Çmimet e rritura po bëjnë që kompanitë e nxjerrjes së mineraleve dhe të përpunimit të metaleve të përjetojnë ditët e tyre më të mira, pas një 2009-e të vështirë
Pas tkurrjes së aktivitetit një vit më parë, bizneset e nxjerrjes së mineraleve dhe industria e përpunimit të metaleve po shfrytëzojnë krahas nëntokës, situatën e favorshme të çmimeve të larta për të tregtuar jashtë.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve janë rritur 183% në periudhën janar-prill të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,
ndërsa eksportet e mineraleve janë trefishuar. Përfaqësues të kompanive nxjerrëse tregojnë se kanë rritur sasitë e eksportuara, por edhe përfitueshmëria e tyre është rritur për shkak të çmimit më të lartë me të cilin po eksportojnë.
Rritja më e madhe e çmimit në tregun ndërkombëtar vërehet për hekurin dhe xeherorët e kromit e bakrit. Eksportet e hekurit kanë arritur në mbi 3 miliardë lekë katër muajt e parë, nga rreth 1.2 miliardë lekë të eksportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave doganore, eksportet e mineraleve (xeherorë) janë rritur mbi 5 herë.
Tregu i favorshëm ka “mobilizuar” kompanitë në rritjen e prodhimit.
Drejtuesi i bordit të kompanisë “Kurum”, z. Zeki Kaya, shprehet se këtë vit ka në plan të rrisë prodhimin me rreth 50% dhe të dyfishojë eksportet në rajonin e Ballkanit.
Duke ruajtur të njëjtin treg, Kinën, administratori i kompanisë së nxjerrjes së bakrit “Beralb”, Nazmi Kumanova, tregon se rritja e eksporteve këtë vit pritet të jetë të paktën 10% më e lartë në sasi krahasuar me një vit më parë.
2009: Viti i “hidhur” për mineralet
Ulja e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare vitin e kaluar, ndikoi në uljen si në sasi dhe në vlerë të eksporteve e mineraleve shqiptare. Sipërmarrësit e kompanive nxjerrëse në vend,
ndërsa kufizuan punën për nxjerrjen e xeherorëve (mineralet e bakrit dhe kromit) reduktuan ndjeshëm eksportet, në pritje të rritjes së çmimit.
Sipas të dhënave doganore, sasia e mineralit të bakrit e eksportuar vitin e kaluar u reduktua me 24% krahasuar me një vit më parë.
Gjysma e dytë e vitit ishte më e mbarë për eksportuesit pas ndërprerjes pothuajse tërësisht të eksporteve në muajt e parë të vitit që shkoi.
Sipas të dhënave të ACIT-it, vlera e eksportit të mineraleve ra gati 17% krahasuar me një vit më parë, duke u paraqitur në 8.58 miliardë lekë.
Produkti më i eksportuar pësoi edhe rënien më të madhe. Sipas të dhënave të ACIT-it, vlera e kromit të eksportuar ra në 4 miliardë lekë, 27% më pak së në vitin 2008.
Ndaj edhe pesha e tij në eksportet e mineraleve ra ndjeshëm. Nga 53.5% të eksportit të mineraleve që zinte një vit më parë, pesha e këtyre eksporteve vitin që shkoi ishte në masën 46.9%.
Sipas ACIT-it, në të njëjtën periudhë mineralet e bakrit pësuan ulje prej 20%.
Nga ana tjetër, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës bëri që volumi i importit të mineraleve (të cilat më shumë se xeherorë, janë materiale ndërtimi) të rritet ndjeshëm (rreth 30%).
Kjo solli rritje të volumit të tregtisë së mineraleve me 6.3%, duke arritur në 19.765 miliardë lekë. Në vitin 2008, volumi i tregtisë së mineraleve u rrit në masën 21%.
Në totalin e shkëmbimeve tregtare, për vitin që shkoi, tregtia e mineraleve zuri më pak se 4%.
