Shqipëria do të jetë pjesë e një institucioni rajonal për ndërhyrje në rast katastrofash natyrore. Një nismë e propozuar që në kohën kur Pakti i Stabilitetit drejtohej nga gjermani Bodo Hombah, ka marrë jetë vetëm pak kohë pas përmbytjeve masive që ndodhën në Bosnjë dhe Serbi. Vendi ynë, i përfaqësuar nga Ministria e Brendshme, detyrohet në bazë të një memorandumi të nënshkruar, që të kontribuojë me një kuotë fikse vjetore prej 25 mijë eurosh.
Memorandumi
Sipas një relacioni drejtuar Kuvendit për miratimin e memorandumit, organizata quhet “Iniciativa për Gatishmërinë dhe Parandalimin e Katastrofave për Europën Juglindore (DPPI SEE)”. Marrëveshja është nënshkruar në Sarajevë, më 28 nëntor 2013. Iniciativa DPPI SEE u lançua në nëntor të vitit 2000 nga Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, në një përpjekje për të kontribuar në zhvillimin e një strategjie të përbashkët rajonale për gatishmërinë dhe parandalimin e fatkeqësive për vendet e Europës Juglindore. Ajo është projektuar për t’u shërbyer interesave të vendeve anëtare të saj në çdo fazë të procesit të menaxhimit të rrezikut të katastrofave, për të bërë të mundur që këto vende të përballen me fatkeqësitë natyrore në mënyrë më efektive. Marrëveshja parashikon një bashkëpunim të plotë me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (CPM). Objektivat e Iniciativës, siç janë ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të menaxhimit të fatkeqësive, kanë për qëllim rritjen e punës parandaluese dhe parapërgatitjen nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të saj, në funksion të zgjerimit të BE-së dhe procesit të integrimit euroatlantik. Kjo do ta bëjë më të lehtë ndihmën e BE-së në rajonin e Europës Juglindore për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave.
Buxheti dhe anëtarësia
Iniciativa përbëhet nga këto shtete anëtare: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Serbia, Sllovenia. Në këtë iniciativë mungon Kosova, megjithëse me marrëveshjet e fundit dypalëshe në Bruksel, Kosova nuk pengohet në organizmat ndërkombëtare rajonale.
Memorandumi parashikon se cilat do të jenë ato vendime që kërkojnë konsensus ndërmjet palëve për t’u zbatuar, këtu hyn edhe pranimi për t’u anëtarësuar. Memorandumi parashikon mekanizmin “Trio”, që përbëhet nga kryesia e radhës e Iniciativës, ajo e kaluar dhe ajo pasardhëse. Roli i “Trio”-s është të sigurojë koordinimin strategjik dhe bashkërendimin e aktiviteteve të DPPI SEE-së. Për drejtimin ekzekutiv shërben një sekretariat me mandat katërvjeçar. Marrëveshja saktëson mënyrën e financimit të buxhetit, duke parashikuar se vonesa në pagesën e kontributit vjetor, prej 25 000 eurosh, nga secili shtet anëtar i DPPI SEE-së, do të rezultonte menjëherë në ndërprerjen e së drejtës për vendimmarrje në çdo aktivitet të saj, për sa kohë që kjo pagesë nuk është kryer.
/Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.