Prof. Assoc. PhD Arjan Kadareja nga Universiteti i New York në Tiranë shprehet se Banka Qendrore duhet të synojë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë të tillë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi. Ai tha se adoptimi i njëanshëm i euros do të ishte një “xhaketë e ngushtë” për ekonominë shqiptare.
Cilat vlerësoni se janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e fortë të euros në tregun vendas dy vitet e fundit, sidomos në 5 muajt e parë të 2018-s?
Nëse shohim të dhënat, euro qëndroi rreth nivelit 140 lekë nga viti 2010 deri në fund të 2015-s, më pas gjatë dy viteve të fundit u zhvlerësua gradualisht ndaj lekut, duke arritur një vlerë rreth 10% më të ulët.
Së pari, mendoj se në periudhën 2016-2018, në forcimin e lekut kanë ndikuar faktorë ekonomikë si përmirësimi relativ i deficitit tregtar, investimet e huaja të drejtpërdrejta në objektet e rëndësishme, sezonet e suksesshme turistike, si dhe rritja relative e dërgesave të emigrantëve.
Së dyti, por jo nga rëndësia, mendoj se faktorë të rëndësishëm janë flukset e parave të ekonomisë së zezë gjë që, sikurse është argumentuar në media, dëshmohet tërthorazi nga shumë kapje të ngarkesave të drogës në vendet fqinje dhe në Shqipëri, si edhe pozicionet spekuluese kundër euros, gjë e vënë në dukje edhe nga banka qendrore në 2018-n. Kapjet e ngarkesave të drogës kanë ardhur në rritje në sasi dhe vlerë, sidomos në periudhën 2016-2018. Tërthorazi, këto kapje dëshmojnë për funksionim të lartë të ekonomisë së zezë që të ardhurat i ka në euro e që më pas këto flukse hyrëse ushtrojnë presion për forcim të lekut ndaj euros.
Në 5 muajt e parë të 2018-s, mendoj se janë zvogëluar efektet e Investimeve të Huaja Direkte, bilancit tregtar dhe dërgesave, ndërsa duket se vazhdojnë efektet e turizmit, spekulimit dhe flukseve të parave të zeza. Këto më lart mbështeten respektivisht nga lista e gjatë e mjaft prenotimeve për sezonin turistik, nga përmendja e spekulimeve nga banka qendrore, si dhe nga kapja e një sasie shumë të madhe kokaine në 2018-n.
Çfarë ndikimesh ka sjellë në ekonominë shqiptare?
Eksportuesit janë vënë në pozitë të vështirë, sepse të ardhurat i kanë në euro dhe shpenzimet i kanë kryesisht në Lekë. Pra, kanë ulje fitimi sepse kostot e shprehura në euro iu rritën. Ndërkohë, duke qenë të vegjël e nën presionin e konkurrencës në tregjet e huaja ku shesin, nuk kanë mundësi të bëjnë rritje çmimesh.
Prodhuesit për tregun e brendshëm që konkurrojnë me importet janë në kushte të pafavorshme, sepse konkurrohen nga importet më të lira të ardhura nga Eurozona. Këta prodhues, që të mos lëshojnë pjesë tregu, ose duhet të ulin çmimet ose kostot, ose pak nga të dyja. Pra fitimi i tyre preket për keq.
Forcimi i lekut, ia vështirëson Bankës Qendrore punën për arritjen e objektivit prej 3% të inflacionit. Të mos harrojmë se ka disa vjet që inflacioni është rreth 2%, pra nën objektiv. Forcimi i lekut sjell importe më të lira nga Eurozona, pra një efekt të padëshiruar deflacioni.
Efektet e dobësimit të euros në buxhetin e shtetit janë të dyllojshme. Nga njëra anë, është efekti pozitiv i “shfryrjes” së vlerës në lekë të asaj pjese të borxhit të qeverisë të denominuar në euro e dollarë (rreth 45% e totalit të borxhit) si dhe i uljes së vlerës në lekë të kësteve që paguan qeveria për shërbimin e këtij borxhi. Nga ana tjetër, forcimi i lekut i vë frena rritjes ekonomike, gjë që bashkë me të tjerat sjell edhe uljen relative të të ardhurave nga taksat.
Çfarë masash duhen ndërmarrë në mënyrë që të reduktohet ekspozimi në ekonomi i luhatjeve të forta të kursit?
