Ato janë po aq të fuqishme sa edhe meshkujt në drejtim. Dinë të jenë autoritare, por edhe miqësore. Me taka të larta apo jo, me veshje të modës së fundit apo “casual”,
femrat shqiptare që sot janë në krye të bizneseve apo institucioneve të rëndësishme kanë krijuar tashmë një kulturë të re menaxhimi. Janë inovative, dinamike, tradicionale,
konservatore, por edhe moderne dhe eksploruese. Kanë karaktere të ndryshme, por emëruesi i tyre i përbashkët është se dinë të guxojnë dhe të marrin mbi vete përgjegjësi.
Drejtimin e konsiderojnë si një sfidë që po e çojnë përpara, më shumë të nxitura nga pasioni se nga etja për para apo pushtet. “Arma” e fortë e tyre është aftësia për të ngritur raporte të mira me bashkëpunëtorët.
Shpesh përdorin edhe imazhin e tyre me garancinë e një marke, e cila është testuar se di të marrë sukses. Dëshira për të guxuar, për të vënë në punë aftësi të ndryshme, por edhe për të përfituar sa më shumë pavarësi financiare,
bën që këto femra të jenë gjithmonë në kërkim të risive. Vrojtime të ndryshme tregojnë se në kompani ku drejtuese janë femrat, delegohen më shumë përgjegjësi sesa kur në krye janë meshkujt.
Zonja ruse e bankës
Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri
Në vitet e fundit, zyra e Bankës Botërore në Tiranë është drejtuar nga femra. Kseniya Lvovsky u vu në krye të saj që nga shtatori i 2010-s, duke zëvendësuar Camille Nuamah.
Një rastësi për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë edhe pjesë e një strategjie të gjerë të Bankës Botërore, për të arritur balancën e gjinisë 50 me 50 në pozicionet menaxheriale.
Kseniya Lvovsky ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Bankën Botërore.
Ajo thotë se çelësi i suksesit është të pëlqesh atë që po bën, të provosh gjëra të reja dhe të mos kesh frikë të njohësh dhe të mësosh nga gabimet.
Duke punuar në një institucion botëror dhe të larmishëm si Banka Botërore është e rëndësishme të respektohen pikëpamjet, kulturat dhe përvojat e ndryshme.
“Zhvillimi është një proces mësimi për të gjithë ne. Vullneti për të mësuar vazhdimisht dhe dëshira për të ndarë në mënyrë efektive me të tjerët atë që ke mësuar është një tjetër kualifikim i rëndësishëm”,
thotë Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.
Ajo është me origjinë nga Rusia, por për shumë vjet ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Znj. Lvovsky thotë se deri tani ka gjetur më shumë ngjashmëri sesa ndryshime mes ruseve dhe shqiptareve.
“Gratë shqiptare, si dhe ato ruse, kanë akses të mirë në arsim dhe formalisht mundësi të barabarta, megjithatë tradita e thellë shoqërore e dominancës dhe superioritetit mashkullor,
e zvogëlojnë këtë mundësi në praktikë, kur flitet për pozicione të larta. Gratë menaxhere duhet të jenë disa herë më të zgjuara, të talentuara dhe punëtore të mëdha,
që të merren në konsideratë, por edhe kur ato janë të tilla, u jepen shpesh role të dyta, jo parësore. Aspekti pozitiv është se ky qëndrim po ndryshon në drejtimin e duhur”, thotë znj. Lvovsky.
Kur e pyet nëse është e vështirë që të drejtosh zyrën e Bankës Botërore në Shqipëri, pasi shpesh duhet të përçojë mesazhe të forta për ekonominë dhe politikën, në një kohë kur ka një krizë të gjerë financiare,
thotë se ndihet me fat se ka kolegë të shkëlqyer, përkrahja e të cilëve është shumë e dobishme në dhënien e mesazheve të vështira, kur është e nevojshme.
“Për mua, të punosh në Shqipëri është shumë interesante dhe shpërblyese. Ka shumë dëshirë për të pranuar mesazhet dhe këshillat tona. Për shumë çështje, pikëpamjet tona janë të ngjashme me qeverinë,
ose që reflektojnë mënyra disi të ndryshme, por po aq të vlefshme për të arritur të njëjtat qëllime. Shumica e ndryshimeve tona zgjidhen në frymën e bashkëpunimit dhe mësimit të ndërsjellët,
i cili është çelësi i suksesit në Bankën Botërore”, thotë ajo.
