Modeli skandinav i zhvillimit

27/03/2012 16:00 0 komente

Si mund të përfitojë Shqipëria nga ky model qeverisjejeGjatë një bisede me një ekspert norvegjez të politikave e modeleve të zhvillimit për vendet që sapo janë futur apo aderojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe politikat e reformat kryesore që ato duhet të ndërmarrin për të siguruar një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm, ai e përmblodhi pak a shumë kështu çelësin e suksesit të vendit të tij, por dhe të modelit skandinav në përgjithësi: “..para 15 vjetësh ne ishim në një situatë të vështirë ekonomike që shoqërohej dhe nga një sistem publik i sklerotizuar. Sot, Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Finlanda janë në krye të vendeve më të mira për të jetuar duke pasur dhe një situatë ekonomike të përkryer. Bashkimi i rezultateve ekonomike dhe shkallës së rezistencës ndaj globalizimit me një nivel të lartë të politikave e mbrojtjes sociale ja kjo është formula jonë magjike”. Natyrisht që për shumë arsye historike, gjeografike, sociale e politike ne nuk mund ta imitojmë apo kopjojmë këtë model, por megjithatë, duke pasur parasysh se edhe për shumë vende të tjera europiane, “modeli skandinav” po kërkohet që të njihet më mirë e të bëhet pikë referimi, nuk do të ishte pa interes për ta njohur dhe kuptuar dhe ndoshta për të përfituar prej tij. Aq më tepër që shumë nga pikëpyetjet, debatet, aspiratat apo reformat tona drejt një zhvillimi ekonomik e social të qëndrueshëm përputhen, të paktën me filozofinë e këtij modeli.Deri para një shekulli, Norvegjia e populluar kryesisht nga popullsi fermere jetonte me ritmin e sezoneve klimaterike në fjordet e saj pothuajse të ngrira….e kush mund ta mendonte që ky vend i akujve, fjordeve dhe kishave luteriane do të bëhej një ditë një nga vendet më moderne të Botës? Kujtesa historike e viteve 70-të të shekullit të kaluar dëshmon për një Suedi e Danimarkë të parealizuara nga grevat dhe një aparat publik të konsideruar si i “sklerotizuar”. Apo akoma më shumë, Finlanda, që në vitet 90-të kalonte një nga krizat ekonomike më të rënda, që ka njohur ndonjëherë ndonjë vend i Europës. ….ndërkohë që sot këto vende janë klasifikuar nga Forumi Ekonomik Botëror i Davos-it si vende me ekonominë më konkurruese në Botë. Sot janë me dhjetra delegacionet në nivel politik e ekspertësh që përshkojnë Balltikun për të admiruar dhe kuptuar suksesin spektakolar, dhe të gjithë kanë vetëm një frazë në gojë: frymëzimin nga “modeli skandinav” dhe përfitimin maksimal prej tij. Po ku konsiston ai më konkretisht?Vullnet i përbashkët për reforma intensivePika e përbashkët e këtyre vendeve nuk janë vetëm specifikat klimatike e gjeografike, alkoolet e forta, pasioni për biçikletën apo skitë etj., por në radhë të parë e mbi të gjitha: “shteti super funksional”, “konsensusi i fortë social”, “sindikata të fuqishme e të përgjegjshme për rolin e tyre”, “vlerat qytetare të çdo individi” etj. Sipas një studimi të institutit francez Globeco, “Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka janë në krye të listës së vendeve më të sigurta, më të formuara e informuara, më pak të korruptuara, më të barabarta dhe më të këndshme për të jetuar”. Situata e tyre ekonomike është e përkryer. Ndërkohë që Greqia ndëshkohet nga BE për deficitin e madh në llogaritë e saj publike, ndërkohë që Italia, Gjermania e Franca përpiqen vazhdimisht që të respektojnë kriteret e Maastricht-it në financat dhe buxhetet e tyre, kuarteti skandinav afishon vazhdimisht suficit në buxhetet publike, një përqindje papunësie nën mesataren europiane dhe një përqindje rritjeje ekonomike më të lartë se ajo e vendeve të tjera të OECD-së.Entuziazmi i frymës dhe politikave ekonomike me frymëzim liberal të pasluftës së II-të botërore bëri që, për më shumë se 40 vjet, vendet skandinave ta kërkonin suksesin dhe progresin vetëm në këtë këndvështrim, por kriza e dhunshme ekonomike e sociale e fillimit të viteve 90-të, e shoqëruar me parregullsi të forta financiare e dobësi të sistemit bankar, rënie drastike të ritmeve të rritjes ekonomike, papunësi të katërfishuar, falimentime në masë të ndërmarrjeve e firmave etj., i bëri ato që ta kërkonin suksesin në një drejtim tjetër: të efikasitetit publik. Ato duhej të zgjidhnin ndërmjet një shteti liberal e eficient