Bllokimi i linjës së transmetimit të energjisë Kosovë-Shqipëri ka krijuar kosto të shumëfishtë për dy shtetet. Humbjet vjetore të përbashkëta llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë e të dyja anëve kanë nisur të shlyejnë.
Operatori kosovar i Transmetimit zbardh për qeverinë shqiptare arsyet e bllokimit. Ja marrëveshja me 13 pika Thaçi -Vuçiç, mosrealizimi i së cilës mban peng linjën. Kostot e bllokimit përfshijnë të gjithë rajonin. Nuk ka zgjidhje në sfond
Blerina Hoxha
Linja e transmetimit Shqipëri – Kosovë, një projekt që u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro, është e dyta në sektorin e energjisë pas termocentralit të Vlorës, që thuajse ka dështuar. Qytetarët shqiptarë, të cilët kanë financuar me taksat e tyre këto dy projekte, do të duhet që përveç fitimit të munguar të paguajnë në vijim këstet e kredive mbi 140 milionë euro që qeveria shqiptare ka marrë për ndërtimin e këtyre dy veprave.
Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve europiane, rregullatorë të energjisë.
Operatori i Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KOSTT) në një material shpjegues që ka dhënë për qeverinë e Shqipërisë, ka sqaruar se qeveria serbe e ka kushtëzuar pavarësinë e sistemit të Kosovës me krijimin e një ndërmarrje serbe të tregtimit të energjisë në Veri të Kosovës. Pala e Kosovës e kishte dhënë mirëkuptimin për krijimin e saj në marrëveshjen e vitit 2015, dhe me herët në vitin 2013. Por më vonë, teksa ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kilovot ndërmjet Shqipërisë kishte nisur, Kosova nuk mund të lejonte krijimin e ndërmarrjes serbe në Veri, për faktin e thjeshtë se aplikimi serb i drejtohej Kosovës si republikë serbe. Ky përcaktim në kërkesën e Serbisë duket se do të mbajë peng në një periudhë të pacaktuar funksionimin e linjës, duke krijuar humbje miliona euro si për Kosovën, edhe për Shqipërinë.
Drejtori i Operatorit Shqiptar të Transmetimit (OST) Engjëll Zeqo tha se humbjet vjetore nga të ardhurat e munguara nga mosfunksionimi i linjës janë 500 mije-1 milion euro në vit, në varësi të volumeve të tregtimit, por më e keqja është se mosfunksionimi i kësaj linje pengon seriozisht funksionimin e tregut ballkanik të transmetimit.
Nga ana tjetër, Operatori i Transmetimit të Kosovës humb në një vit fiskal rreth 14 milionë euro duke mos vjelë tarifat e transmetimit ndërkufitar të energjisë, të cilat shkojnë në arkën e operatorit serb, EMS. Humbjet vjetore të përbashkëta llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë në të dyja shtetet kanë nisur të shlyejnë.
Qeveria e Serbisë duket se nuk do të ketë tërheqje, pasi nuk i ka respektuar afatet e vëna nga Komuniteti Europian i Energjisë, i cili kërkoi që problemi të zgjidhej brenda vitit 2016, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë shenjë mirëkuptimi.
Kosova shpjegon kleçkën e bllokimit
Njohja dhe operimi i Operatorit të Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KOST) si operator i pavarur në përputhje me marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE respektivisht pika 2, dhe marrëveshjeve të tjera me operatorët e tjerë (EMS Serbia, GGES Mali i Zi, MEPSO Maqedonia dhe marrëveshjes KOSTT-ENTTSO-e dhe KOSTT) do të duhej të ndodhte nga 30 tetori 2015, sipas një shpjegimi, që Operatori i Transmetimit të Kosovës ka dhënë për qeverinë e Shqipërisë.
Në materialin shpjegues për Shqipërinë, pala e Kosovës pranon se autoritetet serbe e kishin dhënë mirëkuptimin kundrejt krijimit të një operatori serb të energjisë në veri të Kosovës. Pala e Kosovës duhet të kishte përmbushur këtë detyrim para 30 nëntorit 2015, veprim ky që do t’i hapte udhë sistemit të transmetimit të Kosovës që të operonte, por nuk e ka bërë. Sipas shpjegimit zyrtar të operatorit të Kosovës, licencimi i operatorit serb në Veri është shoqëruar me probleme dhe për pasojë, leja nuk është dhënë. Kleçka lidhet me aplikimin serb që i drejtohet Kosovës si republikë serbe.
