Trajtimi si ndërmarrje të thjeshta shërbimesh publike është kërcënimi më i madh afatgjatë që po u kanoset firmave të mëdha të teknologjisë.
Tre e katërta e amerikanëve pranojnë se kalojnë një kohë të gjatë duke lundruar në internet, duke dërguar email-e apo thjesht duke kontrolluar llogaritë e ndryshme të rrjeteve sociale, shkruan The Economist. Kjo nuk është lidhja e vetme midis teknologjisë dhe hidraulikës. Industria e ujit dhe kanalizimit ofron shembuj shumë të mirë për sa i përket rregullimit të firmave “platformë” të Sillicon Valley, si Alphabet, Amazon dhe Facebook. Implikimet janë të tmerrshme për kompanitë, prandaj çdo manjat në fushën e teknologjisë, që mund të jetë duke lexuar këtë artikull, bën mirë të ulet përpara. Në Amerikë dhe në Europë po lind konsensusi që firmat e mëdha të teknologjisë duhet të zbuten. Dominimi që ato kanë në shërbime si ai i kërkimeve dhe mediat sociale, u jep atyre një forcë dhe ndikim të madh ekonomik dhe politik. Vlera totale prej 3 trilionë e pesë kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë (Apple dhe Microsoft janë dy të tjerat) është një tregues i besimit që investitorët kanë, duke i konsideruar ato si më të fuqishmet në histori, në të njëjtat nivele me kompaninë East India dhe Standard Oil. Disa mund të kërkojnë që këto kompani të prishen, por kjo mund t’i bëjë shërbimet e tyre më pak të dobishme (imagjinoni të keni dhjetë llogari të mediave sociale) dhe efektet e rrjetit mund të nënkuptojnë që një prej tyre, gjithsesi, do të dominojë përsëri tregun. Të tjerë duan që firmat e teknologjisë të licencojnë patentat e tyre, në të njëjtën mënyrë siç iu kërkua të vepronte edhe AT&T në vitin 1956. Kjo mund të çojë në krijimin e startup-eve të së nesërmes, por kjo nuk do të ndalë aspak që firmat të shfrytëzojnë monopolet e sotme. Një alternativë është rregullimi i këtyre kompanive si shërbime publike, monopole me aksione të larta të tregut që ofrojnë një shërbim thelbësor, tek i cili për konsumatorët do të ishte me kosto të lartë të kalonin. Këtu vlen për t’u marrë në konsideratë industria e ujit, veçanërisht koncepti i një baze të rregulluar të aseteve. Ajo u shfaq fillimisht gjatë viteve 1990 kur Britania ishte duke privatizuar firmat e saj të ujit, në bazë të rregulloreve të huazuara amerikane. Ky është një detaj për të cilin shumë pak janë në dijeni. Por nga përdorimi i strukturës së Bazës së Aseteve Rregullatore, përdorimi i së cilave tani është i zakonshëm në Europë dhe Amerikën Latine, është bërë i mundur rregullimi i të paktën 400 miliardë dollarë asete nga fusha e energjisë, fluturimeve, ujit dhe telekomunikacioneve. Ideja është që përfitimet e monopolit nuk duhet të tejkalojnë nivelin që do të lejonte një treg konkurrues. Kjo do të thotë vlerësimin e kostos për një hyrje imagjinare të replikimit të aktiveve të kompanisë aktuale (kjo është BAR) dhe llogaritjen e fitimeve që firma e re do të bënte, nëse kthimet e saj do të përputheshin me koston e kapitalit. Të ardhurat e monopolit aktual nuk duhet ta tejkalojnë këtë shumë. Masat mbrojtëse janë vendosur për të siguruar përdorimin e shërbimeve në mënyrë efikase dhe duke mbajtur kostot e ulëta. Rregullatorët e rishikojnë këtë strukturë një herë në disa vjet.
