Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar vizitën në terren për procedurën konkurruese të dhënies me koncesion/PPP të aeroportit të Kukësit.
Në njoftimin e plotë të ministrisë thuhet:
Bazuar në pikën 1.4. të seksionit “Udhëzime për Ofertuesit” të Dokumentave të Procedurës Konkuruese (DPK) për dhënien me Koncesion/PPP “Për aeroportin e Kukësit” është parashikuar, një Site Visit (vizita në terren) e cila do të zhvillohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim informimin e ofertuesve mbi disa detaje konkrete të projekt-idesë, objekt i procedurës konkurruese në fjalë.
MIE, informon ofertuesit e interesuar që nisja për në terren do të bëhet nga MIE (godina qendrore me adresë Rr. Abdi Toptani, nr. 1) në datën 9.11.2018, ora 7:00 (a.m).
Nga ora 7:00-7:30 do të bëhet regjistrimi i pjesëmarrësve dhe në 7.30 nisja për në terren tek Aeroporti i Kukësit.
Në përfundim të vizitës, pjesëmarrësit do të pajisen me një dokument pjesëmarrjeje, i detyrueshëm për t’u paraqitur në ofertë.
Në korrik të këtij viti Këshilli i Ministrave vendosi të shpërblejë kompanitë Kastrati sh.a dhe T.M.D Systems LTD për ofertën e tyre të pakërkuar lidhur me koncesionin e Aeroportit të Kukësit. Në vendimin është përcaktuar një bonus me 8 për qind të pikëve për kompanitë.
Ne mes të tetorit qeveria hapi ndërkohë garën për vënien në operim dhe menaxhimin me 35 vjet të aeroportit të Kukësit. Afati për depozitimin e ofertave është i vlefshëm deri në datën 10 Dhjetor. Kompanitë duhet që të bëjnë vetë investimin për vënien në punë të aeroportit, i cili u ndërtua në vitin 2002, por prej shumë vitesh ka mbetur i papërdorur.
Aeroporti pritet të shërbejë si low cost. Kryeministri Rama ka pohuar dje se ai do të ketë një lëvizje mesatare prej 300 000 udhëtarësh në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.