Debuton në SHBA, lidhja super e shpejtë
Motorola prezantoi në Çikago modelin e ri, Moto Z3, smartphone i parë në botë që suporton 5G. Në të gjejmë procesorin Snapdragon 835, 4 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme
Nga selia e saj në Çikago, Motorola prezantoi Moto Z3, smartphone me karakteristika (thuajse) top në gamën e smartphone-ve, i cili suporton lidhjen 5G (falë Moto Mods që kompania amerikane e ka realizuar në bashkëpunim me Verizon).
Smartphone është frymëzuar nga modelet që kanë dalë në muajt e fundit, korniza të holla në të gjitha anët dhe mungesa e notch në pjesën e sipërme.
Trupi i telefonit është super rezistent dhe është realizuar me alumin të përforcuar seria 6000, që e mbron atë nga goditjet dhe rëniet. Sa u përket karakteristikave, nuk janë më të mirat që gjenden te modelet “top” të gamës në treg: procesor Snapdragon 835, i cili ka dalë vitin e kaluar (sot gjejmë modele me procesor Snapdragon 845). Por pika e fortë e Moto Z3 është suporti i rrjetit 5G, që vitet e ardhshme do të jetë i pranishëm në gjithë qytetet kryesore të botës.
Karakteristikat e Moto Z3
Siç e thamë, Moto Z3 ka procesor Snapdragon 835, 4 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme, e cila mund të zgjerohet deri në 256 GB me një microSD. Ekrani është Super AMOLED, 6,01 inç, me rezolucion FULLHD+ dhe raport 18:9. Në pjesën e pasme gjejmë dy fotokamera, të dyja 12 megapiksel. Koha e ekspozimit të fotokamerës kryesore është 2.0, ndërsa fotokamera e dytë shkrep foto monokromatike. Fotokamera në pjesën e përparme është 8 megapiksel, me kohë ekspozimi f/2.0. Bateria është 3000 mAh me rikarikim të shpejtë TurboPower. Moto Z3 është rezistent ndaj goditjeve dhe rënieve falë trupit të celularit në alumin, seria 6000.
Lidhja 5G
Karakteristika më interesante e smartphone është suporti me lidhje 5G. Për të lundruar në 5G është e nevojshme të përdorni Moto Mods, aksesorët që i shtohen pjesës së pasme të smartphone-ve Motorola që i japin veçori shtesë. Moto Mods në fjalë është realizuar nga Motorola në bashkëpunim me Verizon (operator telefonik në SHBA) i cili ka një modem Snapdragon X50 në përputhje me rrjetet 5G (si dhe një bateri 2000 mAh për të ushqyer modemin).
Çmimi dhe data e daljes në treg të Moto Z3
Smartphone do të dalë në treg më 16 gusht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë klientët e Verizon me çmim 480 dollarë. Motorola nuk ka dhënë informacione se kur do të mbërrijë ky model në tregun europian, por me siguri do të duhet të presim edhe disa muaj.