Por pyetja që lind në këtë moment është se si mund të funksionojë një rregullore e tillë e shërbimeve për firmat e Silicon Valley? Le të marrim si shembull Facebook-un. 1.3 miliardë përdoruesit e tij nuk paguajnë asgjë, por i japin atij të dhënat e tyre dhe kontrollin mbi reklamat që shohin. Facebook-u pastaj i shet reklamuesit akses ndaj përdoruesve të tij, duke gjeneruar rreth 27 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar. Imagjinoni sikur shërbimi të ishte “i ndarë”, duke u dhënë përdoruesve kontrollin. Të gjithë do të zotëronin të dhënat e tyre dhe do të mund të zgjidhin nëse do t’i shisnin ato apo jo tek reklamuesit. Ata gjithashtu do të duhet t’i paguajnë Facebook-ut një tarifë për të kompensuar koston që ai ka në krijimin dhe operimin në këtë rrjet. Pyetja më e rëndësishme që lind këtu është se sa përfitime do të meritonin firma të tilla si Facebook-u apo disa firma të tjera, nëse do të trajtoheshin si ndërmarrje. Dhe kësaj pyetje është e mundur që t’i jepet edhe një përgjigje e përafërt. Supozoni një kosto të kapitalit prej 12%, një shifër të lartë për të pasqyruar rrezikun e mundshëm në modelet e firmave të teknologjisë. Vlerësimi i Bazës së Aseteve të tyre është edhe më i vështirë. Ata kanë disa pasuri fizike të tilla si qendrat e të dhënave, por ndryshe nga ndërmarrjet e shërbimeve publike, burimet kryesore të tyre nuk janë shtylla, tubacione, etj., por softuerë dhe ide që ata ose i krijojnë ose i përvetësojnë, duke ua blerë rivalëve. Vetëm disa prej këtyre pasurive të paluajtshme shfaqen në bilancet e tyre, ndërsa shumat e mëdha të shpenzuara për kërkim dhe zhvillim nuk shfaqen. Por ju mund të rikonfiguroni bilancet e tyre sikur të gjitha shpenzimet në të kaluarën për kërkim dhe zhvillim të ishin njohur si një asset me një kohëzgjatje 20-vjeçare. Alphabet dhe Facebook do të kishin një Bazë të Aseteve Rregullatore të kombinuar prej 160 miliardë dollarësh. Nëse kthimet e tyre do të kufizoheshin me 12%, fitimet operative do të binin me 65% dhe 81% respektivisht. Nëse shërbimet e tyre do të ishin të pandara, përdoruesit do të përfitonin. Duke iu referuar shifrave të 2016-s, përdoruesi mesatar i Facebook do t’i paguante firmës 15 dollarë në vit për kthimin e saj në Bazën e Aseteve Rregullatore por, nga ana tjetër, ata do të fusnin në xhepin e tyre 23 dollarë nga shitja e të dhënave të tyre tek reklamuesit dhe gjithashtu të drejtën për t’u reklamuar. Një përdorues i Google do t’i paguante këtij të fundit 37 dollarë në vit, por do të mblidhte 45 dollarë nga reklamuesit. Këto janë vlera shumë të vogla, por përdoruesit më të pasur me të dhëna të vlefshme mund t’i rrisin ato edhe në vlera më të larta.
Standardet
Rregullimi i teknologjisë si ajo e ujit p.sh., do të shkaktonte një protestë në mesin e investitorëve dhe në Silicon Valley. Investimi thelbësor do të vazhdonte të ndodhte, një kthim i garantuar prej 12% është gjithsesi një shpërblim i bukur. Firmat do të mund të investonin në teknologji të reja që do të mbeteshin jashtë shërbimeve të rregulluara. Do të ishte e mundur të përcaktohej se cilat asete do të vendoseshin jashtë vendit dhe do të përjashtoheshin nga Baza e Aseteve Rregullatore, ose të arrijnë nënshkrimin e marrëveshjeve me rregullatorët e huaj. Megjithatë, kjo qasje do të kishte mangësi sepse teknologjia lëviz me shpejtësinë e dritës në krahasim me shërbimet konvencionale. Vetëm pesë vjet më parë, investitorët ishin të shqetësuar sepse Facebook-ut do t’i duhej që të përballej me ndryshimin për t’u zhvendosur si aplikacion në telefonat celularë, gjë për të cilën rregullatorët do të vepronin jo me shumë shkathtësi, sepse nuk janë të aftë të përballojnë ndryshime kaq të shpejta. Dhe një metodologji mbi Bazën e Aseteve Rregulluese nuk do ta zgjidhte çështjen aq shumë të debatuar në lidhje me përgjegjshmërinë e platformave të teknologjisë mbi ato që duhet të publikojnë. Përpos problemeve të tilla, liderët më të mëdhenj të teknologjisë duhet ta shohin trajtimin si ndërmarrje të thjeshta shërbimesh publike, si kërcënimin më të madh afatgjatë që po u kanoset. Në këtë drejtim, ata kanë dy mundësi për t’u mbrojtur. Së pari, ata mund të paketojnë shërbimet e tyre aq fort sa që të jetë e pamundur për të huajt që të izolojnë produktet që janë monopole dhe të përpunojnë fitimet dhe asetet e tyre. Amazon është lider në këtë drejtim. Është e paqartë se sa ajo ka investuar në tregtinë online (ku është dominuese), videot ose në fushën e industrisë ushqimore (ku ajo është në fazat e saj fillestare). Mbrojtja e dytë është që të lobojë për Uashingtonin. Mësimi i nxjerrë nga oligopolistët veteranë të Amerikës, kompani ajrore, telekomunikacioni dhe kompani të kujdesit shëndetësor, është se ju mund të manipuloni dhe të qëndroni gjithmonë pranë sistemit rregullator për të siguruar fitime të larta. Për firmat e teknologjisë, bllokimi financiar dhe kronizmi janë mënyrat më efektive për të siguruar që fitimet e tyre monopole të mos pakësohen.
Schumpeter* është një koncept i përdorur në ekonomi që nga vitet 1950 dhe që lehtësisht identifikohet me ekonomistin austro-amerikan Joseph Schumpeter, i cili e ka huazuar atë pjesërisht nga puna e Karl Marksit dhe e bëri të famshme si një teori të inovacionit ekonomik dhe të ciklit të biznesit. Sipas Schumpeter “shkatërrimi krijues” përshkruan procesin e ndryshimeve industriale që vazhdimisht e revolucionarizojnë strukturën ekonomike nga brenda, duke shkatërruar vazhdimisht një të vjetër dhe duke krijuar një të re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ato artikuj qe i perktheni pa a shume fjale per fjale, beni mir te postoni dhe nje link per tek origjinali.
Kini pak respekt per autoret e artikullit. Aq me tepur qe ju si Monitor jeni gjithmone preh e vjedhjeve nga portalet e tjera.
burimi eshte i shenuar
Me vjen keq por burimi nuk esht i shenuar askund.