“Për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve nga EMS Serbia dhe problematikave që lidhen me licencimin e furnizuesit në Veri, marrëveshja ndërmjet KOSTT dhe ENTSO nuk është në funksion dhe KOSTT nuk njihet nga TSO-të europiane si operator i pavarur i sistemit elektroenergjetik”,- ka shpjeguar kompania e Kosovës për qeverinë shqiptare.
Pasojat e mosnjohjes së KOSTT si operator i pavarur në sistemin elektroenergjetik janë të mëdha si: Pamundësia e implementimit të kërkesave të BE për liberalizimin e tregut, zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, pengesat për zhvillimin e sektorit të energjisë në përgjithësi dhe humbjet financiare direkte dhe indirekte në sektor dhe KOSTT.
Kosova refuzon marrëveshjet rajonale, rrezikon tregu i përbashkët
Bllokimi i linjës së transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës më shumë se një mungesë përfitimesh nga dy vendet tona është një pengesë serioze për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal. Kosova, për shkak të pozitës gjeografike, është e vendosur në mes të rajonit dhe si e tillë problemet që lidhen me sistemin e transmetimit të Kosovës ndikojnë negativisht të gjithë rajonin.
KOSTT ka pohuar se për shkak të pamundësisë së fillimit të operimit si zonë e pavarur rregulluese sipas planifikimeve nuk e ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit që është rrjedhojë e marrëveshjes së Berlinit. Arsyet e mosnënshkrimit janë se nga katër masat e buta, të cilat duhet të implementojnë palët nënshkruese, tri prej tyre lidhen me operimin e pavarur të KOSTT si zonë e pavarur rregulluese. Në këto rrethana, KOSTT nuk ka pranuar të marrë detyra të cilat nuk mund t’i realizojë për shkak të kësaj gjendje. Këto masa janë: Zhvillimi i tregut të organizuar spotmarket, tregu balancues rajonal dhe alokimi i kapaciteteve rajonale.
KOSTT ka sqaruar qeverinë e Shqipërisë se refuzimi i nënshkrimit është bërë në koordinim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ministren për dialog.
Përkundrejt mosnënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, KOSTT është duke punuar për krijimin e kushteve të implementimit të masave sipas kërkesave të memorandumit.
Linja 400 kv Kosovë-Shqipëri është ndërtuar për të ndihmuar rritjen e kapaciteteve të shkëmbimeve tregtare të energjisë ndërmjet dy shteteve, zhvillimin e tregut të përbashkët dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në rajon. Kjo linjë ka ndikim të madh në sigurinë e operimit të sistemeve energjetike në rajon, shpjegon pala kosovare.
Importet e energjisë në Kosovë janë të prekura nga faktorët gjeopolitikë. Këta faktorë kanë penguar disponueshmërinë e kapacitetit transmetues si dhe në bilancin rajonal të energjisë.
Kostot për Kosovën
Sistemi i transmisionit të Kosovës është i ndërlidhur me sistemet e transmetimit të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë nëpërmjet linjave 400 kV, dhe në Shqipëri nëpërmjet një linje 220 kV. Importet neto në Kosovë llogariten në mes të 5 dhe 17% të konsumit total vjetor gjatë 10 viteve të fundit.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka prodhim sezonal të energjisë, me disponueshmëri më të madhe në muajt e dimrit, dhe shumë të ndjeshme nga kushtet hidrologjike nga viti në vit.
Linja e re e transmetimit do të rriste kapacitetin e transferimit në çdo drejtim me rreth 500 MW. Një lidhje e re 400 kV në Maqedoni është planifikuar gjithashtu se do të rrisë kapacitetin e transferimit në çdo drejtim, një shtesë 500 MW. Kjo mund të ndihmonte në rritjen e tregtisë me Shqipërinë për të shkëmbyer hidropikun e Shqipërisë me brez jashtë pikut të Kosovës. Ky proces do të çonte në shfrytëzim më të lartë të kapaciteteve të termocentraleve të Kosovës.
Operatori i Transmetimit të Kosovës KOSTT sqaron se në rrethanat aktuale në të cilat kompania operon do të thotë se linja e re e transmetimit Shqipëri -Kosovë në aspektin ekonomik do të menaxhohet nga operatori serb EMS. Kjo ndodh për shkak se KOSTT nuk njihet si zonë rregulluese nga ENTSO dhe kështu nuk bën alokimin e kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me vendet fqinjë. Nga ky proces, operatori serb EMS mbledh të ardhurat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinjë. Për 2015, EMS serb ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare mes Kosovës me shtetet fqinjë një shumë prej 14.5 milionë euro. “Në këto rrethana, nëse kjo linjë futet në operim, do të ndihmojë të rriten të ardhurat e operatorit serb me investime të Kosovës. KOSTT është duke parë që ky dëm të parandalohet në të gjithë kufijtë elektrikë të Kosovës”, – thuhet në sqarimin e KOSTT për qeverinë shqiptare.