Për gratë në drejtim, sfidat janë të shumta, të menaxhosh vende pune, mund të jetë shumë e lodhshme. Është e rëndësishme të kujtohesh se ka më shumë se kaq në jetën dhe lumturinë tënde.
“Avantazhi më i madh i grave është se ato i pranojnë më lehtë gabimet. Në një botë biznesi ende të dominuar nga burrat, kjo merret shpesh si dobësi, ndërsa unë e konsideroj si shenjë të forcës dhe besimit.
Gratë menaxhere nuk duhet të përpiqen të rregullojnë sjelljen dhe mentalitetin në një ‘kulturë mashkullore’, sikurse ndihen ndonjëherë nën presion për ta bërë. Ato duhet të mbeten vetvetja dhe kultura do të përshtatet me këtë fakt”, thotë znj. Lvovsky.
Janë aspekte që ajo i konsideron të veçanta edhe për një fakt tjetër, se është nënë e dy vajzave. Mes shumë këshillave që ajo iu jep dhe që është vlerësuar nga ana e tyre si e dobishme për t’u ndjekur është se nuk duhet të mërziten për gjëra të vogla, që nuk janë me të vërtetë të rëndësishme, si një bizhu, telefon celular ose një biçikletë e vjedhur, për shembull.
“Kur ndodhin gjëra të tilla, unë gjithmonë iu them atyre (dhe vetes kur më ndodhin mua): shikoni, të gjithë ato që duam janë mirë, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi, le të shohim përpara (le ta kalojmë edhe këtë).
Në karrierë, ato e dinë sa shumë e pëlqej unë punën time. Edhe ato duan që të jenë në gjendje ta pëlqejnë të ardhmen profesionale, po kaq sa unë”, thotë ajo.
Planet e saj për të ardhmen? Me bashkëshortin vendosën që të transferoheshin për në Shqipëri nga SHBA-të, ku jetonin që prej 20 viteve. E cilëson si një nga vendimet më të mira që kanë marrë.
Po mendojnë për një lëvizje, në një vend tjetër, me një program të madh të Bankës Botërore, mundësisht në Afrikë apo Azi.
Kur flet avokatja…
Ardjana Shehi, Partnere, zyra e avokatisë “Kalo & Associates”
Në një sipërmarrje, rrallë të jepet mundësia të shikosh se në drejtim ka barazi gjinore. Por kjo ndodh te zyra e avokatisë “Kalo & Associates”, ku numri i partnerëve meshkuj është i barabartë me ato femra.
Ky është tregues jo vetëm se në profesionin e avokatit, femrat janë po aq të afta sa edhe meshkujt, por ka të bëjë edhe me besimin që ka pasur te femrat avokate, krijuesi dhe drejtuesi i zyrës, i cili dallohet për vizion.
Ardjana Shehi është një nga partneret e kësaj zyre e cila tashmë numëron shumë vite në profesion. Karrierën e saj, jo në hierarki dhe pozicion, por në gjerësinë e profesionit të juristit/avokatit e ka bazuar në disa shtylla të rëndësishme,
si përgjegjshmëria, vullneti për punë dhe për t’u përfshirë me cilësi në fusha të reja të së drejtës, si dhe në dëshirën për të punuar në organizata udhëheqëse në industrinë/sektorin përkatës.
Kur e pyet se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta, tregon se shumë vjet më parë, kjo pyetje e befasonte, por tani mendon se këtë analizë çdokush duhet ta bëjë për veten dhe duhet ta bëjë me paanësi.
“Shpresoj se nuk gaboj kur rendis si pika të forta seriozitetin, përgjegjshmërinë dhe integritetin. Mungesën e dëshirës për të qenë vizibile e konsideroj si pikë të dobët timen të cilën, përpiqem herë-herë ta përmirësoj.
Duke përfituar nga rasti do të nxisja femrat në karrierë, por jo vetëm, që të bëhen më të dukshme, pasi kështu rrisin potencialin për njohjen dhe konsiderimin e vlerave të tyre dhe, si rrjedhojë, mundësinë për kontribut efektiv edhe në biznes”,
thotë avokatja. Në mentalitetin shqiptar ndodh që njerëzit priren t’i besojnë “fatin” një avokati, por ky profesion, thotë av. Shehi, kërkon mbi të gjitha përgjegjshmëri dhe kujdes për cilësinë e shërbimit dhe femrat avokate e kanë këtë cilësi,
e cila patjetër që kërkohet nga klientët. “Më tej, të qenit serioze, sjellja dhe shfaqja serioze e avokateve femra është mjaft e rëndësishme që ato të besohen dhe të mos paragjykohen nga klientët dhe nga të tjerët”, thotë partnerja e zyrës “Kalo & Associates”.
