Kroaci, protesta kundër rritjes së moshës së pensionit

02/11/2018 10:05 PM 0 komente

Mijëra njerëz kanë protestuar të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Kroacisë, lidhur me planet e qeverisë për të rritur moshën e pensionit në 67 vjeç, si dhe për uljen e nivelit të pensionit për të gjithë ata që dalin në pension më herët. Javën e kaluar, qeveria i kërkoi Parlamentit që të miratojë ligjin e ri mbi pensionet, duke e cilësuar reformën si një hap të rëndësishëm të përpjekjeve për ta bërë sistemin e pensioneve të qëndrueshëm.

Projektligji përfshin edhe një propozim për të ulur me 4% në vit, nivelin e pensioneve të të gjithë atyre personave që ndalin së punuari përpara arritjes së kësaj moshe. I gjithë populli ynë është i mërzitur në lidhje me propozimin e këtij projektligji, duke e konsideruar atë si të papërgjegjshëm ndaj punonjësve dhe pensionistëve, u shpreh Kresimir Sever, një nga udhëheqësit e sindikatave që organizuan protestën në Zagrebin qendror.

Disa prej protestuesve bërtisnin “Hajdutë, hajdutë”, dhe shumë prej tyre mbanin pankarta ku shkruhej “Nga shkolla drejt papunësinë dhe nga puna drejt e në varreza”. Protestuesit ishin nga kategori të ndryshme punonjësish, që nga ata të industrisë së metalit, e deri tek infermierët, duke thënë se rritja e moshës së daljes në pension ishte një veprim i padrejtë ndaj tyre dhe se ata nuk mund të punonin dot deri në atë moshë.
“Unë mbaj ditë për ditë qindra kosha të mbingarkuar me mbeturina. Pas kryerjes së një operacioni në gju, shumë shpejt do t’i nënshtrohem edhe një operacioni në gjurin tjetër”, tha në një intervistë për një televizion, një prej protestuesve.

Krerët e sindikatave thonë se ligji i ri do të dëmtonte veçanërisht punonjësit në moshë më të vjetër, të cilët shpeshherë janë nën presion se do të dalin më herët nga puna për arsye shëndetësore, ose për shkak se punëdhënësit duan t’i zëvendësojnë ata me punonjës të rinj.
Ata kanë theksuar se kroatët kanë jetëgjatësi më të shkurtër se një pjesë e madhe njerëzish në shumë vende të tjera të Bashkimit Europian. Sindikatat janë zotuar se do të nisin një fushatë për një referendum mbarëkombëtar, që do të thirret mbi propozimin për reformën e pensioneve, në rast se qeveria do të refuzojë kërkesat e tyre dhe do të vazhdojë përpara me zbatimin e planit.

Por që të zhvillohet referendumi, protestuesit dhe krerët e sindikatave duhet të mbledhin firmat e 10% të elektoratit, të barabarta me 375,000 njerëz. Edhe analistët dhe ekonomistët bien dakord me arsyetimin e qeverisë kroate, se Kroacia nuk mund ta bëjë sistemin e saj të pensioneve të qëndrueshëm në një periudhë të gjatë kohe, nëse ajo nuk rrit moshën e daljes në pension.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of