Konkurrenca është e ashpër midis shteteve europiane lidhur me normën e tatimfitimit për të tërhequr kompani multinacionale. Disa muaj pas Brexit, Mbretëria e Bashkuar kërcënon se do të ulë normën në 10%. Norma franceze është më e larta e Kontinentit të Vjetër. Krahasime europiane, sipas Scan Eco!
Pasojat e krizës financiare të vitit 2008, konkurrenca fiskale që shtetet europiane ndajnë midis tyre prej një kohe të gjatë, është forcuar. Objektivi: tërheqja e investitorëve ndërkombëtarë më të mirë sesa shteti fqinj, duke ulur normën e tatimfitimit. Një betejë në të cilën Franca është përfshirë shumë pak, megjithëse ajo ka taksën më të lartë nominale të tatimfitimit të Kontinentit të Vjetër, më shumë se 33%. Kohët e fundit, qeveria njoftoi një ulje, për shoqëritë e vogla dhe mesatare, të kësaj takse në 28% fillimisht (2017 dhe 2018) dhe më pas për të gjitha shoqëritë në vitin 2020. Nga ana tjetër, pak muaj pas votimit shokues të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria e re e Theresa May kërcënon se do të ulë normën në 10%, domethënë dy herë më pak se aktualisht, edhe pse ka pasur ulje të saj në vitet e fundit.
Tendenca e uljes drastike të normës së tatimfitimit në Europë
Norma e tatimfitimit ndryshon nga njëri shtet në tjetrin, duke filluar nga 12.5% e fitimit në Irlandë e duke vazhduar në 34.4% në Francë (33,3% e normës normale plus kontributet shoqërore për kompanitë e mëdha), sipas shifrave të OCDE (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik).
Mesatarisht, shtetet europiane kanë ulur më shumë se një të katërtën e normës së tatimfitimit në vitet 2010-2016; duke ulur normën mesatare nga 32% në 23%. Midis atyre që bënë më shumë përpjekje për të tërhequr kompanitë multinacionale, Irlanda mban vendin e parë për uljen e normës së saj gati të përgjysmuar për këtë periudhë, më pas renditet Gjermania, e cila kishte taksën më të lartë të Europës në vitin 2000, duke vijuar me vendet e Lindjes si Letonia, Republika Çeke dhe Polonia, por edhe Mbretëria e Bashkuar. Në Danimarkë, Finlandë dhe Holandë, vende në të cilat taksat janë tradicionalisht të larta, norma e tatimfitimit u sheshua përkatësisht 31.3%, 31% dhe 28.6%. Në Francë u ndryshua vetëm me 8.8%.
Kjo tendencë për uljen e kësaj takse do të vazhdojë dhe në vitet e ardhshme. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, Brexit forcoi vullnetin e ekzekutivit, i cili foli për uljen nga 17% (parashikuar më parë) në 15%, kundrejt 20% të sotëm. Kryeministrja aktuale, Theresa May, kërcënon ta ulë në 10% n.q.s Bashkimi Europian refuzon të pranojë një marrëveshje tregtare post-Brexit ose të bllokojë aksesin e tregut të bankave me bazë në Londër.
Edhe të ardhurat neto nga taksat janë në ulje
Të ardhurat e siguruara nga tatimi i fitimeve të bizneseve janë në rënie në shumicën e vendeve të zhvilluara që nga fillimi i krizës globale ekonomike. Mesatarisht, të ardhurat e mbledhura nga tatimi i kompanive ranë nga 3.6% në 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitet 2007 dhe 2014, sipas të dhënave të OCDE. Ndryshe nga të ardhurat e mbledhura nga tatimi i fitimeve të personave fizikë, të cilat janë rritur nga 8.8% në 8.9% dhe të ardhurat e TVSH janë rritur nga 6.5% në 6.8% të PBB, përgjatë së njëjtës periudhë.
Në Francë, taksa bazë e limituar
Franca paraqet normën më të lartë të tatimfitimit në Europë. Megjithatë, të ardhurat e mbledhura nga bizneset përfaqësojnë vetëm 2,7% të PBB. Përse? “Sepse pas kësaj norme fasadë, fshihet një normë e ulur prej 15% për bizneset e vogla, metodë e cila lejon uljen e përfitimeve fiskale dhe, mbi të gjitha, reduktimin e rimbursimeve të tatimeve” shpjegon Vincent Aussiloux, drejtor i departamentit ekonomik për France Strategie. Në të vërtetë, taksa bazë e tatimit mbi fitimin është e ulët në Ekzagon. Pa marrë parasysh rimbursimin e tatimeve, tatimi mbi fitimin nuk sjell më shumë se 1,7% të PBB, sipas llogaritjeve të France Strategie të mbledhur në Matignon (Rezidenca zyrtare dhe vendi i punës së Presidentit francez).
“Ulja e taksës nominale është e rëndësishme për Francën, sepse kjo gjë do ta çojë atë në avantazh për të tërhequr kompani ndërkombëtare”, vlerëson Vincent Aussilloux, me të njëjtën rëndësi duhet të stabilizohen dhe normat e taksave në të gjithë vendin”.
Brukseli dëshiron të përshpejtojë harmonizimin fiskal në Europë
Debati (i vjetër) mbi harmonizimin fiskal në Europë kthehet në qendër të vëmendjes, i ngjallur nga votimi i britanikëve për Brexit, qershorin e shkuar. Si shenjë e vullnetit europian, kohët e fundit Brukseli i ka bërë thirrje Irlandës t’i kërkojë 13 miliardë euro Apple. Lajmërime të tjera të rëndësishme janë parashikuar deri në vjeshtë nga ana e Komisionit Europian.
Brukseli parashikon të propozojë një direktivë në nëntor për të vendosur “një taksë bazë për tatimfitimin, të konsoliduar e të përbashkët”. Ky projekt i drejtuar nga Pierre Moscovici, do të konsistojë fillimisht në gjetjen e një mjeti të përbashkët të llogaritjes për fitimin e tatueshëm të kompanive.