Regjimi i tanishëm ia lë tregut të këmbimeve valutore përcaktimin e kursit të këmbimit Lekë/Euro. Me këtë regjim fleksibël, Banka Qendrore ndërhyn vetëm kur ka luhatje me natyrë jo-ekonomike e që rrezikojnë të transmetohen e të dëmtojnë ekonominë reale. Ky regjim lejon përdorimin e politikës autonome monetare për arritjen e objektivit të inflacionit, si dhe shmang spekulimet e mundshme kundër lekut.
Mendoj se në kushtet aktuale, një pjesë e zhvlerësimit të euros mund të kualifikohet si shtrembërim apo externalitet. Ata që dëmtohen fillimisht nga ky externalitet janë eksportuesit, si dhe prodhuesit për tregun vendas që konkurrojnë me importet nga zona euro. Më pas e pëson e gjithë ekonomia, sepse ngadalësohet rritja ekonomike.
Mendoj se regjimi fleksibël i kursit të këmbimit i bën mirë ekonomisë shqiptare për sa kohë përcakton një çmim eficient të Lekut kundrejt euros, d.m.th. një çmim të përcaktuar nga faktorë ekonomikë. Nëse, kursi i këmbimit shtrembërohet nga paratë e zeza dhe spekulimi, e pëson ekonomia reale.
Kjo mendoj se e justifikon ndërhyrjen e Bankës Qendrore në tregun e këmbimeve valutore (në kahun e blerjes së eurove me Lekë) pa e kompromentuar regjimin e tanishëm të kursit të këmbimit. Pra, mendoj se kjo ndërhyrje duhet të synojë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi. Natyrisht, ndërhyrja duhet bazuar fort në vlerësimin sasior të faktorëve ekonomikë dhe jo-ekonomikë.
Si do ta vlerësonit idenë për të përshtatur euron si monedhë kombëtare (në mënyrë të njëanshme siç kanë bërë Kosova dhe Mali i Zi). A do të ishte e realizueshme konkretisht dhe cilat do të ishin avantazhet dhe dizavantazhet?
Nëse euro do të ishte monedha kombëtare, atëherë do të kishte anë të mira dhe probleme. Ndër të mirat futen importi i politikave të mira e me reputacion të Bankës Qendrore Europiane. Kjo do të thotë inflacion i stabilizuar dhe ekonomi ku, përmes politikave të BQE-së u reagohet mirë zhvillimeve negative që godasin njëlloj ekonominë shqiptare dhe atë të Eurozonës. Adoptimi i një monedhe të fortë si euro e disiplinon ekonominë e vendit në kuptimin që e vetmja mënyrë për të ecur përpara është rritja e konkurrueshmërisë dhe jo mbështetja tek politikat lehtësuese të zhvlerësimit të kursit të këmbimit.
Ndër problemet janë humbja politikëbërjes monetare dhe e mundësisë së reagimit në rast të goditjeve asimetrike që e ndikojnë ndryshe ekonominë shqiptare dhe ndryshe atë të Eurozonës. Për shembull, një ulje e çmimeve të naftës e mineraleve është problematike në Shqipëri sepse sjell ulje eksportesh dhe të ardhurash për qeverinë, ndërsa është e mirëseardhur në Eurozonë. Nëse do të kishim monedhë euron, nuk do të bënim dot gjë, sepse Banka Qendrore Europiane nuk do të vepronte, d.m.th. eksportuesit shqiptarë dhe qeveria do ta merrnin të plotë faturën e dëmeve.
Në rast se do të kishim lekun, një zhvlerësim i tij do të neutralizonte një pjesë të efektit negativ, sepse kostot për eksportuesit shqiptarë do të uleshin dhe me gjithë uljen e çmimeve në tregjet botërore, efektet negative do të ishin më të kufizuara.
Mendoj se në situatën e tanishme, ne kemi nevojë për lekun. Kundrejt ekonomive të Eurozonës, ekonomia shqiptare ka asimetri si strukturore ashtu edhe për sa i përket përbërjes së eksporteve dhe konkurrueshmërisë. Kjo do të thotë se ekonomia jonë mund të jetë pre e goditjeve asimetrike krahasuar me Eurozonën që, më tej, do të thotë se politika monetare e lekut na duhet dhe se na bën punë.
Po jap një shembull nga ekonomia greke. Greqia ishte pjesë e Eurozonës kur u godit nga kriza e borxhit. E vetmja mënyrë për të mbetur në Eurozonë dhe për t’u ngritur ishte ulja e rrogave, pensioneve dhe shpenzimeve buxhetore, d.m.th. rritja e konkurrueshmërisë. Kjo gjë është në rrugën e realizimit, por grekët e shtrënguan shumë rripin. Përfundimisht mendoj se adoptimi i euros do të ishte një “xhaketë e ngushtë” për ekonominë shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.