Bankat komerciale kosovare po realizojnë fitime marramendëse falë normave të larta të interesit në kredi dhe të shtrenjtimit të vazhdueshëm të shërbimeve. Sipas një raporti të publikuar së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në gjashtëmujorin e parë të këtij viti bankat kanë arritur kulminacionin e të hyrave, derisa të gjithë parametrat makroenomik të vendit janë duke u përmbysur.
Të hyrat Bruto të bankave, pa i llogaritur këtu shpenzimet, në gjashtëmujor arrijnë shifrën rekorde prej 121.6 milionë eurosh, prej të cilave 97.1 milionë euro vinë nga kamatat në kredi. Përderisa, fitimi i pastër i bankave, në gjysmën e parë të këtij viti ka arritur në 26.9 milionë euro, shumë më shumë se në vitet paraprake.
Krahasuar me vitin e kaluar shihet se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë fituar më shumë se gjatë gjithë vitit të kaluar, ndërsa fitimet në pesëmujorin e parë të këtij viti janë më të larta sesa fitimet vjetore në 2012.
Bazuar në raportin vjetor të BQK-së shihet se profiti Neto i Sistemit Bankar në vitin 2013 arriti në 26 milionë euro, nga 18.5 milionë euro sa ishte në vitin 2012.
Normat e larta të interesit po vazhdojnë të aplikohen edhe më tutje në vendin tonë edhe përkundër futjes së konkurrencës së vazhdueshme, por edhe të lehtësirave fiskale ku këtyre iu është zvogëluar tatimi në Korporata nga 20 në 10 për qind.
Njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se sektori bankar në vend është shndërruar në biznes tejet profitabil për biznesmenë të huajë falë normave të larta të interesit në kredi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.