Fushat që ajo mbulon me asistencë janë disa, si tatim-taksa dhe falimentim. Kur i kërkohet të marrë vendime të rëndësishme, në lidhje me çështje profesionale merr në konsideratë, në mënyrë të kujdesshme edhe mendimin e kolegëve.
Si drejtuese, ajo është “partizane” e strukturës “flat” të menaxhimit. Thotë se beson në suksesin e marrëdhënieve dhe organizatave me struktura të sheshta dhe këtë e zbaton edhe gjatë punës së saj, pavarësisht nëse organizata ku punon është e sheshtë ose jo.
E nëse ka një gabim që Ardjana Shehi nuk e toleron te vartësit e saj, edhe pse thotë se nuk është e këshillueshme të japësh mendim absolut, është shkelja e mirëbesimit. Një aspekt që mund ta dallosh lehtë edhe në takimin me të,
ku të bën përshtypje profesionalizmi dhe integriteti. Investimi i seriozitetit dhe i besnikërisë në të gjitha marrëdhëniet duket se ndihmon edhe në ndarjen e punës në zyrë nga jeta private.
“Shpresoj të jem e besueshme për ata që nuk më njohin kur them se këtë ndarje mund ta bëj mirë dhe se nuk është gjithnjë e vështirë të punosh me partnerin në jetë. Për këtë ka shumë shembuj të mirë” thotë avokatja.
Gjuetarja e “kokave”
Pranvera Papamihali, menaxhere për Shqipërinë, “Pedersen & Partners”
Në vitin 2007, kur iu bashkua “Pedersen & Partners” në Shqipëri, nuk e kishte shumë të qartë rrugën që po përshkonte, aq më tepër që sektori i rekrutimeve,
në atë kohë ishte në fillim dhe nuk është se njihej e përdorej shumë nga kompanitë. Në atë kohë Pranvera Papamihali mendoi se kjo ishte një mundësi për zhvillimin e karrierës, në krye të një kompanie ndërkombëtare.
Përpos aftësive personale dhe eksperiencës, armë do të ishte edhe “nuhatja” femërore. “Sa për këtë, me përjashtim të faktit që mendoj se ne jemi më të ndjeshme dhe tentojmë ta ndërtojmë gjykimin tonë për dikë, jo vetëm mbi një CV,
por edhe mbi atë që quhet “attitude”, pra sjellje, na jep deri-diku përparësi, sepse biznesi i rekrutimit kërkon të kesh një aftësi veçanërisht të zhvilluar të të menduarit “out of the box” (jashtë kornizave).
Gjithashtu kërkon të jesh e duruar, modeste dhe tolerante, tipare të cilat mendoj se ne femrat i kemi. Megjithatë nuk mund të absolutizoj, teksa mendoj për konsulentët meshkuj,
të suksesshëm të ‘Pedersen & Partners’ në botë”, thotë znj. Papamihali.
Të drejtosh filialin e një kompanie ndërkombëtare do të thotë që në çdo moment të kujdesesh për të ruajtur e përçuar imazhin e saj në nivel lokal,
duke reflektuar në mënyrën më të mirë të mundshme standardet e ngritura e të provuara tashmë nga përvoja ndërkombëtare, disavjeçare e kompanisë, që po rritet në nivel botëror me ritme të shpejta.
Dhe imazhi nuk është diçka që ngrihet në mënyrë artificiale. Ai vjen natyrshëm, duke besuar në punën që bën dhe misionin që ke si individ, por edhe si ekip.
Duke u kujdesur vazhdimisht për një frymë të brendshme të shëndetshme brenda zyrës, ku secili ka vlerat dhe aftësitë e veta individuale.
Ndërsa në rekrutim… “Për fat të mirë, biznesi ku operojmë është “people business” (biznes i njerëzve). Ai fillon dhe mbaron si i tillë, në çdo projekt.
Kjo në rrafsh klientësh që na drejtohen për gjetjen e ekzekutivëve, ashtu dhe në rrafshin e produktit. Në përfundim të çdo projekti, është një kompani, e cila përmirëson/rrit biznesin e saj si rrjedhojë e kontributit të ekzekutivit që ne rekomandojmë,
por nga ana tjetër janë edhe ekzekutivët, të cilët ndihen të vlerësuar si individë e si profesionistë, në një ambient ku ata mund të sjellin vërtet ndryshim”, thotë menaxherja për Shqipërinë e “Pedersen & Patersen”.
