Gjykatat administrative po përballen me një volum të konsiderueshëm çështjesh për gjykim, me tendencë rritje. Për të përballuar këtë volum, por edhe për të rritur efikasitetin u miratuan në Kuvend disa ndryshime ligjore. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço bëri me dije ndryshimet ligjore, që do të sjellin
një impakt pozitiv, pasi pëmbajtja e secilës dispozitë paraqet një risi për sistemin e drejtësisë, zbatimi në praktikë i të cilave do të ndikojë ndjeshëm në mirëfunksionimin e gjykatave administrative dhe rrjedhimisht, në rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Ja cilat janë risitë :
Një risi e këtij projektligji është parashikimi i numrit të ndihmësave ligjorë, në varësi të ngarkesës së punës, të çdo gjykate administrative, për një menaxhim sa më efikas bazuar mbi volumin e punës.
Pra, nuk do të ketë gjykatë me një numër ndihmësash ligjorë më pak se 50 % të numrit të gjyqtarëve, por njëkohësisht në varësi të ngarkesës së tyre.
Një risi tjetër është përcaktimi i procedurave të qarta dhe transparente, të cilat bëjnë të mundur që procesi i përzgjedhjes, emërimit, lirimit apo shkarkimit nga puna të ndihmësit ligjor t’i nënshtrohet një procedure konkurrimi transparent, bazuar në meritë.
Gjithashtu, niveli i pagës së ndihmësave gjyqësorë ka një karakter të përcaktuar, krahasimisht me pagën e gjyqtarëve, pra 75 % të pagës së tyre.
Ky parashikim ligjor krijon premisën që, në rast se paga e gjyqtarëve shkon drejt një tendence në rritje, automatikisht rritet edhe paga e ndihmësave ligjorë, duke stimuluar në mënyrë paralele edhe vjetërsinë dhe karrierën në punë.
Gjithashtu, parashikimet ligjore përcaktojnë kritere të qarta, që duhen plotësuar në funksionin e ndihmësit ligjor, duke përzgjedhur njerëz me përvojë pune si jurist, në administratën shtetërore qëndrore, apo në sistemin e drejtësisë, njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional.
Gjithashtu, ky projektligj paraqet një risi kryesore në lidhje me rekrutimin e ndihmësave ligjorë, lista e të cilëve përzgjidhet sipas një procedure konkuruese transparente, të hapur nga një komision ad-hoc, përbërja e të cilit ruan balancat midis gjykatës, ku shpallet vendi i lirë i punës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe aktorëve të tjerë, pjesë përbërëse e komisionit, që vijnë nga fusha akademike.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij projektligji arrihet që një kategori e caktuar çështjesh në Gjykatën e Lartë të shqyrtohen në mënyrë më racionale, duke ulur numrin e anëtarëve përbërës të kolegjeve shqyrtuese nga 5 në 3, sipas kritereve të vendosura në ligj.
Ky parashikim do t’i shërbejë pozitivisht punës së Kolegjit Administrativ, për:
– një gjykim më të shpejtë të çështjeve,
– një shfrytëzim më racional dhe efektiv të trupës gjyqësore dhe burimeve njerëzore të Gjykatës së Lartë,
– Mirëadministrimin e kohës në gjykimin e çështjeve;
– një drejtësi më të shpejtë për qytetarët.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, nëpërmjet ndryshimeve i jepet zgjidhje edhe administrimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë, nëpërmjet disiplinimit të rregullave të qarta për njoftimin e palëve ndërgjyqëse. Për këtë ne në vazhdimësi jemi fokusuar jo vetëm në drejtim të përsosjes së sistemit të rekrutimit, apo vlerësimit të gjyqëtarëve, por edhe drejt mbështetjes, me personel ndihmës të kualifikuar, për krijimin e lehtësirave infrastrukturore, me qëllim që ky sistem të jetë sa më eficent dhe funksional. Në këtë kuadër, ne nisëm menjëherë skanimin e kuadrit ligjor ekzistues me qëllim evidentimin e të gjithë problematikës që rezultoi nga funksionimi i ligjit për gjykatën administrative të miratuar në vitin 2012, por të hyrë në fuqi në tetor të vitit 2013. Në ligjin ekzistues parashikohej që gjyqtarët e gjykatave administrative asistoheshin nga ndihmësat ligjor, por nga ana tjetër ligji nuk parashikonte mënyrën e:
– rekrutimit,
– emërimit,
– lirimit
– shkarkimit,
– pagën,
– apo kushtet që duhet të plotësonin për të qenë në funksionin e ndihmësave ligjore.
Pra pozicioni i ndihmësit ligjor, në gjykatat administrative, evidentohej vetëm si nocion, ku ndërkohë në praktikë ishte i parealizueshëm, për shkak të mangësive ligjore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.