Kalimi i rrugës nga Miloti në Morinë së shpejti do të bëhet me pagesë.
Qeveria, në mbledhjen e fundit, ka miratuar në parim, të amendamentit nr.1 të marrëveshjes financiare të shërbimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), për zbatimin dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në autostradën Milot – Morinë.
Për këtë projekt kishte kohë që po punohej, por bërja funksionale e tij ishte shtyrë disa herë.
Sipas projektit, segmenti rrugor Milot-Rrëshen-Kalimash-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, do të mirëmbahet nga sektori privat.
Ky projekt asistohet nga IFC-ja (Korporata Financiare Ndërkombëtare) e cila është në rolin e këshilltares ligjore të Ministrisë së Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit. Ende nuk dihet me saktësi, por mendohet se tarifa e qarkullimit për automjetet e vogla do të jetë në kufirin e 5 eurove, ndërsa për ato me tonazh më të madh në rreth 10 euro. Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve do të duhen të paktën gjashtë muaj kohë që kjo tarifë të vendoset që nga koha kur do të shpallet kompania fituese e koncesionit të mirëmbajtjes. Kjo kohë është e mjaftueshme për të realizuar të gjitha detajet teknike, por edhe vendosjen e kabinave të posaçme për mbledhjen e të ardhurave. Segmenti Milot-Morinë ka një distancë prej 114 kilometrash dhe që nga ndërtimi, ai ka filluar të vuajë dëmtime të njëpasnjëshme, që kanë ardhur edhe si pasojë e terrenit të fortë malor që përshkon.
Ekspertët llogarisin se vetëm për mirëmbajtjen e tunelit që është ndër më të gjatët në Ballkan, nevojiten rreth 2 milionë euro në muaj.
Për tre vjet ndërtim, rruga 60 kilometra e gjatë, Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën, u kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 800 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.