Fakti që kompania është e ekspozuar në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë me tregun, krijon mekanizma kontrolli të fortë, për ruajtjen e cilësisë dhe standardeve dhe bën që të luftohet në çdo moment,
për të pasur një feedback sa më pozitiv, mbi të cilin, në fund të fundit, ngrihet dhe rritet puna e reputacionit.
Ajo mendon se në procesin e rekrutimit nuk tregohet aspak feministe, pasi në të kundërtën do të diskriminonte gjithë shtresën e ekzekutivëve meshkuj, me eksperiencë e të talentuar.
“Jam e drejtë sepse besoj që ne kemi një mision. Siç thotë populli ‘të shkojë haka tek i zoti’, pra që secili të vlerësohet në mënyrë më të paanshme
dhe objektive të mundshme, bazuar në eksperiencat/aftësitë/tiparet e veçanta të personalitetit, pavarësisht seksit.
Natyrisht ka pozicione, ku një femër mund të ishte më e preferuar, dhe kjo vlen edhe për pozicione ku praktika ka treguar se meshkujt performojnë më mirë. E përsëri çdo gjë është relative…”, thotë znj. Papamihali.
Vetes, ajo i njeh si pikë të dobët faktin që ndonjëherë menaxhimi i mirë i kohës në vorbullën e përfshirjes, në shumë projekte në të njëjtën kohë, i çalon. Si dhe njëfarë tendence për të parë gotën gjysmë të zbrazur,
kjo më tepër e lidhur me një ndjenjë të fortë, të kritikës ndaj vetes, duke menduar ‘ç’mund të bëja më mirë’.
Pikat e saj të forta janë: aftësia që ka për të ngritur dhe mbajtur marrëdhënie interpersonale, të qenit e hapur, modeste e me këmbë në tokë.
Kur e pyet nëse ka diçka që do të dëshironte ta ndryshonte në karrierën e saj thotë se brezi, të cilit i përket nuk e ka pasur shumë luksin e hedhjes së hapave të kujdesshëm e të mirëmenduar sikundër
ndodh me brezin e sotëm që ka shanse për të ngritur një karrierë të shëndetshme.
“Zhvillimi i kompanisë dhe i imi personalisht ka qenë rezultat i guximit për të marrë vendime të caktuara, në kohën dhe në vendin e duhur, qoftë edhe duke ‘rrezikuar’ pak,
e ndjekur më pas nga këmbëngulja dhe sedra e mirë për ta kthyer në sukses çdo lloj vendimmarrje. Edhe karriera ime personale reflekton këtë trajektore”, thotë menaxherja për Shqipërinë e “Pedersen & Partners”.
Po cilat janë disa çështje për të cilat është mirë që vendimet t’i marrë një drejtuese femër dhe kur një drejtues mashkull?
“Duke mos dashur të absolutizoj, duke u ndalur në vendimmarrje specifike, do të nisesha nga disa tipare të femrave dhe meshkujve, të cilat mund të jenë apo jo favorizuese.
Natyrisht mbetemi brenda kuadrit të relativitetit. Një femër zakonisht dallohet, është më intuitive dhe emotive, ndërsa një mashkull më racional. Femrat janë më të interesuara në ngritjen e një marrëdhënieje për të kryer një detyrë,
ndërsa meshkujt preferojnë të ngrenë marrëdhënien teksa kryejnë detyrën, etj. Megjithatë, për mendimin tim, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos flasim për atë që femrat apo meshkujt mund të bëjnë më mirë e më keq,
sepse rrezikojmë të diskriminojmë, por të flasim për individët, pavarësisht gjinisë”.
Kur i kërkoj, që në bazë të eksperiencës së saj të bëjë një vlerësim (me nota nga 1 deri te 10) për menaxherët shqiptarë thotë se ata janë në rrugën e duhur për të kapur maksimalen.
Nga ana tjetër duhet të mbahet parasysh se ekonomia shqiptare është relativisht e re, sidomos duke iu referuar momentit të hyrjes së investimeve të huaja direkte dhe hapjes ndaj tregjeve ndërkombëtare.