Kina, tregu kryesor për eksporte
Tregu kinez është bërë destinacioni kryesor i mineraleve të nxjerra nga nëntoka shqiptare, por dhe i Ballkanit. Sipas të dhënave të ACIT-it, në Kinë eksportojnë pothuajse vetëm xeherorë të kromit e bakrit,
pasi ato zënë mbi 90% të vlerës së shitjeve drejt Kinës.
2009: Eksportet e metaleve bien 44%
Ulja e eksportit të metaleve gati 44% vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë dha ndikimin më të madh në eksportet shqiptare. Sipas të dhënave të ACIT-it,
vlera e metaleve të eksportuara vitin e kaluar zbriti në 11.93 miliardë lekë, duke pësuar rënie në peshën e eksporteve prej 11.5%.
Rënia e eksportit të tyre u vërejt drejt të gjitha tregjeve. Në tregun kryesor italian, eksportet ranë 33%, ndërsa rënien më të madhe e patën eksportet drejt Greqisë me rreth 75% më pak se një vit më parë.
Sipas të dhënave të ACIT-it, peshën kryesore në eksporte vazhdon ta zërë Italia, me vlerë prej 5.78 miliardë lekësh.
Mineralet, drejt sipërmarrjeve të përgjegjshme?!
Shtimi i numrit të lejeve minerare ka rritur problemet në sektorin e industrisë nxjerrëse. AKBN: Duhen përmirësime në legjislacion
Nëntoka është burim që mund të zërë peshë në strukturën e zhvillimit ekonomik. Në debatin e ngritur nga Banka e Shqipërisë për modelin ekonomik të vendit,
ekspertë të burimeve natyrore vunë në dukje se pasuritë minerare të vendit janë një formë e mirë për të tërhequr investime të huaja, me kusht që të tërhiqen investitorë seriozë.
Disa profesorë të Fakultetit të Gjeologjisë, në një studim të prezantuar për pasuritë dhe aktivitetin minerar në vend, vërejnë se shfrytëzimi i minierave duhet të bëhet në mënyrë efektive, duke u përgjigjur për kushtet e punës dhe ndikimin në ambient.
Sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Taulant Musabelliu, propozimet kryesore për të ndryshuar ligjin e vitit 1994 kanë ardhur nga kjo agjenci dhe ndryshimet kryesore të propozuara janë te garancitë financiare.
Musabelliu tregon se “ne kemi kërkuar që shoqëritë që duan të licencohen për të shfrytëzuar minerale në Shqipëri, të jenë të detyruara të vënë një garanci financiare që do të realizojë punimet që merr përsipër dhe që do të kujdeset për mjedisin”.
Ligji aktual minerar nuk e përfshin detyrimin e shoqërisë që shfrytëzon për të bllokuar një vlerë të investimit, që angazhohet të bëjë në një llogari bankare dhe nëse nuk e bën, humbet të drejtën e atyre parave dhe të bllokojë një pjesë të fitimeve për mjedisin.
Drejtuesit e AKBN-së vërejnë se, kush hap një gurore, duhet që pasi të plotësojë ciklin dhjetëvjeçar të shfrytëzimit, të rimbjellë me pisha e të sistemojë mjedisin, por duke mos pasur një garanci bankare në mes,
ka shumë pak mundësi ndërhyrje, nëse kompania nuk e bën.
Krahas kësaj, sipas tij, me propozimet e reja kërkohet të thjeshtohen procedurat e licencimit. Sipas Musabelliut, minimumi i shfrytëzimit është një kusht tjetër për të tërhequr investitorë seriozë.
Në praktikat e deritanishme, vlerësohet të jenë dhënë leje shfrytëzimi për sipërfaqe shumë të vogla.