dhe një shteti që kishte parësor kujdesin social. Por, sipas J.Palme, drejtor i Institutit të studimeve perspektive të Stokolmit, “…zgjedhja jonë nuk duhej të prekte aspak modelin social tradicional…prandaj qëllimi i reformave pati vetëm një kuptim: të shpëtohej ajo që ishte thelbësore për shoqëritë tona”. Kjo është ajo që tashmë quhet pragmatizmi skandinav. Shumë ekspertë e lidhin këtë me trashëgiminë e tyre luteriane, të tjerë me traditat vikinge apo “shqisën e tyre të veçante” për tu përshtatur e mbijetuar në kushtet e vështira të veriut të largët…. Por megjithatë, të gjithë konvergojnë në një pikë : përballë sfidave, këto shtete e shoqëri manifestojnë një vullnet të përbashkët për të ecur përpara e për të vepruar intensivisht…dhe mbi të gjitha kanë besim të plotë tek ajo që të gjithë bëjnë, pamvarësisht ngjyrës politike apo kategorisë sociale.Lehtësimi i aparatit publikEtapa e parë e veprimit të tyre : lehtësimi i makinës publike. Që në fund të viteve 80-të, qeveritë social-demokrate skandinave filluan zvogëlimin gradual të efektivave të administratës publike e gjithë institucioneve të tjera shtetërore, duke arritur që brenda 10 viteve ta zvogëlojnë me 45% atë. Por kjo nuk ishte gjithçka. Megjithëse me një kulturë tradicionale të një shteti të centralizuar, të katër vendet përparuan shumë shpejt drejt decentralizimit duke i besuar rajoneve e komuniteteve lokale pothuajse të gjitha shpenzimet për shëndetësinë, arsimin, kulturën dhe sigurinë, por njëkohësisht dhe duke i lënë kompetenca për të mbledhur një pjesë të madhe të taksave, përfshirë këtu edhe tatimin mbi të ardhurat e të gjitha llojeve. Kjo u shoqërua dhe me një ndarje më cilësore të punës në sferën e gjithë spektrit qeverisës: shtetet skandinave vendosën të përqendroheshin vetëm në thelbin e misionit të tyre. Për pasojë, e gjithë pjesa e cilësuar si “operacionale” kontabiliteti publik, administrimi i personelit, strukturat ekonomike mbështetëse etj., iu besuan strukturave të posaçme. Kjo shënoi dhe lindjen e agjencive private të specializuara, por që kontraktoheshin për të luajtur rolin e organizmave publike në shërbim të mirëfunksionimit të të gjithë shoqërisë. Aktualisht, këto agjenci kanë të punësuar masën kryesore të efektivave publike. Por ajo që është më e rëndësishme është “fleksibiliteti dhe niveli shumë i lartë i përshtatshmërisë së tyre”: kontrata të përkohshme, shpërblime të të gjitha llojeve në varësi të rezultateve, sistem pagash krejtësisht invidual në varësi të cilësive dhe kontributit të secilit, vlerësime të përhershme dhe të rrepta të rezultateve të punës etj., pra të punësuarit e tyre janë në shërbim të shtetit e shoqërisë, duke qenë njëkohësisht të vlerësuar e paguar si në sistemin privat.Edhe funksionarët publikë, duke filluar nga fundi i viteve 80-të, u detyruan të përshtateshin me rregullat e sektorit privat: paga sipas meritave individuale, intervista të vazhdueshme vlerësuese, kualifikim i vazhdueshëm i detyrueshëm, kontrata të përkohshme të rinovueshme në funksion të rezultateve etj. Gjatë 15 viteve të fundit, i gjithë sistemi i funksionit publik skandinav i cilësuar jo pak herë si nga më të “sklerotizuarit” e Botës, u rindërtua dhe ristrukturua sipas modelit privat të funksionimit. Në çdo hallkë të administratës, prioriteti absolut i jepet “klientit”, të gjithë informacionet e nevojshme janë disponibël në internet, sistemi i komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe administratës është i përkryer. Cilësia e shërbimeve publike nga administrata i nënshtrohet një vlerësimi të gjerë e të hapur të përvitshëm dhe çdo devijim apo shkelje e parimit të cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimeve sanksionohet menjëherë. Funksionimi cilësor i shtetitPor ky ishte vetëm fillimi i reformave. Të pakënaqur plotësisht me nivelin e fleksibilitetit dhe eficiencës së shtetit, deputetët dhe politikanët skandinavë, filluan të “godasin” të gjitha praktikat e standardet e vjetra të trashëguara apo ato negative të reja. Mbas zvogëlimit të efektivave publike filloi “pastrimi” cilësor i metodave bazë të funksionimit të shtetit, ekonomisë, financave, shërbimeve të ndryshme për qytetarët etj. Dhe për këtë ata nuk pritën rekomandimet e Bashkimit Europian: në këto vende, instrumentet e funksionimit transparent e të drejtë të