“Niveli i asaj që ne e quajmë ‘seniority’, është ende në fillime. Tipare të tilla si të qenit mendjehapur, fleksibël, nxënës i shpejtë, pozitiv karshi ndryshimeve etj., që menaxherët tanë kryesisht i kanë, janë ogur i mirë.
Ajo që duhet pasuruar është përvoja dhe arritjet”, tha znj. Papamihali.
Ajo thotë se femrat (ku përfshin edhe veten) e kanë pak të vështirë të nxjerrim në pah rezultatet dhe arritjet. Janë më altruiste dhe tentojnë të japin më shumë sesa të marrin, çka bën që të mbeten disi në hije.
“Të jesh në nivele drejtuese, do të thotë të jesh në vijën e parë. Që të arrish atje e të kesh rezultate, kërkon të jesh këmbëngulëse e luftarake, por jo duke u tjetërsuar,
por duke ruajtur tiparet më njerëzore të një femre si butësinë, kujdesin ndaj të tjerëve, respektimin e mendimit ndryshe etj. Mendoj që kombinimi i të dyjave është çelësi i suksesit”, thotë ajo.
Veten e vlerëson si me fat që bën një punë që e dashuron në kuptimin e plotë të fjalës. E nisur nga kjo këshillon që zgjedhja e një pune të mos kthehet thjesht në biznes, por teksa kujdesen për zhvillimin e karrierës së tyre,
të mendojnë edhe për dëshirën, pasionin e talentin.
Ilda Biçoku, administratore e “Century 21 The Point
Gjithnjë në sfidë me veten
Ilda Biçoku nuk e kishte menduar se sot do të ishte një grua biznesi, aktive gjatë 24 orëve të ditës dhe me shumë pak kohë të lirë në “dispozicion”. Administratorja e “Century 21 The Point” ka mbaruar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega italisht.
Mësimdhënia në fakultet dukej se ishte drejtimi i detyruar për të, që nga zgjedhja e studimeve, por pak vite më vonë kuptoi se shkolla që mbaron dhe prirjet apo dëshirat për karrierën profesionale, jo gjithmonë përkojnë me njëra-tjetrën.
Asokohe nuk kishte nisur ende profilizimi i studimeve dhe sistemi arsimor universitar ishte i ndryshëm, kështu që nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta provonte vetë.
“Dëshira më e madhe që kam pasur dhe kam, është të mos rri kurrë në vend, të eksploroj rrugë të reja dhe mbi të gjitha të sfidoj veten dhe të tjerët me zgjedhje jo të lehta. Për këtë arsye,
e kam zgjedhur prej kohësh rrugën e biznesit dhe më së fundi, prej vitit 2009 drejtoj agjencinë ‘Century 21 The Point’, e cila është pjesë e sistemit më të madh të ndërmjetësimit të pronave në botë ‘Century 21’”, thotë 40- vjeçarja Biçoku.
U bënë tashmë tre vjet që me agjencinë “Century 21 The Point” është në tregun e pasurive të paluajtshme. Edhe pse një sektor i vështirë në një treg të vështirë, puna në ndërmjetësimin e pronave i duket interesante,
sepse ke të bësh me shumë njerëz në momentin kur ata bëjnë një nga zgjedhjet më të rëndësishme në jetën e tyre: kur blejnë një shtëpi. Për këtë arsye, duhet të kesh një sërë aftësish,
që nga ato psikologjike, tek ato juridike dhe të shitjes gjithashtu, për ta përfunduar me sukses procesin e shitblerjes.
“Gjatë punës sonë të përditshme, ndeshemi me situata dhe problematika nga më të ndryshmet: me çaste nostalgjie për një shtëpi ku dikush ka kaluar gjithë jetën e tij apo me krijimin e një foleje të re për familjet e porsakrijuara.
Janë momente jetësore që e zbukurojnë punën tonë dhe na shtyjnë ta bëjmë atë me dëshirë”, thotë znj. Biçoku.
Sidoqoftë ajo vëren se konsumatori shqiptar ende e ka të vështirë shpenzimin e parave për shërbime të ndryshme, edhe duke e ditur që ato të lehtësojnë jetën. Por sot, pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë shumë kohë për të humbur në kërkim të shtëpisë së tyre, kështu që e ardhmja e këtij lloj shërbimi, nëse ai kryhet me korrektesë dhe profesionalizëm, është e sigurt.
Por sa e vështirë është të jesh një femër drejtuese?
Kjo është një pyetje që znj. Biçoku shpesh ia bën edhe vetes, në analiza të ndryshme retrospektive për sa i përket zgjedhjeve që ka bërë në jetë.