Kostot për Shqipërinë
Linja e re e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të rriste garancitë e furnizimit të vendit me energji duke ndikuar edhe në uljen e kostove të importit.
Engjëll Zeqo, drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit pohon se mosfunksionimi i linjës ka sjellë pengesa në krijimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë, por Shqipërisë i ka krijuar humbje financiare të drejtpërdrejta. Zeqo tha se pala shqiptare ka nisur të shlyejë kredinë 35 milionë euro që është marrë nga donatorët për ndërtimin e linjës në pjesën shqiptare, pasi projekti në tërësi ka kushtuar rreth 70 milionë euro. Por përveçse qytetarët po shlyejnë nga taksat kreditë që u morën për investimin, që nuk dihet kur mund të nisë punë, OST ka një humbje vjetore nga të ardhurat e munguara 500 mijë deri në 1 milion euro. Kjo humbje e drejtpërdrejtë në financat e kompanisë nuk është dëmi i vetëm, – shton Zeqo pasi, nëse linja do të ishte në operim, kostot e transmetimit të energjisë do të uleshin. Kjo linjë transmetimi nuk ishte përgjegjëse vetëm për tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës, por për përcjelljen ndër rajonale të energjisë, – shpjegoi zyrtari i lartë i OST-së. Ai pohoi se shteti shqiptar është i paaftë për të ndikuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi është një problem i komplikuar politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Projekti, nisje dhe finalizim të mbrapshtë
Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Isa Mustafa, të shoqëruar nga ministrat përkatës së energjisë dhe një mori zyrtarësh të lartë në mesin e qershorit 2016 e kanë përuruar me pompozitet përfundimin e investimit në linjën e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë është pse shumë mirë e kanë ditur se nuk do të vihej në punë.
“Autostrada energjetike” si u nis, u bitis. Projekti që hasi në vështirësi, që në qeverinë Berisha për shkak të kostove të larta përveçse nisi me vonesë nuk pati fundin e pritshëm.
As qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisëdhe as bankat dhe shtetet që financuan këtë projekt nuk arritën të parashikonin mosfunksionim e saj edhe pse Serbia më herët kishte lajmëruar kushtet e saj.
Projekti gjithsej ka kushtuar 70 milionë euro, nga të cilat 35 milionë janë financim i qeverisë shqiptare, fonde të cilat u morën hua kryesisht në bankën gjermane KfW.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.
Për vetë kompleksitetin, përmasat dhe terrenin, ndërtimi i linjës ka qenë një sfidë jo vetëm për OST, por dhe për KOSTT, kontraktorët dhe konsulencën, të cilët kontribuuan për të finalizuar me sukses dhe brenda afatit të përcaktuar këtë projekt.
Kontrata për realizimin e këtij projekti u bë efektive në muajin maj 2014 dhe implementimi i tij u realizua për 2 vjet. Përfundimi në kohë i ndërtimit të linjës është bërë i mundur falë një angazhimi maksimal të OST, pasi në të shkuarën, projekti është ndeshur me tejzgjatje të procedurave dhe me vonesa që rrezikonin implementimin e tij në kohë, falë mbështetjes së dhënë nga KfW, këto problematika u tejkaluan dhe projekti u realizua në afatet e përcaktuara në kontratë, është shprehur Drejtori i OST në momentin e përurimit.
Linja e re është ndërtuar në përputhje të plotë me standardet teknike, duke shmangur njëkohësisht në maksimum ndikimet ambientale dhe duke ruajtur zonat e mbrojtura natyrore dhe ato me potencial të mundshëm arkeologjik. Për këtë shkak u ndryshua traseja e linjës pranë HEC Koman, në një gjatësi të konsiderueshme, për t’u shmangur nga zona e mbrojtur arkeologjike, me rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Shanset e humbura të Shqipërisë
Kompania shtetërore italiane e transmetimit të energjisë, TERNA, është duke avancuar në ndërtimin e një linje kabllore nënujore për transmetimin e energjisë elektrike me Malin e Zi, e parashikuar për të nisur nga transmetimi i energjisë këtë vit. Me ndërtimin e saj, Shqipëria humbi përfundimisht mundësinë për të tranzituar në periudhë afatmesme energjinë nga Ballkani në Itali dhe anasjelltas, kur dihet se interesi i kompanive shtetërore italiane ka qenë shumë i madh që linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore të niste nga Shqipëria, nisur nga distanca e shkurtër që mundësonte projektin me kosto më të ulët.