tregjeve publike u vendosën që në fillim të viteve 90-të. Shembulli i shoqërive të mëdha të telekomunikacionit, Nokia në Finlandë dhe Ericsson në Suedi flet vetë: transparenca dhe demonopolizimi i tregut i shërbeu në radhë të parë konsumatorëve. I njëjti konstatim dhe për shërbimet postare që tashmë janë pothuajse krejtësisht të privatizuara e administrohen nga firma prestigjioze private. Në Suedi, p.sh., çdo lloj dërgese postare lëvrohet brenda 24 orëve dhe postat janë të hapura gjatë 7-të ditëve të javës. Ndërsa përsa i përket sektorit të transportit, është privilegjuar formula e privatizimit pjesor të tij, ose për të qenë më të saktë, kombinimi i administrimit të rrjetit hekurudhor, rrugor apo detar, ndërmjet shtetit dhe privatëve. Kjo bën që aktualisht, stacionet e ndryshme të trenave, metrove, autobuzëve etj., të administrohen në nivel shumë të lartë nga firmat private, ndërkohë që investimet kapitale dhe politikën e funksionimit të tyre e ka në dorë shteti. Po në këtë kuptim vlerësohen dhe reformat e ndarjes territoriale dhe administrimit të territorit. Motivet politike apo historike nuk luajnë asnjë rol për klasën politike skandinave kur është fjala për përmirësimin apo ristrukturimin e ndarjes territoriale e administrimin e decentralizuar të vendeve të tyre.Reformat socialeDhe së fundi, por gjithsesi më kryesoret, mbeten reformat në politikat sociale. Në Finlandë, Danimarkë dhe Suedi, reformat e pensioneve u bënë prioritete kombëtare në mes të viteve 90-të. Megjithë nuancat e zgjedhjeve nga çdo vend i veçantë, thelbi i tyre gjeti një konsensus të përgjithshëm: privatizimi pjesor i sistemit të pensioneve dhe tashmë një pjese e kuotave të pensioneve investohet në tregjet financiare e bursa të ndryshme. Në të njëjtën kohë, edhe shpenzimet për shërbimet shëndetësore diversifikohen. Qeveritarët e politikanët skandinavë, të ndërgjegjshëm se po preknin shtyllën kurrizore të të famshmit model të tyre social e pranuan sfidën: pacientët duhet të paguanin nga xhepi i tyre një pjesë të faturave farmaceutike, spitalore apo mjekësore në përgjithësi, në qoftë se donin shërbime të shpejta e cilësore. Dhe këtë ata ia paguajnë në formë takse suplementare përsëri shtetit….Edhe kjo mënyrë sjelljeje bën pjesë në cilësitë dhe konceptet e nordikëve, të cilët “janë gati për çdo sakrificë për të realizuar një reformë që gjykojnë si të domosdoshme”. Skandinavët janë ndoshta të vetmit popuj në Botë që janë gati vullnetarisht të rrisin taksat dhe tatimet në favor të shtetit kur janë të bindur se ai di ti përdori efektivisht ato në shërbim të tyre. Asnjë Parti politike në vendet skandinave nuk do të guxonte të aventuronte duke futur në programin e saj objektivin e uljes së taksave pa garantuar maksimalisht që asnjë nga shërbimet shtetërore sociale nuk do prekej, përkundrazi, ka më shumë shanse ajo parti apo forcë politike që kërkon taksa me të larta duke garantuar më shumë shërbime sociale për qytetarët!Por dhe ky sistem i mrekullueshëm i “liberalizmit social-demokrat” ka efektet e tij sekondare të lidhura me fragmentarizimin e tregut, kompleksitetin e aktorëve që veprojnë, delegimin maksimal të shumë pushteteve e kopetencave etj., por sipas Joakim Palme : forca e modelit skandinav qëndron në mjeshtërinë e evolucionit të përhershëm dhe përshtatjeve të vazhdueshme të tij, në forcën dhe energjinë që krijon konsensusi social e politik për realizimin e reformave. Në një shekull që ka njohur rritje ekonomike e kriza të vazhdueshme, vendet skandinave kanë arritur të dëshmojnë qëndrueshmërinë e tyre. Dhe akoma më shumë, ato janë të vetmet që kanë kombinuar më së miri konkurrueshmërinë ekonomike dhe politikat e mbrojtjes sociale.A mund të eksportohet apo të kopjohet modeli i tyre?Faktet tregojnë se shumë vende europiane dhe jo vetëm të tilla, po i shtojnë vizitat në vendet skandinave, dikush për të përfituar nga sistemi i tyre elektronik i qeverisjes dhe administrimit, një tjetër për të kuptuar sistemin e trajtimit të të papunëve, dikush për të njohur politikat e mbështetjes së biznesit të vogël e të mesem… etj. Ndoshta dhe Shqipëria, në këtë moment të rëndësishëm reformash mund të kishte interes ta njihte më nga afër këtë model dhe të përfitonte, qoftë dhe minimalisht nga disa elemente të tij.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.