“Më ka qëlluar të mendoj që ndoshta do të kishte qenë më mirë të zgjidhja një rrugë më të lehtë, të kisha një punë të mirë, të merrja një rrogë në fund të muajit dhe të kthehesha në shtëpi në kohë të përshtatshme për t’u marrë me jetën time personale,
me plotësimin e dëshirave të mia apo të familjes sime. Por më pas mendoj që këtë rrugë e kam zgjedhur vetë dhe çdo ditë në mëngjes vij në punë me dëshirën për një ditë të re”, thotë ajo.
Sigurisht, vështirësitë janë të shumta. Të bësh biznes në Shqipëri është e vështirë, të bësh biznes duke qenë femër, veçse shton dozën e vështirësisë sepse, sipas saj, shoqëria shqiptare mbetet një shoqëri me bazë maskiliste.
“Diku kam lexuar: Është e vështirë të jesh grua: duhet të mendosh si burrë, të sillesh si zonjë, të dukesh femër dhe të punosh si kalë!!!
Mendoj se shpesh më është dashur të endem mes këtij dyzimi: aspekti femëror i çdonjërës prej nesh grave në biznes bie ndesh me nevojën për të zgjidhur situata, të cilat kërkojnë forcën e një burri.
Nëse një burrë ka vetëm një detyrë kryesore, për ne gratë, të gjitha detyrat: familja, fëmija, biznesi, të gjitha këto duke mos harruar feminilitetin, janë detyra kryesore dhe duhet të ndajmë kohën, mundësitë dhe dëshirat në mënyrë të barabartë për secilën prej tyre.
Mendoj se gratë kanë forca të pashtershme dhe energji të paimagjinueshme për t’i bërë ballë jetës në një mënyrë të tillë që burrat nuk e bëjnë dot. Aftësia për ta jetuar jetën në mënyrë të shumëfishtë,
duke mbuluar në të njëjtën kohë role të rëndësishëm në jetën e një njeriu, është ajo që na bën të pathyeshme!”, thotë znj. Biçoku.
Erjona Toni, administratore e “Paneli”
Puna, dashuria më e madhe
Erjona Toni është vetëm 26 vjeçe, por sot drejton një biznes të madh në vend, “Paneli”, i cili importon dhe tregton panele sandwich në Shqipëri e Kosovë.
Megjithëse dëshira e saj ishte të bëhej një inxhiniere ndërtimi, këmbëngulja e babait, i cili është gjithashtu ekonomist, e nxiti të ndiqte studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
“Me siguri nuk do të isha këtu, nëse im atë nuk do të më kishte nxitur të arsimohesha në Ekonomik. Dhe më duhet të them se jam më se e kënaqur nga puna dhe nga ajo që kam arritur”, thotë znj. Toni.
Karrierën në kompani e nisi si shefe e Financës, por falë aftësive të saj, ku pikasin fryma e bashkëpunimit me kolegët e partnerët, arriti të merrte administrimin e kompanisë.
“Për mua ka qenë një avantazh edhe mosha e re, që më nxit të jem gjithë kohën në kërkim të sfidave të reja, por edhe më e lirshme në komunikim”, thotë ajo.
Tregon se mjaft njerëz e shohin me skepticizëm, sa herë që ajo tregon moshën. Kur takon partnerë të ndryshëm të biznesit, vendas apo të huaj, detyrohet që shpesh të rrisë “artificialisht” moshën,
që të bëhet më e besueshme në sytë e tyre. Por znj. Toni ka vendosur t’i marrë me “sportivitet” këto “mentalitete të vjetra”, siç e quan ajo.
Për të, puna në një kompani biznesi në sektorin e tregtisë është një sfidë më vete dhe shumë e nxitëse. Edhe kur ishte në fakultet, asnjëherë nuk e shihte veten të ulur prapa një tavoline zyre në bankë apo në ndonjë tjetër institucion,
sepse këto lloj punësh janë monotone për “stilin e saj”.
“Kjo punë ka çdo ditë, diçka të re, një vendim të ri që duhet të ndërmarrësh dhe kjo është çka më tërheq”.
Por njëherësh me lëvizshmërinë dhe sportivitetin që të fal puna në një biznes të tillë, Erjona nuk shkëputet asnjëherë nga literatura apo ndjekja e lajmeve të ndryshme, që mund ta ndihmojnë në administrimin sa më efikas të “Paneli”-t.