Në vitin 2007, qeveria shqiptare nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me administratorin e përgjithshëm të kompanisë “Enel”, Fluvio Conti, për zhvillimin e sistemit energjetik shqiptar.
Në themel të marrëveshjes ishte ndërtimi i një termocentrali me qymyr në rajonin e Durrësit nga gjiganti italian i energjisë. Investimi kapte një vlerë prej 1.9 miliardë dollarësh dhe në të përfshihej edhe ndërtimi i një linje të re transmetimi nënujore për energjinë drejt Italisë.
Por përpjekjet gati 6-vjeçare me Shqipërinë nuk kanë rezultuar të suksesshme ndaj fqinjët italianë e kanë finalizuar projektin e transmetimit të energjisë me Malin e Zi.
Punimet janë duke avancuar. Investimi nga TERNA kap një vlerë 760 milionë euro, ku 100 milionë euro ishin investime në rrjetin ekzistues në Malin e Zi.
Linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore do të lidhë Italinë me Ballkanin nëpërmjet në 415 kilometër me kapacitet 400 kilovolt nga Villanova në Kotorr me një kapacitet transmetues prej 1,000 megavat.
Një analizë e Komisionit Europian për investimet në rajonin e Ballkanit detajon se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike 400 kV Shqipëri-Maqedoni do të sjellë përfitime shtesë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej 314 milionë eurosh.
Ky projekt synon ngritjen dhe fuqizimin e një tregu të përbashkët të energjisë në rajonin e Ballkanit, çka në vijimësi do të sillte rënie të kostove të furnizimit ndërmjet vendeve.
Ky projekt është pjesë e nismës së Komisionit Europian për të krijuar korridorin e transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet Bullgarisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. Seksioni midis Bullgarisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe ndërtimi i linjës kabllore nën det mes Italisë dhe Malit të Zi është duke u zhvilluar.
Përveç kësaj, një lidhje e re 400 kV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi është tashmë në veprim.
Në Shqipëri, rritja e ndjeshme e ngarkesës vjetore për shkak të burimeve të reja gjeneruese po ushtron presion mbi sistemet aktuale të transmetimit – vë në dukje analiza e KE-së. Kjo është bërë shkak për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët vendas dhe bizneset.
Komisioni Europian vë në dukje se sistemet ekzistuese të transmetimit nuk do të jenë në gjendje për të përballuar burimet e reja gjeneruese të planifikuara për t’u zhvilluar në Jugun e Shqipërisë (p.sh., hidrocentraleve në Devoll, Vjosë, dhe kaskadat e lumit Osum dhe HEC-et e tjera të vogla në lumenjtë e Jugut).
Ndaj dhe linja e re e transmetimit me Maqedoninë do ta bëjë sistemin e furnizimit me energji elektrike në jug të Shqipërisë më të sigurt. Të paktën 800.000 njerëz dhe industritë e shumta në Fier dhe Berat, Kuçovë dhe rajonin e Elbasanit do të përfitojnë nga furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, thuhet në studim.
Komisioni Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ofruan ndihmë financiare për fazat e identifikimit të projektit, si pjesë e Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.
Aktualisht Shqipëria dhe Maqedonia kanë përfunduar procedurat për kredinë dhe është gati për të nisur puna.
Kostot nga projektet e dështuara
Qeveria shqiptare po shlyen borxhin 130 milionë euro që ka marrë për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, i cili nuk u vu kurrë në punë, për shkak të një defekti në procesin e ndërtimit. Gjithashtu tani ka nisur të paguajë kredinë 35 milionë euro me gjithë interesa që ka marrë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Kësaj kostoje të drejtpërdrejtë në xhepat e shqiptarëve i shtohet edhe rendimenti i munguar i këtyre dy investimeve madhore të periudhës së tranzicionit. Saga në të cilën ka kaluar ndërtimi i termocentralit të ri të Vlorës nuk mbaron me dështimin e projektit që kushtoi 129 milionë dollarë, për të kontribuar me 8% në konsumin e energjisë, por me perspektivën e paqartë të rivënies në punë dhe kostot e larta që shoqërojnë procesin. Edhe sikur TEC-i të vihej në punë në vitin 2012, çmimi i shitjes së një kilovatori energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se çmimet e importit.
Situata është komplikuar më tej, nga defekti në tubat e ftohjes gjatë periudhës së garancisë më 2012, që më pas ka prodhuar konflikte të reja me kompaninë italiane Maire Tecnimont, të cilat po gjykohen në Arbitrazh.
Qeveria shqiptare ka zhvilluar dy tenderë të rinj të destinuar për çështjet e TEC-it.
