Ndoshta falë krizës së borxheve dhe turbullirave në tregjet financiare është kthyer përsëri në modë një mënyrë investimi paksa e vjetruar: kursimet për ndërtimin e shtëpive.
“Arkat private të kursimeve për ndërtimet në Gjermani vitin e kaluar kanë rritur fitimet dhe në 2012-n kanë hyrë me bilanc pozitiv në rritje”,
thotë Andreas Zehnder, shefi i kryesisë së shoqatës së arkave private për kursimet për ndërtimin.
Në lejet e ndërtimit ka një rritje prej 20%, kjo është dëshmi e qartë për atë që njerëzit e shohin shtëpinë e tyre si një investim të sigurt të parave,
në radhë të parë për faktin se shtëpinë private e shikojnë si një vlerë materiale dhe investim për pleqërinë.
Vitin e fundit, në arkat për investimin e ndërtimeve janë futur 18 miliardë euro. Ky është një rezultat rekord. Kursimet për ndërtimin do të thonë me sa duket siguri dhe soliditet.
“Kjo tregohet edhe me faktin se volumi i kursimeve për ndërtimin, pra shuma e kursyer për ndërtim, në vitin 2011 është rritur 10% në 100 miliardë euro.
Mendoj se kjo është një dëshmi e mirë, që njerëzit e dinë mirë se ku i çojnë paratë”, thotë Zehnder.
Pasuritë e patundshme janë momentalisht të kërkuara jo vetëm për shfrytëzim vetjak, por edhe si investim kapitali.
Kërkesa e madhe i ka rritur çmimet e shitjes dhe qiratë e shtëpive në Gjermani.
Jugu i Gjermanisë është më i shtrenjti në qira.
“Banorët e Mynihut paguajnë 13 euro për 1 metër katror pa marrë parasysh energjinë”, thotë Christian Schulz-Wulkow, partner i “Ernst & Young Real Estate”.
Në Frankfurt mbi Main duhen dhënë afro 12 euro. Më lirë është të jetosh në Gjermaninë Lindore. Në qytetin e bukur të Magdeburgut dhe në qytetin e panaireve në Lajpcig, 1 metër katror kushton 5 euro pa llogaritur energjinë.
Tregu gjerman i pasurive të patundshme është i qëndrueshëm me gjithë luhatjet financiare në Europë. Kjo konfirmohet edhe nga barometri i “tregut të investimeve të pasurive të patundshme 2012” i “Ernst & Young Real Estate”.
Rreth 80 sipërmarrje dhe investitorë në Gjermani kanë marrë pjesë në një anketë, në kuadër të një studimi, ndër ta banka, fondet e pasurive të patundshme apo shoqëri investimesh.
Sipas tyre “Gjermania vlerësohet me stabilitet ekonomik dhe si qendër për investimet në pasuritë e patundshme”, thotë Schulz-Vulkov, bashkautor i studimit.
Aktualisht, sipërmarrjet gjermane për pasuritë e patundshme janë më të kërkuarat, madje më tërheqëset gjatë eurokrizës. Edhe veçmas, por në krahasim me standardet europiane,
rreth 99% e pjesëmarrësve në studim e vlerësojnë tregun gjerman si tërheqës.
Për herë të parë nga “Ernst & Young Real Estate” janë pyetur edhe investitorë në njëmbëdhjetë vende të tjera europiane. Gjithsej morën pjesë rreth 540 sipërmarrje.
Gjermania, Suedia dhe Zvicra vlerësohen shumë për shkak të stabilitetit të tregjeve të pasurive të patundshme.
Edhe për investitorët e huaj, Gjermania që prej krizës financiare është bërë më interesante, ndërsa vendet tradicionale si Holanda,
Franca apo Britania e Madhe kanë humbur diçka. Në radhë të parë, stabiliteti i tregut gjerman dhe shanset ekonomike dalin në dukje.
Në mbarë Europën ka shqetësime për inflacionin, që ndikojnë në rritjen e interesit për pasuritë e patundshme.