“Gjithnjë rri në kontakt me ndryshime të legjislacionit, vendimet e qeverisë apo të tatimeve dhe doganave. Kjo më ndihmon që jo vetëm të jemi të rregullt ndaj detyrimeve me shtetin,
por edhe të shmangë ndëshkime të padrejta nga tatimet apo doganat”, thotë znj. Toni.
Një nga krenaritë e saj, është hyrja në tregun e Kosovës, një ide e iniciuar dhe e mbështetur tërësisht prej saj.
Me gjithë hezitimin e “pronarëve” të kompanisë, hyrja në tregun e Kosovës ndodhi dhe pikërisht në momentin kur u vendosën masat e reciprocitetit Serbi-Kosovë.
“Ishte lëvizja e duhur, sepse ritmet e rritjes atje janë tepër të kënaqshme dhe madje i kanë tejkaluar parashikimet.
Tani po planifikojmë që të fuqizohemi edhe më shumë aty dhe madje të hyjmë edhe në Maqedoni”.
Rruga ime në mikrofinancë
Zana Konini, drejtore ekzekutive ASCUNION
Karriera e saj profesionale është relativisht e gjatë në mikrofinancë. Dy tre lëvizje më parë shpjegohen me fatin apo natyrën e saj, por ndoshta dhe me të dyja bashkë.
Në ëndrrat e saj rinore, as i kishte shkuar në mend, që një ditë do të merrej me mikrofinancën, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se ky term në atë kohë nuk njihej në Shqipëri
(edhe në botë mikrofinanca është një industri relativisht e re). Megjithatë, i pëlqente puna me njerëzit e pedagogjia; profesioni që mori (fizika 5-vjeçare)
i dhuroi mjetet për të studiuar, analizuar mjedisin dhe për të reflektuar për gjetjen e zgjidhjeve racionale për problemet që evidenton, që janë parakushte për profesionin e mikrofinancës.
Rruga e saj në mikrofinancë përkon me fillimet e këtij sektori në Shqipëri. Viti 1992 kur u angazhua në këtë fushë, ishte i vështirë nga pikëpamja ekonomike, e punësimit dhe mentalitetit në zonën rurale.
Në atë kohë po hidheshin bazat e mikrofinancës dhe po krijoheshin profesionistët e parë të fushës, me mbështetjen e specialistëve të huaj. Kërkoheshin njerëz të angazhuar,
që së bashku me komunitetin të gjenin zgjidhje racionale dhe bashkëkohore për të mbështetur banorët e zonave rurale, që të futeshin në ekonominë e tregut.
Puna ishte e paguar relativisht mirë për kohën, por brenda saj ishin sakrificat, që lidheshin me shërbimet jashtë Tiranës në rrugët e shkatërruara, orët e vona, takimet me varfërinë e njerëzve të varfër në zonat rurale etj.
“Gjithsesi ishte një punë interesante, ku mund të jepje nga vetja, të ndikoje në vendimet dhe të ndjeje rezultatin. Ishte diçka që më përshtatej dhe pa mëdyshje i hyra kësaj rruge, që më duket më e bukur se çdo tjetër edhe sot”,thotë zonja Konini.
Është e qartë, që edhe bashkëshorti i ka qenë krah në çdo hap, sepse në atë kohë, dy fëmijët e tyre për moshën që kishin, natyrshëm e donin përkujdesjen prindërore.
Projekti i mikrofinancës ku u angazhua rezultoi i suksesshëm dhe njohu zhvillime të rëndësishme institucionale. Sot pas 20 vitesh, rreth 40 mijë familje fshatare janë organizuar në SHKK mbi bazën e besimit ndaj njëri-tjetrit dhe mbështetjes reciproke.
Unioni Shqiptar Kursim Kredi renditet ndër institucionet e suksesshme të mikrofinacës në botë, ka marrë disa çmime ndërkombëtare dhe gëzon besimin e institucioneve financiare. E pyetur për çelësin e suksesit të Unionit, thotë se, ai është një institucion i tipit kooperativë financiare dhe si i tillë, drejtimi është kolegjial. Çdo anëtar ka diçka për të thënë, shton ajo, pasi mbështetemi në parimin “një anëtar, një votë”. “Unë kam pasur fatin të drejtoj Bordin e Unionit SHKK që nga krijimi i tij në vitin 2002.