Rezervat e mineraleve vlerësohen nga ekspertët gjeologë disa herë më të larta se potenciali aktual nxjerrës për pothuajse të gjitha llojet e mineraleve. Agjencia e Burimeve Natyrore vë në dukje në një studim të saj se burimet më të mëdha janë ato të ferrokromit, bazë për prodhimin e hekurit dhe të kromit.
Shqipëria, pa minerale të rralla
Shqipëria është e pasur në minerale por jo me ato më të çmuarit, polimetalorët. Mineralet e metalet, të cilat zakonisht gjenden të grupuara, uranium, germanium etj., dhe që janë burim i çmuar në industrinë ushtarake,
nuk vlerësohet të gjenden në nëntokën shqiptare. Sipas drejtorit të AKBN-së “Shqipëria nuk ka gjetur dhe nuk ka asnjë të dhënë në të gjithë historinë e mineraleve që të jetë hasur gjatë studimeve një trup polimetalor”.
Sipas ekspertëve të AKBN, edhe floriri, që mund të gjendet në Shqipëri, është i përzier me bakrin dhe nevojitet procesi i shkrirjes.
Ekspertë europianë të nivelit të lartë në fushën e industrisë minerare kanë vënë në dukje së fundi se Europa duhet të mbështesë shfrytëzimin e minierave dhe të përmirësojë riciklimin e metaleve të rrallë si antimoni,
kobalti dhe elementë të tjera të rrallë të tokës.
Grupi, i cili kryesohet nga Komisioni Europian dhe është ngritur në kuadrin e përpjekjeve të Brukselit për të siguruar furnizime të qëndrueshme për bllokun, ka etiketuar 14 minerale si “kritike”
dhe ka paralajmëruar se mund të ketë kufizime në ofertë në dekadën e ardhshme.
Nga më shumë se 40 produkte që janë analizuar, mallrat që ekspertët e grupit të Komisionit Europian konsiderojnë si më kritike për industrinë e rajonit janë: antimoni, beriliumi, kobalti, fluori, galiumi,
germanium, grafiti, indiumi, magnezi, niobi, metalet e grupit të platinit, metalet e gurëve të rrallë, tantali dhe tungsteni.
Kërkesa për shumë nga këto materiale është nxitur edhe nga zhvillimi i teknologjive të reja si elementët e lëndëve djegëse, bateritë e telefonave celularë ose gjenerimi i energjisë së erës.
Parashikimet sugjerojnë rritje të mëtejshme të çmimeve gjatë dy dekadave të ardhshme.
Bulqiza, 17% të lejeve
Me 142 leje të dhëna deri më tani për shfrytëzimin e nëntokës, Bulqiza është vatra më e nxehtë e gërmimeve në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN),
në këtë zonë janë dhënë mbi 17% e lejeve minerare të dhëna deri në fund të vitit të kaluar.
Interesi në rritje edhe i kompanive të huaja ka shtuar numrin e lejeve të dhëna këto vitet e fundit. Viti 2008 shënon nivelin më të lartë të interesit, kur edhe kompani ruse e turke, në bashkëpunim me sipërmarrës shqiptarë, u futën në treg.
Sipas të dhënave të AKBN-së, në vitin 2008 u dhanë 175 leje minerare, me lejet e dhëna dy vitet e mëparshme së bashku. Vitin që shkoi u dhanë leje më shumë se çdo vit të kaluar, (përjashtuar 2008).
Ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë theksojnë se ulja e numrit të lejeve minerare me mbi 20% vitin e kaluar është pasojë e frenimit të bizneseve.
Shtimi i numrit të lejeve ka qenë veçanërisht për atë të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të kromit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, për mineralet e kromit janë dhënë mbi 260 licenca.
Rezervat e vërtetuara të kromit janë rreth 37 milionë tonë ndërsa mendohet që potenciali i atyre të pazbuluar të jetë disa herë më i lartë. Sipas AKBN-së, deri më tani, kromi i prodhuar në vend është pak më shumë se 27 milionë tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.