Për të kuptuar se çfarë do të thotë që të investosh në inovacion duhet t’u referohesh shifrave, sipas të cilave çdo vend pune i hapur në botën dixhitale krijon të paktën katër në sektorë të tjerë. Ekspertët këtë e quajnë ekosistem. Një shembull ilustrues mund të jetë ai i një startup-i në Stokholm, “Spotify”, që sot është një gjigant në botën e transmetimit dixhital të muzikës. Kompania ka në kryeqytetin suedez më shumë se një mijë të punësuar. Planet janë që numri i të punësuarve të dyfishohet brenda pesë viteve, duke u transformuar kështu në të parin (e deri tani edhe të vetmin) gjigant të teknologjisë në Europë.
Vitin e kaluar, rreth 2.500 programues indianë kërkuan leje që të transferoheshin në Suedi, ku investimet në teknologji gëzojnë subvencionim dhe trajtim preferencial fiskal.
Ky sukses e rendit Stokholmin në qytetin e pestë në botë për numrin e “njëbrirëshve” (shoqëri që në pak kohë arrijnë në treg një vlerë më të lartë se një miliard euro).
E tillë është edhe “Klarna”, një startup suedeze që ushtron aktivitet në pagesat online e që vlen më shumë se 2 miliardë dollarë dhe po tërheq investime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u klasifikuar në majë të renditjes në fushën e teknologjisë së financës. Në pak më shumë se pesë vjet, ofrimi i produkteve dhe shërbimeve financiare nëpërmjet teknologjisë më të përparuar të informacionit ka mbërthyer gjithë sektorin bankar. Bankat kanë realizuar investime të mëdha për të dixhitalizuar informacionin dhe kjo ka sjellë reduktim kostosh, si në marrëdhëniet me klientët, edhe me koston e punës.
Investimet në teknologjinë e informacionit po orientohen drejt atyre që njihen si “Big Data” (të dhëna të mëdha) që mundësojnë një analizë cilësore të klientelës bankare. Përmes këtyre analizave orientohen edhe strategjitë komerciale të instituteve financiare kundrejt depozituesve, në varësi të blerjeve dhe pagesave të bëra nëpër zonat bankare online.
Tepër interesant është edhe bashkëpunimi në Izrael mes
“Ca’ de Sass” e “The Floor”, një inkubator startup në fushën e teknologjisë së financës që parashikohet të kthehet në një pikë referimi për një nga tregjet më premtues të inovacionit.
Marrëveshja u firmos me Royal Bank të Scotland, Hsbc e Santander, si dhe me dy partnerë në fushën e teknologjisë si Intel e Thomson Reuters. Parashikohet edhe ngritja e një qendre kërkimi dhe hapësirave për bashkëpunim.
Grupi ka parashikuar rreth 200 milionë euro investime në inovacion, kryesisht në mekatronikë dhe biomedicinë. Edhe Banka Unicredit ka prezantuar një akselerator për të mbështetur katër shoqëri në fushën e teknologjisë së financës: Quanteye, Quokky, Social Bullguard e Wallet Saver.
Andrea di Camillo, një ekspert i specializuar në investimet kapitale me risk (që ka hedhur Yoox e Venere) thotë se sistemi ka nevojë për rregulla që nuk përmbledhin aspekte tërësisht të ndryshme.
Në një ekonomi botërore dhe të globalizuar, lëvizshmëria sipërmarrëse kapërcen kufijtë, duke shpërblyer pionierët e inovacionit: San Francisko, Londër, por edhe Stokholm.