Gjatë këtyre viteve kemi arritje të dukshme. Gjithçka vërehet jo vetëm në shtrirjen e Unionit në 35% të fshatrave të Shqipërisë, por edhe në zhvillimet pozitive të anëtarësisë sonë” tregon znj.Konini.
Ajo mendon se çelësi i suksesit të Unionit, i cili ka kushtëzuar edhe suksesin e karrierës së saj, është funksionimi i sistemit kooperativ, që kushtëzon kombinimin eficient të rolit të individit me rolin e organeve të zgjedhura.
Për të pasur sukses në punë nuk duhet të mungojë pasioni. Sipas saj, “pasioni për profesionin që zotëron, mendoj se zë një vend të rëndësishëm te çdo individ që synon të bëjë karrierë.
Por, duke analizuar punën time të këtyre viteve, mendoj se një grua nuk mund ta ketë karrierën qëllim në vetvete. Është puna, përkushtimi dhe serioziteti i angazhimit, që të sjell dhe sukses.
Për më tepër, mund të them se kam punuar shumë, kam sakrifikuar dhe besuar në atë që bëj, ndaj dhe natyrshëm kam marrë rezultate”.
Në punën e saj, sfida më e madhe ka qenë përmbushja e misionit për të ofruar shërbime financiare banorëve të zonave rurale, të cilët praktikisht nuk kishin asnjë akses në shërbime financiare, për arsye të njohura dhe analizuara shpeshherë.
Një sfidë tashmë e realizuar me sukses dhe kurorëzuar institucionalisht në formën e Unionit SHKK. Ambiciet janë që një ditë e gjithë zona rurale të jetë përfshirë në Union.
Për gratë që duan të bëjnë karrierë do të këshillonte punë dhe përkushtim, të shoqëruara me studimin, analizat dhe refleksionet e vazhdueshme. Sigurisht edhe vendosmëri për të ecur përpara, pa u thyer nga vështirësitë, ndonjëherë edhe padrejtësitë, gjithashtu.
Biznesi, “fëmija” i fundit që po kërkoj të rris
Hasnie Kasneci, administratore e qendrës tregtare “Coin”
Për administratoren e qendrës tregtare “Coin”, gratë në drejtim në tregun shqiptar nuk shihen më me skepticizëm, pasi me bizneset e tyre kanë treguar se janë konkurrente,
denjësisht, si brenda edhe jashtë vendit. Sfida e një gruaje ambicioze do të ishte qenia e saj nënë e re, që do ta detyronte të ndante fortësisht angazhimet mes punës e familjes (fëmijët).
Për zonjën Kasneci, “fëmija i vogël”, të cilit i është përkushtuar prej më shumë se dy vitesh është biznesi, pasi në të vërtetë, fëmijët e saj janë rritur e për më tepër i janë bërë krah në administrimin e biznesit.
Me një formim universitar në gjuhën frënge, ajo është angazhuar më parë në mësimdhënie njëherësh me angazhimet në shoqërinë civile.
Dhjetë vjet përvojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar zonjën Kasneci për të parë me një sy më realist tregun shqiptar.
Përvojat e mëparshme dhe koha në dispozicion do ta ndihmonin të angazhohej plotësisht për administrimin e kësaj qendre tregtare, duke kontribuar në të njëjtën kohë me të gjitha aftësitë që mund të ketë një grua ambicioze.
“Kjo lloj pune kërkon të kesh aftësi të mira menaxheriale e komunikatave, si me partnerët, kontraktorët e klientët, por kërkon të kemi aftësi përshtatëse me kërkesat dhe orientimet bashkëkohore”,
thotë znj. Kasneci. Një punë e lodhshme, që rezulton e këndshme në fund të ditës, pasi variacionet e administrimit të këtij biznesi janë më të mëdha krahasuar me shumë biznese të tjera shërbimesh.
Për të furnizuar “departament-store”, që ka krijuar tashmë formatin dhe klientelën e saj, në çdo sezon ndiqen “show room”-et e kryeqyteteve europiane të modës.
“Aty bëjmë përzgjedhjen e koleksioneve të ndryshme, duke arritur të përshtatim një ofertë të pranueshme për tregun shqiptar të veshjeve”, tregon administratorja e “Coin”.
Përkushtimi i ndërthurur me një formim e përvojë të mirë është një bazë e shëndoshë për një menaxhim efektiv, por gratë duket se kanë avantazhe në drejtim.
Për zonjën Kasneci, gratë kanë aftësi të negociojnë, të delegojnë e të bëjnë shumë gjëra njëherësh.