Guvernatori i ri nuk vjen nga rradhët e Këshillit Mbikëqyrës por do të jetë një emër jopolitik dhe teknicien. Ka qenë kjo përgjigja e Presidentit Nishani në intervistën e mbremshme për A1 lidhur me emrin e Guvernatorit të ri. Presidenti thotë se nuk ishte në garë me kryeministrin për Guvernatorin por ka kërkuar ndihmë nëpërmjet aplikimeve pas një situate të papritur ku BSH mbeti pa Guvernator.
Sipas z.Nishani për postin e Guvernatorit ka pasur 42 aplikime por një pjesë e vogël e tyre plotësonte kriteret ligjore për Guvernator të Bankës. Presidenti është i bindur se duhet një emër apolitik dhe konsensual. “Procesi duhet të konvenojë në një emërim konsensual. Besoj te ajo çfarë është deklaruar nga shumica qeverisëse. Në këtë proces do të ftoj kreun e Parlamentit Kryeministrin dhe kreun e Opozitës”, u shpreh Nishani.
Duke njoftuar se së shpejti do të diskutojë listën e shkurtuar të kandidatëve me kreun e kuvendit dhe kryeministrin, Presidenti u shpreh se kandidatët nuk do jenë me background politikë. Lidhur me shtetësinë shqiptare të Guvernatorit presidenti sqaroi se “nuk është te formaliteti, e kam te përgjegjshmëria. Përmes një akti të vendosjes së një të huaj në krye të institucioni kryesor monetar në Shqipëri. Do demoralizonim shqiptarët”.
Presidenti e ka përjashtuar mundësinë që ndonjë nga antarët ekzistues të këshillit të jetë Guvernatori i ardhshëm. “Kam preferuar të dalë përtej anëtarëve aktual të Këshillit Mbikëqyrës. Guvernatori në detyrë një personalitet me shumë eksperiencë. Besoj se marrja përsipër e drejtimit nga një person me një dinamizëm të ri do i bënte më mirë edhe besueshmërisë”, konkludoi Presidenti për çështjen e Guvernatorit..
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.