryeministres, Theresa May që të bëjë më shumë për votuesit e saj, sidomos për ata në veri të Anglisë duke u angazhuar në projekte të reja të transportit. Ai e thkesoi edhe një herë se gabimi më i rëndë është deklarata se BE-ja ka më shumë nesvojë për ne sesa ne për atë, kur e vërteta është që të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën.
“Ne kemi nevojë për një periudhë tranzitore, Britania nuk do të jetë gati të largohet nga BE-ja në pranverën e vitit 2019”, vazhdoi ai më tej. Ai shtoi se Kryeministrja dhe kolegët e saj kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, gjë kjo që iu kthye kundër. Pasi ata deklaruan se cilado që të ishte marrëveshja për ta nuk kishte rëndësi, tani ata janë në favor të një periudhe tranzicioni, gjë kjo që e ka bërë Bashkimin Europian të kuptojë se është ai që tashmë i vendos “rregullat e lojës”, dhe Britanisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i zbatojë ato.
Publikimi i letrave të ndryshme gjatë kësaj jave dhe i shumë të tjerave në ditët vijuese janë një tregues më shumë që për Britaninë këto negociata janë shumë të rëndësishme dhe se ajo po mundohet që t’i vendosë ato sërish në drejtimin e duhur.
Pasi ia ka kushtuar pjesën më të madhe të karrierës së tij përmirësimit të ekonomisë, ai tha se “Një marrëveshje e keqe për Britaninë e Madhe do të ishte rezultati më i keq i mundshëm”. Z. Osborne është ndër kritikët më të ashpër të Znj. May dhe mbi të gjtiha në lidhje me planet e saj për Brexit. Në funskionin e kryeredaktorit të “London Evening Standard” ai është akuzuar shpeshherë se nëpërmjet gazetës ai po ushtron presion mbi ish-kolegët e tij për largimin nga Bashkimi Europian.