I pari është studimi i fizibilitetit për shqyrtimin e rivënies në punë të Termocentralit nëpërmjet gazit të TAP-it. Por efektiviteti i studimit vihet në dyshim për faktin se gazsjellësi TAP ende nuk ka miratuar kuotat shtesë të gazit në Shqipëri.
Tenderi i dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e një kompanie që do të japë konsulencën e nevojshme se si mund të zgjidhet defekti në tubat e ftohjes dhe të detajojë kostot për riparimin e tij. Sipas KESH, vetëm konsulenca do të kushtojë mbi 1 milion dollarë. Zgjidhjet që do të ofrojnë këto dy studime pritet të sjellin miliona euro të tjera shpenzime për arkën e shtetit, pasi përshtatja e TEC për gazin e TAP kërkon një investim krejt të ri për të lidhur objektin që është në Vlorë me pontilin e depozitave të gazit në Fier duke përfshirë këtu edhe ridimensionimin e kartës teknologjike.
Ministria e Energjetikës pohon që edhe me gazin e TAP, TEC-i i Vlorës më shumë, se sa për prodhim parësor, do të shërbejë si një backup për sistemin energjetik. Varianti më i keq është ta lësh siç është.
Deri më tani shpenzimet për TEC-in llogariten rreth 136 milionë dollarë, nga të cilat 129.9 milionë për ndërtimin dhe pjesa tjetër llogaritet kosto operacionale dhe paga për administrimin e objektit tashmë në konservim.
Por në fund janë qytetarët shqiptarë ata që po paguajnë të gjithë faturën e shumëfishtë që ka krijuar investimi në këtë objekt joproduktiv.
Borxhi i jashtëm i vendit u shtua me 2.3% nga huatë e marrë për TEC-in, teksa shpenzimet për mirëmbajtjen e objektit llogariten sa 10% e kostove të Furnizuesit Publik me Shumicë të Energjisë (degë e shitjes së KESH), të cilat janë transferuar në tarifat fundore për konsumatorët.
Kostot fikse që i krijon TEC Vlora Korporatës Elektroenergjetike në një vit fiskal janë rreth 1.5 miliardë lekë, ku përfshihet mirëmbajtja dhe shlyerja e kësteve të kredive, sipas përllogaritjeve të Entit Rregullator të Energjisë në vitin 2012. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore në shtator të vitit 2012, shpenzimet për ndërtimin e termocentralit të ri të Vlorës arritën vlerën e 129.9 milionë dollarëve, nga të cilat 125 milionë u përdorën për ndërtimin e objektit me cikël të kombinuar naftë dhe gaz dhe 4.8 milionë dollarë të tjera ishin shpenzime për asistencë teknike dhe trajnime. Gjithashtu një shumë prej 4.8 milionë dollarësh u vu në dispozicion si kontingjent fizik. Për ndërtimin e TEC-it, Financimet u siguruan kryesisht nga kredi të jashtme. BERZH kontribuoi me 48.7 milionë dollarë, Banka Europiane e Investimeve me 48.7 milionë dollarë, Banka Botërore nëpërmjet financimeve IDA me 25 milionë dollarë dhe agjencitë e tjera të financimit siguruan edhe 12.6 milionë dollarë. Në total, kuota e financimit arriti në 135 milionë dollarë. Interesi mesatar i huave është 5.6%, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
KESH sqaron se vetëm kostot operacionale për katër vitet e fundit arritën 601 milionë lekë ose 5 milionë dollarë.
Gjithashtu KESH paguan edhe 60 punonjës, të cilët bashkë me koston e karburantit në një vit kalendarik, harxhojnë edhe rreth 1 milion dollarë të tjera.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka shlyer gati gjysmën e huave 80 milionë euro të marra nga BERZH dhe BEI për ndërtimin e TEC-it. Ndaj BERZH do të shlyhen edhe 14.9 milionë euro deri më prill të vitit 2019 dhe ndaj Bankës Europiane të Investimeve (EIB) edhe 29.3 milionë euro të tjera deri në vitin 2023.
Kreditë do të shlyheshin me të ardhurat që do të siguroheshin nga shitja e energjisë së prodhuar nga TEC-i pasi ai të ndërtohej. Por për shkak të defektit në turbinat e ftohjes dhe kostove të larta, prodhimi nuk është realizuar, duke bërë që borxhi dhe kostot e tij të shërbehen nga taksat e shqiptarëve.
Linja e interkonjeksionit me Kosovën është në të njëjtën rrugë. Teksa kredia ka nisur të shlyhet, askush nuk mund të thotë se kur ajo mund të vihet në punë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.